Ftesa për në udhëzim

December 21, 2015

Nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: Kush thërret (fton) për në udhëzim ka shpërblim njësoj si shpërblimet e atyre që e pasojnë atë, pa u pakësuar prej shpërblimeve të tyre aspak. Dhe kush thërret për në humbje ka gjynah njësoj si gjynahet e atyre që e pasojnë atë, pa u pakësuar prej gjynaheve të tyre aspak.” Transmeton Muslimi[1]

Ky hadith dhe të tjerë të ngjashëm me të, përmbajnë nxitje për thirrje në udhëzim dhe mirësi dhe nxjerin në pah vlerën e thirrësit dhe nga ana tjatër hadithi përmban paralajmërim prej thirrjes në humbje e devijim dhe tregon madhësinë e krimit të atij që thërret për vepra të këqia dhe ndëshkimi që ai do të ketë.

Udhëzimi është: dija e dobishme dhe vepra e mirë. Kështu çdonjëri që u mëson të tjerëve ndonjë dije apo i orienton ata që i mëson për ecjen në rrugën e dijes, ai është thirrës për në udhëzim. Dhe çdonjëri që thërret për vepra të mira, që kanë të bëjnë me detyrimet kundrejt Allahut apo me detyrimet kundrejt njerëzve në përgjithësi, apo të disave prej tyre në veçanti, ai është thirrës për në udhëzim.

Dhe çdo njeri që jep ndonjë këshillë fetare, apo për punë të dynjasë që çojnë në dobi fetare, ai është thirrës për në udhëzim. Dhe çdo njeri që është i udhëzuar në dijen dhe veprat e tij dhe udhëzohen me shembullin e tij të tjerët, ai është thirrës për në udhëzim. Dhe çdokush që u paraprin të tjerëve në ndonjë punë të mirë (vepër të khajrit), apo në ndonjë nismë me dobi të përgjithshme, edhe ai hyn në këtë tekst (hadith).

Dhe ai që vepron të anasjelltën, apo të kundërtën e këtyre të gjithave, është thirrës për në humbje. (Sh.p.: Pra ai që u mëson njerëzve dije të dëmshme si idhujtari, magji, gënjeshtra, apo u mëson si të shkatërrojnë në tokë, apo që bën gjynahe haptas dhe njerëzit e imitojnë atë, ai është thirrës për në humbje) Dhe thirrësit për në humbje janë udhëheqësit që ftojnë për në Zjarr.

Dhe çdokush që ndihmon të tjerët për vepra të mira dhe devotshmëri, është prej thirrësve për në udhëzim. Dhe çdokush që ndihmon të tjerët për gjynahe dhe armiqësi, është prej thirrësve për në humbje.

Behxhetu Kulubil Ebrar

Autor Shejh Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë)!

Përktheu Emin Bilali

[1] Muslimi /Kapitulli i dijes / Tema: Kush hap një rrugë për në mirësi apo për në ligësi /hadithi (2674)

Loading...