Dobia e katërt: Njohja e shkaqeve të triumfit (fitores) dhe shkaqeve të dështimit (mposhtjes, humbjes). Nëse do të studiojmë historinë e Profetit dhe historinë e sahabëve, atëherë do të mësojmë shkaqet e fitores dhe shkaqet e humbjes.
Nga shkaqet e fitores janë: besimi i palëkundur tek Allahu, mbështetja vetëm tek Ai, lutja (përgjërimi) tek Ai, marrja e shkaqeve që të çojnë tek fitorja duke mos u mbështetur plotësisht tek shkaqet, besimi se fitorja (çlirimi) është nga Allahu.
Me shembujt që do sjellim sqarohet më shumë kjo që thamë: Rreth betejës së Bedrit, Allahu i Madhëruar thotë: “Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj e Ai u është përgjigjur: Unë do t’iu ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi). Allahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër vetëm që t’iu gëzojë. Dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma në realitet është vetëm prej Allahut. Allahu është Mbizotërues dhe i Urtë.”[1]
Zemrat e pastra nga idhujtaria e kërkojnë mbrojtjen vetëm nga Allahu i Madhëruar. Sa prej muslimanëve në kohët e sotme, kur u vështirësohen çështjet e kërkojnë ndihmën nga banorët e varreve. Ky është besim i prishur që e posedojnë pasuesit e së kotës, të cilët thonë: Kur t’u vështirësohen çështjet shkoni tek banorët e varreve. Domethënë, kërkoni ndihmë nga banorët e varreve. Ndërsa sahabët në ditën e Bedrit kërkonin ndihmë vetëm nga Allahu. Për këtë arsye dhe Allahu i shpërbleu besimtarët me fitore në ditën e Bedrit.
Në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu u ndihmoi juve në Bedr kur ishit pak në numër. E për të qenë mirënjohës kini frikë nga Zoti.” Ndërsa për ditën e Ahzabit i Lartësuari thotë: “O ju që keni besuar, përkujtoni të mirën e Allahut ndaj jush kur u erdhi një ushtri, e Ne kundër tyre lëshuam një furtunë dhe një ushtri që nuk e shihnit. E Allahu e shihte atë që ju vepronit. Kur ata u erdhën juve prej së larti e prej së poshti, dhe kur shikimet u shtangën e zemrat arritën në fyt, e ju sajonit mendime të lloj-llojta për Allahun. Atje, në atë vend qenë sprovuar besimtarët dhe qenë tronditur me një dridhje të fortë. Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje thonin: Allahu dhe i dërguari i Tij nuk na premtuan vetëm se mashtrim.” [2]
Shikoni se çfarë thanë sahabët: Allahu i Madhëruar thotë: “E kur muslimanët e panë ushtrinë aleate thanë: Kjo është ajo që na premtuan Allahu dhe i dërguari i Tij, e Allahu dhe i dërguari i Tij e thanë të vërtetën. Ajo (ushtria e armikut që panë) vetëm se ua shtoi besimin dhe mbështetjen. Prej besimtarëve kishte burra që e vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën. Dhe ka prej tyre që janë duke pritur (t’a zbatojnë), dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” Deri tek fjala e të Madhëruarit: “Dhe Allahu i zbrapsi ata që nuk besuan me mllefin e tyre, duke mos pritur kurrnjë të mire. Dhe Allahu ua largoi luftën besimtarëve. Allahu është i Fuqishëm, Ngadhënjyes.”[3]
Ndër shkaqet e humbjes është edhe dashuria ndaj dunjasë dhe kundërshtimi i urdhërave fetare.
Kjo u shfaq në ditën e Uhudit kur beteja filloi me triumf të madh në favor të muslimanëve, dhe kur shigjetarët e thyen urdhërin e të dërguarit të Allahut dhe zbritën nga maja e malit (aty ku kishin pozicionet e caktuara), fitorja u shndërrua në disfatë. Sahabët u shokuan nga ajo që pësuan, ndaj dhe Allahu zbriti ajetin: “E kur juve u goditi një dështim (në Uhud) e që ja patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedr), thatë: Prej nga kjo?! Thuaj: Ajo është nga vet ju. S’ka dyshim se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send.” [Ali imran: 165]
Ju jeni shkaku e Allahu është më i Madhi. Një thyerje urdhëri e vetme bëri atë që bëri, duke e shndërruar fitoren në disfatë? Po. E si është gjendja me ne o populli i Islamit? Akidja (besimi) është prishur shumë, e kanë lënë namazin, kemi ngrënë kamatën, janë zhveshur gratë, kemi lënë namazin me xhemat me përjashtim të atij që e ka mëshiruar Zoti im.
