Gjykimi mbi namazin e personit dhe faljen pas atij i cili bën gabime drejtshqiptimi në këndimin e Kuranit

Gjykimi mbi namazin e personit dhe faljen pas atij i cili bën gabime drejtshqiptimi në këndimin e Kuranit.

Është fakt se Kurani është shpallur në gjuhën e pastër arabe, gjë e cila konsiderohet si një nga veçoritë dhe tiparet e tij dalluese.  Në suren Nahl ajeti 103, thuhet: ‘’Mirëpo, gjuha e atij për të cilin ata aludojnë është joarabe (e paqartë), e kjo (e Kuranit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë.’’

Në suren Shuara ajetet 193-194-195, thuhet: ‘’Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili) në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen (Pejgamber). Me gjuhë të kulluar arabe.’’

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka urdhëruar që në namaz të prijë ai i cili është më i ditur në Kuran: ‘’Popullin duhet t’a prijë ai i cili është më i ditur në Librin e Allahut.’’ (Muslimi)

Duke qenë se Kurani është shpallur në gjuhën e kulluar arabe dhe kjo konsiderohet si një nga tiparet e tij dalluese, atëherë çdo njeri që falet e ka për detyrë të mësojë drejtshqiptimin e Kuranit, në veçanti atë të sures Fatiha. Këndimi i saj është një nga kushtet e qënësishme të të gjitha namazeve; namazeve me zë apo pa zë, namazeve të detyrueshme apo vullnetare, për imamin dhe për individin (i cili falet vetëm).

Përsa i takon gjykimit mbi këndimin e Fatihasë nga ana e xhematit, ka mendime të ndryshme midis dijetarëve. Mendimi më i saktë  është se ai e ka për detyrë këndimin e saj në namazet pa zë, ndërsa në namazet me zë nuk e ka për detyrë.  Ky është mendimi i shkollave Malikite dhe një nga mendimet e shkollës Hanbelite. Ky ishte dhe mendimi i Ibën Tejmijes dhe i disa dijetarëve të tjerë.

Sakaq imami, individi dhe xhematliu e kanë për detyrë që të saktësojnë këndimin e Fatihasë. Ata justifikohen vetëm nëse janë të paaftë që t’a mësojnë drejtshqiptimin e saj pasi të jenë munduar që t’a mësojnë, sepse Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësisë së tij. Por nëse dikush e neglizhon drejtshqiptimin e saj edhe pse i ka mundësitë për t’a mësuar siç duhet, atëherë namazi i tij nuk është i saktë nëse gjatë këndimit të Fatihasë bën gabim që e prish kuptimin e ajeteve. Në këtë rast, ai i cili e këndon Fatihanë më mirë se ai, nuk lejohet të falet pas tij. Pas tij mund të falen vetëm ata që janë të ngjashëm me të, ose ata që janë më poshtë se ai në drejtshqiptimin e Fatihasë.

DISA PREJ FJALËVE TË DIJETARËVE MBI KËTË ÇËSHTJE:

Neveviu (Allahu e pastë mëshiruar) ka thënë: “Është e urryer të bëhet imam një njeri i cili bën gabime drejtshqiptimi në këndimin e Kuranit. Nëse gabimi i tij nuk e ndryshon kuptimin, sikurse është këndimi i ‘’El Hamdu lil-lahu’’ me ‘’u’’ në vend të ‘’i’’, në këtë rast namazi i tij dhe i atyre që janë pas tij është i saktë. Por nëse bën ndryshime të cilat e ndryshojnë kuptimin, sikurse është këndimi i ‘’te’’ në ‘’En’amte alejhim’’ me ‘’tu’’ – ‘’en’amtu alejhim’’ ose me ‘’i’’- ‘’en’amti alejhim’’, atëherë namazi prishet. Nëse gjuha e tij ia lejon dhe e ka të mundur që t’a mësojë, atëherë e ka obligim që t’a mësojë. Nëse tregon neglizhencë dhe koha nuk i premton, atëherë le të falet dhe t’a përsërisë më vonë namazin, por të tjerët nuk duhet të falen pas tij. Nëse gjuha e tij nuk ia lejon ose nuk ka kaluar ende aq kohë sa të ketë mundësi të mësojë, atëherë nëse bëhet fjalë për Fatihanë namazi i tij dhe i atyre që janë të njëjtë si ai pas tij është i saktë, ndërsa namazi i atij i cili e shqipton drejtë nuk është i saktë. Nëse gabimet bëhen në sure të tjera përveç Fatihasë, atëherë namazi i tij dhe i atyre që janë pas tij është i saktë. (Raudah Et Talibin; 1/350)

