Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.

July 8, 2016

Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.

Historia e pestë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahuanhu- se profeti -alejhi selam- pasi fali namazin e sabahut u kthye nga njerëzit dhe tha: “Kur një burrë po ngiste një lopë hipur mbi të, ai i gjuajti asaj dhe ajo u kthye dhe i tha: Nuk jemi krijuar për këtë gjë. Jemi krijuar për lërim toke. Njerëzit e pranishëm (në mexhlisin e profetit -alejhi selam-) thanë: Subhanallah, lopë që flet! Atëherë profeti -alejhi selam- tha: Unë e besoj këtë gjë bashkë me Ebu Bekrin dhe Omerin. E tha këtë gjë edhe pse ata nuk ishin aty. Dhe gjithashtu kur një bari ishte me bagëtinë e tij i bie ujku dhe i merr një dele. Bariu e ndjek nga mbrapa dhe e shpëton prej tij pastaj ujku i thotë: Kush do ta shpëtojë atë prej meje ditën e egërsirave, atë ditë kur nuk ka bari tjetër veç meje? Njerëzit thanë: Subhanallah, ujk që flet! Atëherë profeti -alejhi selam- selam tha: Unë e besoj këtë gjë bashkë me Ebu Bekrin dhe Omerin. E tha këtë gjë edhe pse ata nuk ishin aty.E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

1- Kjo ngjarje ka ndodhur në popullin e Beni Israilëve sepse sipas një versioni tjetër të transmetimit EbuHurejra -radiallahuanhu- thotë se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Flisni rreth Beni Israilëve pa druajtje! Një burrë duke ngarë një lopë… (përmend hadithin e mësipërm) ” e transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani.

2- Kafshët flasin me njëra-tjetrën por mund të flasin edhe me gjuhën e njerëzve nëse do Allahu prandaj dhe në kuran dhe sunet janë regjistruar disa raste prej tyre:

a- Të folurit e kafshëve me njëra-tjetrën siç e ka përmendur Allahu në historinë e Sulejmanit për milingonat kur njëra prej tyre u thotë të tjerave: “O milingona, futuni në shtëpitë tuaja që të mos ju shtypë Sulejmani dhe ushtria e tij pa e ndjerë” suratuEl-Neml: 18.

b- Të folurit e kafshëve me disa prej profetëve të Allahut si Sulejmani dhe profeti ynë Muhamed alejhima selam:

Të folurit e pupëzës me Sulejmanin alejhi selam siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Pupëza qëndroi jo shumë larg (Sulejmanit) dhe i tha: Di diçka që ti nuk e di dhe kam ardhur nga populli i Sebesë me një lajm të vërtetë” SuratuEn-Neml: 22.

Të folurit e devesë me profetin tonë Muhamedin alejhi selam siç tregon Abdullah bin Xhafer radiallahuanhu: U fut profeti alejhi selam në një kopsht hurmash të një prej ensarve dhe aty ishte një deve. Deveja kur e pa profetin alejhi selam pëlliti dhe i zbritën lotët. Profeti alejhi selam shkoi te deveja dhe i fshiu lotët dhe ajo pushoi. Profeti alejhi selam pyeti: kush është i zoti i kësaj deveje? E kujt është kjo deve? Vjen një djalosh prej ensarve dhe thotë: Është e imja o i dërguari i Allahut. Profeti alejhi selam i thotë: “A nuk i frikësohesh Allahut për këtë kafshë të cilën Allahu ta ka bërë nën pronësinë tënde?! Ajo mu ankua se ti e le të uritur dhe e mundon” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

c- Të folurit e kafshëve me njerëz të tjerë veç profetëve siç tregon Ebu Hurejra

radiallahu në hadithin e lartpërmendur.

3- Përdorimi i kafshëve për atë punë që janë krijuar, madje jo vetëm kaq por edhe për atë punë që janë krijuar nuk duhet të mundohen tepër mundësisë së tyre dhe as keqtrajtuar.

4- Gradat e larta të Ebu Bekrit dhe Omerit të cilët edhe pse nuk ishin të pranishëm profeti -alejhi selam- dëshmoi se ata e besojnë këtë gjë kur ta marrin vesh se lajmi vjen nga profeti -alejhi selam sepse prej cilësive të devotshmëve të përmendura në ajetet e para të sures El-Bekare është besimi në të fshehtën ku Allahu thotë: “Elif, Lam, Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në të dhe udhëzim për të devotshmit. Ata të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe në prej asaj që u kemi dhënë shpenzojnë”surat-ul-Bakara: 1-3.

Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur me Ebu Bekrin -radiallahuanhu- pas mbërritjes së profetit alejhi selam nga israja dhe miraxhi kur Ebu Bekri u provua nga mushrikët në pretendimin e profetit -alejhi selam-  se ka udhëtuar brenda një nate për në xhaminë e Aksasë! Ai i pyeti: E ka thënë me të vërtetë këtë gjë? Ata i thanë: Po. Atëherë Ebu Bekri u thotë: Unë i besoj atij gjëra më shumë sesa kaq, zbritjen e lajmeve qiellore mëngjes e mbrëmje.

Aisha radiallahu anha thotë: Për këtë gjë është quajtur Ebu Bekri Es-Siddijk (besimtar i vërtetë). E transmeton Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.

5- Fjala e profetit -alejhi selam- [Kush do ta shpëtojë atë prej meje ditën e egërsirave, atë ditë kur nuk ka bari tjetër veç meje?] është shpjeguar me njërën prej këtyre dy gjërave:

a- Është për qëllim një ditë feste ku ata preokupoheshin me ngrënie pirje dhe dëfrime dhe kështu vinte ujku dhe u merrte bagëtitë pa u vënë re.

b- Është për qëllim ajo që do të ndodh ditën e kiametit kur të vdesin njerëzit dhe të mbesin egërsirat me kafshët e buta.

6- Një ngjarje e ngjashme me ngjarjen e bariut e cila siç thamë u përket kohës së Beni Israilëve ka ndodhur edhe në kohen e profetit -alejhi selam- .

Ebu Said El-Khudri radiallahuanhu thotë: Një ujk u vërsul mbi një dele dhe e merr atë. Bariu e ndjek ujkun derisa e shpëton delen prej tij. Ujku ulet mbi bisht dhe i thotë bariut: A nuk e ke frikë Allahun të më marrësh një risk që ma ka dhënë Allahu?! Bariu thotë: Çudi me mua, një ujk që më flet si njerëzit! Ujku i thotë: a të tregoj për një gjë më të çuditshme se kjo? Muhamedi alejhi selam në Jethrib (emër i hershëm i Medinës qytetit profetik) u flet njerëzve për ngjarjet e kohës së shkuar! Bariu niset bashkë me delet e tij derisa mbërrin në Medine dhe i grumbullon ato në një qoshe pastaj shkon te profeti alejhi selam dhe i tregon për ngjarjen. Profeti alejhi selam urdhëron që të thirret: “Es-Salate Xhamiah (Namazin me xhemat, o njerëz)!”, pastaj del dhe i thotë bariut të tregojë ngjarjen e tij dhe ai e tregon atë. Atëherë profeti alejhi selam tha: “Të vërtetën ka thënë (bariu)! Pasha atë që në dorën e tij është shpirti im, nuk ka për të ardhur kiameti derisa të flasin kafshët e egra me njerëzit dhe ti flas burrit bishti i shkopit, lidhësja e nallaneve dhe kofsha se çfarë ka bërë familja në mungesë të tij” e transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Hakimi, Dhehebiu dhe sheikh Albani.

Ky hadith shton se të folurit e kafshëve do të jetë prej shenjave të kiametit që priten të shfaqen në kohe e fundit të dynjasë.

 

Shkroi: Teuta XEKA.

Loading...