Ditën e Hunejnit u kthyen shumicë dhe atyre u pëlqeu ky numër i madh, dhe humbja ndodhi që në fillim të betejës por Allahu i shpëtoi. Allahu për këtë ka thënë: “Nuk ka dyshim se Allahu u ka ndihmuar në shumë beteja. Edhe në ditën e Hunejnit kur juve u mahniti numri juaj i madh i cili nuk vlejti asgjë. Me gjerësinë e saj që kishte toka ajo u ngushtua për ju, pastaj ju u zbrapsët. Allahu zbriti qetësinë e Vet në të Dërguarin e Tij dhe në besimtarët, zbriti një ushtri që ju nuk e patë. I dënoi ata që mohuan e ai ishte ndëshkim ndaj mosbesimtarëve. Allahu i fal atij që do. Allahu fal dhe mëshiron shumë.” [Teube: 25-27]
Dobia e pestë: Studimi i historisë së Profetit, alejhi sela, dhe të shokëve të tij të ndershëm është një përgatitje e dobishme për çdo musliman. Thirrësit për tek Allahu mësojnë sesi t’i thirrin njerëzit për në adhurimin e Allahut. Komandanti mëson nga historia e Profetit, alejhi selam, dhe shokëve të tij sesi duhet të jetë udhëheqja. Ushtari mëson sesi t’a kryej detyrën, edukatori mëson sesi duhet të jetë edukimi.
Profeti, alejhi selam, dhe shokët e tij të ndershëm na kanë lënë shembullin më të lartë për këtë, ndaj Allahu na ka urdhëruar që të ndjekim shembullin e të dërguarit të Tij në çdo aspekt. Allahu ka thënë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut. Kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut dhe në botën tjetër, e ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” [Ahzab: 21]
Allahu na ka urdhëruar që t’i bindemi atij (Profetit) në çdo cështje (që na urdhëron), kur thotë: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të dërguarit, e kini kujdes (mos kundërshtoni).” [Maide: 92] “O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju.” [Nisa: 59] Allahu na ka lajmëruar se në bindjen ndaj Profetit, alejhi selam, ka udhëzim drejt çdo të mire kur thotë: “Nëse i bindeni atij atëherë keni gjetur të vërtetën.” [Nur: 54] Allahu u ka tërhequr vërejtjen besimtarëve nga thyerja e urdhrave të Tij, kur ka thënë: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të dërguarit) se ata do t’i zërë ndonjë telash, ose do t’i godasë dënimi i idhët.” [Nur: 63]
Allahu lavdëroi shokët e të dërguarit të Tij dhe ata që i ndjekin me punë të mira. Allahu thotë: “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve), dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira. Edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij.” [Teube: 100]
Dobia e gjashtë: Mësojmë moralet e Profetit, alejhi selam. Allahu e ka cilësuar atë duke thënë: “Me të vërtetë, ti je në një shkallë të lartë të moralit.” [Kalem: 40] Kush ka qenë morali i tij? Është pyetur Aisha rreth moralit të të dërguarit të Allahut, alejhi selam, dhe ka thënë: Morali i tij ishte Kurani.[4]
Dobia e shtatë: Nga historia e Profetit, alejhi selam, mësojmë mrekullitë me të cilat e ndihmoi Allahu të dërguarin e Tij Muhamedin.
Për shembull kur jobesimtarët kërkuan një shenjë (argument) për vërtetësinë se ai është i dërguar. Ai bëri me shenjë me dorën e tij nga hëna, dhe ajo u nda në dy pjesë. I Lartësuari thotë: “Ora është afruar dhe hëna është ndarë.” [Kamer: 1]
Por edhe pas kësaj jobesimtarët vetëm sa e shtuan mosbesimin (ndaj Allahut). Gjithashtu, Profeti, alejhi selam, vendosi dorën e tij në enë dhe uji filloi të buronte mes gishtave të tij. E shumë e shumë mrekulli të tjera veç kësaj për të cilat do të flasim në kohën e duhur.
E lusim Allahun me Madhështinë e Tij që të na bëjë dobi me studimin e historisë së Profetit alejhi selam dhe shokëve të tij të ndershëm. Këto këshilla ndahen në dy pjesë: 1- Studimi i historisë së Profetit, dhe me këtë do të fillojmë të xhumanë e ardhshme në dashtë Allahu. 2- Studimi i historisë së sahabëve me të cilën do të fillojmë kur të mbarojmë së foluri rreth historisë së të dërguarit të Allahut, alejhi selam.
O Allah! Ktheji muslimanët në fenë e tyre me një kthim të bukur!
“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”
“Historia e Profetit alejhi selam”
Shkroi: Ebu Islam Salih Taha
———————————————————
[1] Suretu Enfal: 9-10.
[2] Suretu Ahzab: 9-12.
[3] Suretu Ahzab: 22-25.
[4] E përcjell Muslimi me nr. 746.
Të Ngjashme
- Kush ishte sekti famëkeq i Karamitëve? Udha e Besimtarëve
- Diçka për Ebu Hamid el Gazali (Allahu e mëshiroftë) Udha e Besimtarëve
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Ngjarje që më bëri të kuptoj një hadith Udha e Besimtarëve
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër