Gëzohu në ditën e Fitër Bajramit

June 24, 2017

Gëzohu në ditën e Fitër Bajramit!


Dita e Fitër Bajramit është ditë gëzimi, në të cilën besimtari i gëzohet mirësive të Allahut si dhe faktit që e përmbushi me sukses obligimin e agjërimit dhe kryerjen e veprave të mira gjatë muajit të Ramazanit.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Plotësojini ditët e agjërimit, e pastaj madhërojeni Allahun për suksesin e dhënë që të jeni falënderues!” (Bekare: 185)

Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Çdo popull ka festat e veta, ndërsa kjo është festa jonë.”[1]

Dijetari i madh Ibën Haxheri ka thënë: Prej dobive që përftohen nga ky hadith është fakti se preferohet shtimi i shpenzimeve për familjen gjatë festave të Bajrameve (në blerjen e ndonjë dhurate apo ushqimeve të preferuara), në mënyrë që të fusësh kënaqësi në zemrat e tyre. Shfaqja e gëzimit dhe lumturisë gjatë dy festave të Bajrameve është prej simboleve të fesë.[2]

Në ditën e festës së Bajramit kërkohet kryerja e disa veprave të cilat e përmbyllin në mënyrën më të mirë përfitimin e begative të muajit të Ramazanit. Ndër to veçojmë:

  • Të lahemi, të parfumosemi dhe të vishemi sa më bukur.

Dita e Bajramit është ditë feste dhe është prej traditës profetike zbukurimi në ditë feste.

Ibnul Kajimi ka thënë: Është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) vishte rrobat më të bukura në ditët e festave. Ai kishte një xhybe të veçantë të cilën e vishte në festat e Bajrameve dhe ditëve të Premte.[3]

Imam Maliku ka thënë: Kam dëgjuar shumë prej dijetarëve ta konsiderojnë të pëlqyeshme parfumosjen dhe të zbukuruarit në ditët e Bajrameve.

  • Pjesmarrja kolektive në faljen e namazit të Bajramit.

Veçori dhe simbolik e Festës së Bajramit është pjesmarrja e të gjithëve në gëzimin dhe mirësinë që përcjell kjo ditë. Kjo manifestohet që sa zbardh dita me pjesmarrjen në namazin e Bajramit, i cili preferohet të kryhet në një vend të hapur në mënyrë që pjesmarrja të jetë sa më e madhe.

Të gjithë muslimanët që kanë mundësi duhet të marrin pjesë në faljen e namazit të Bajramit, madje është e pëlqyeshme të jenë të pranishme edhe gratë të cilat nuk falen për shkak të periodave. Ato megjithëse nuk falen është mirë që të jenë pjesmarrëse në tubimin e ditës së Bajramit, për të përfituar prej mirësisë së kësaj dite dhe lutjes së muslimanëve.

Umu Atije -radiallahu anha- ka thënë: “Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) na ka porositur të dalim në ditën e Bajramit, madje ka porositur të dalin dhe vashat dhe gratë me perioda”.[4]

  • Ta madhërojmë Allahun gjatë shkuarjes për në vendin e faljes derisa të fillojë namazi i Bajramit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Plotësojini ditët e agjërimit e pastaj madhërojeni Allahun për suksesin e dhënë, që të jeni falënderues!” (Bekare: 185)

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) e madhëronte Allahun me tekbir gjatë shkuarjes për tek faltorja e namazit të Bajramit (namazgjaja). Ai vazhdonte me tekbire deri sa të vinte koha e faljes.”[5]

Thënia e tekbireve në ditën e Bajramit mund të bëhet në disa mënyra, ashtu siç transmetohet nga disa prej sahabëve.

Ibn Mesudi -radiallahu anhu- në ditët e Bajramit thoshte këtë tekbir: “Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe il-lallah, ue Allahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahil hamd.”[6]

Ibën Abasi -radiallahu anhu- thoshte: “Allahu ekber, Allahu ekber. Allahu ekber ue lil-lahil hamd. Allahu ekber ue Exhel, Allahu ekber ala ma hedana.”[7]

Abdurrazaku ka përcjellë nga Selman el Farisiu -radiallahu anhu- se ai ka thënë: “Madhërojeni Allahun duke thënë: Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekberu kebiran.”[8]

  • Të dëgjojmë këshillën e imamit.

Preferohet dëgjimi i këshillave të imamit pas faljes së namazit të Bajramit.

Transmetohet nga Ebu Seid El Hudrij -radiallahu anhu- se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit dilte për në faltore, dhe gjëja e parë që bënte ishte falja e namazit. Pastaj kthehej me fytyrë nga njerëzit dhe predikonte duke i këshilluar dhe porositur, ndërsa ata qëndronin ulur në vendet e tyre dhe e dëgjonin.[9]

  • Të urojmë njëri-tjetrin për pranimin e punëve të mira.

Ashtu siç e paraprimë këtë muaj të begatë me lutje që Allahu të na japë nga mirësitë dhe begatitë e tij, po ashtu e përcjellim atë duke iu lutur Allahut të na i pranojë adhurimet që kemi bërë.

Lutju Allahut për vete dhe të tjerët dhe uroji muslimanët me pranimin e veprave të mira.

Xhubejr bin Nufejri tregon: Shokët e Profetit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) kur takoheshin në ditën e Bajramit e uronin njëri-tjetrin duke thënë:  Tekab-belallahu mina ue minkum! – Allahu na i pranoftë punët e mira neve dhe juve!

Lusim Allahun e Madhëruar të na mundësojë të përfitojmë sa më shumë nga mirësitë dhe begatitë e muajit të madhërishëm të Ramazanit! Amin!

————————————————–

[1] E transmeton Buhariu me nr. 949 dhe Muslimi me nr. 792.

[2] “Fet’hul Bari” vëll. 2, fq. 443.

[3] “Zadul Mead” vëll. 1, fq. 441.

[4] E transmeton Buhariu me nr. 324 dhe Muslimi me nr. 890.

[5] “Silsiletul hadith es sahiha” me nr. 170.

[6] E ka transmetuar Ibën ebi Shejbe vëll. 2, fq. 168, me zinxhir transmetimi të saktë, dhe “Irvaul galil” 3/125.

[7] E ka transmetuar El Bejhakij vëll. 3, fq. 315. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë. “Irvaul galil” 3/126.

[8] El Bejhakij në librin “Es Sunenu El Kubra” vëll. 3, fq. 316. Ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” 2/462 ka thënë: Ky është transmetimi më i saktë që përcillet në lidhje me mënyrën e thënies së tekbireve.

[9] E transmeton Buhariu me nr. 956 dhe Muslimi me nr. 889.

Dosje:

Loading...