Gjithashtu ka thënë: “Ai i cili nuk e këndon Fatihanë të plotë, pa marrë parasysh nëse  nuk e di përmendësh të gjithën apo nuk di një shkronjë të vetme, apo e shqipton pa teshdid shkronjën e cila është me teshdid për shkak të theksit të tij të butë ose gjëra të ngjashme me këto, pa marrë parasysh nëse kjo ndodh si pasojë e problemeve me shprehjen apo si pasojë e diçkaje tjetër…

Nëse ky person e ka patur mundësinë për të mësuar dhe nuk e ka bërë, namazi i tij është i pavlefshëm dhe falja e namazit pas tij nuk është e lejuar. Ndërsa nëse nuk e ka patur mundësinë për të mësuar sikurse është rasti i atij i cili e ka të vështirë shqiptimin, ose i atij që nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, në këtë rast namazi i tij për vetë atë është i saktë sikurse është i saktë namazi i atij i cili është i të njëjtit nivel me të dhe që falet pas tij. (El Mexhmua; 4/267)

Ibën Kuadame ka thënë: “Ai që lë një nga shkronjat e Fatihasë pa kënduar nga paaftësia, ose e shndërron një shkronjë në një tjetër,  p.sh. ‘’r’’ në ‘’g’’, dhe ai i cili e shkrinë një shkronjë në një tjetër apo bën gabime drejtshqiptimi që e ndryshojnë kuptimin, p.sh. në vend të ‘’Ijjake’’ thotë ‘’Ijjaki’’, ose në vend të ‘’En’amte’’ thotë ‘’En’amtu’’ dhe është i paaftë t’a korrigjojë,  ky njeri konsiderohet si analfabet dhe nuk bën që një njeri i ditur të falet pas tij. Mirëpo një i nivelit të tij mund të falet pas tij sepse janë të të njëjtit nivel sikurse janë ata që nuk dinë të këndojnë asgjë. Por nëse është i aftë dhe mundet të përmirësohet dhe nuk e bën, atëherë namazi i tij nuk vlen sikurse namazi i atij që falet pas tij. (El Mugni; 2/145)

Anëtarët e komisionit të përhershëm të studimeve shkencore dhe fetvave, me në krye shejh Ibën Bazin (Allahu e pastë mëshiruar!) kanë  thënë: ”Nëse imami bën gabime të cilat nuk e ndryshojnë domethënien, atëherë falja e namazit pas një imami që nuk bën gabime të tilla është më parësore nëse kjo gjë është e mundshme. E nëse në suren Fatiha bën gabime të cilat e ndryshojnë domethënien  e saj, atëherë namazi pas tij nuk vlen për shkak të gabimeve të rënda që bën në drejtshqiptim si p.sh. ”Ijjaki na’budu’’ në vend të “ijjake na’budu”, ose ‘’En’amtu alejhim’’ në vend të “En’amte alejhim”. Nëse ai bën gabime prej harresës për shkak të memories së dobët, atëherë emërimi i dikujt tjetër i cili ka kujtesë më të fortë si imam në vend të tij është më parësorë.  (2/527)

Ibën Uthejmini (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: ”Imamlliku i personit i cili nuk  këndon mirë  ka shqyrtim. Nëse bën gabime të cilat e ndryshojnë domethënien në pjesën e cila është e detyrueshme të këndohet në namaz e që është Fatihaja, atëherë imamlliku i tij është i pavlefshëm sepse këndimi i Fatihasë është prej kushteve të namazit. E nëse gabimet e tij nuk e ndryshojnë domethënien apo e ndryshojnë atë por janë jashtë sures Fatiha ndërkohë që ai nuk i bën qëllimisht, atëherë namazi i tij nuk prishet mirëpo përsëri nuk duhet të bëhet imam. Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ‘’Popullin duhet t’a prijë në namaz ai i cili është më i ditur në Librin e Allahut.’’ (Fetaua Nurun ala ed Derb, nr.256)

 

Përfundimi:

Nëse imami apo individi bën gabime të cilat e prishin kuptimin dhe këto gabime i bën në suren Fatiha, atëherë shikohet nëse është i aftë t’i korrigjojë gabimet. Nëse nuk mundet t’i korrigjojë atëherë namazi i tij nuk vlen.

Nëse është i paaftë për t’i korrigjuar për shkak të problemeve leksikore apo për shkak të mungesës së dikujt që mund t’a mësojë, në këtë rast namazi i tij është i saktë sikurse është i saktë dhe namazi i atyre që falen pas tij të cilët janë po të të njëjtit nivel apo më poshtë.

Përshtati: Rexhep Milaqi