Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.

Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.

Historia e tetë.

Xhabiri -radiallahuanhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Tregoni nga ngjarjet e Beni Israilëve sepse ata kanë pasur gjëra të çuditshme! Pastaj ai na tregoi dhe na tha: Njëherë doli një grup prej tyre dhe kaluan pranë një prej varrezave të tyre dhe thanë: sikur të falemi dhe ti lutemi Allahut të na nxjerrë disa prej të vdekurve të na njoftojnë rreth vdekjes! Ata ashtu bënë dhe ndërkohë që ishin duke pritur, një burrë ezmer nxori kokën nga varri me shenjat e sexhdes në ballë dhe tha: O njerëz, çfarë deshët prej meje, sepse kam vdekur para njëqind vjetësh dhe nuk më është ftohur nxehtësia veçse tani, prandaj luteni Allahun të më kthejë siç isha! ” e transmeton Abd binHumejd dhe e saktëson sheikh Albani.

Dobitë e përfituara nga këto histori:

1- Lejimi i profetit -alejhi selam- për të treguar nga ngjarjet e Beni Israilëve është për shkak se në to ka ngjarje prej të cilavemund të nxirren mësime: ose gjen në to shembuj të mirë që duhet ndjekur, ose shembuj të këqij që nuk duhet përsëritur.Këtu për qëllim janë ato ngjarje të cilat nuk dihen që janë gënjeshtra sepse nëse dihet se janë gënjeshtra nuk lejohet të tregohen veçse duke përmendur se janë të pasakta e sidomos ato ngjarje të cilat i përgënjeshtronKurani apo fjalët profetike. Sheikhu islam IbnTejmije në lidhje me historitë e Beni Israilëvethotë se ato janë tre llojesh:

I pari: ato ngjarje për të cilat e dimë se janë të sakta nëpërmjet burimeve tona të cilat dëshmojnë për saktësinë e tyre dhe ky lloj është i saktë.

I dyti: ato ngjarje të cilat i dimë se janë gënjeshtra nëpërmjet burimeve tona.

I treti: ato ngjarje për të cilat burimet tona kanë heshtur ndaj tyre dhe nuk janë as nga lloji i parë dhe as nga i dyti dhe ne as nuk i besojmë dhe as nuk i mohojmë por lejohet të tregohen siç thuhet në hadith.

2- Prej traditës së profetëve të Allahut është varrimi i të vdekurve madje kjo në kuran është treguar si mirësi apo nderim për njeriun kur thuhet: “U vraftë njeriu sa mohues i madh që është * Nga cila gjë është krijuar *  Nga një pike lëngu e krijoi pastaj i caktoi çdo gjë * Pastaj rrugën ia lehtësoi * Pastaj e bëri të vdesë dhe e varrosi * Pastaj kur të dojë e ringjall” suretuAbese: 17-22.

Pra,ajeti fillon me një mallkim për njeriun se sa mohues i madh përballë mirësive të Allahut prej të cilave edhe fakti që ka urdhëruar të varroset dhe jo të lihet jashtë për ta shqyer atë egërsirat apo për tu djegur siç bëjnë mushrikët. Gjithashtu varrosjen e të vdekurve Allahu i madhëruar e ka treguar në Kuran si adet të hershëm që me bijtë e Ademit -alejhi selam- dhe i pari që është varrosur prej tyre është Habili kur u vra nga vëllai i tij Kabili, pastaj Allahu i madhëruar e frymëzoi atë për ta varrosur nëpërmjet një korbi. Kështu ishte fillimi por pastaj kanë ardhur porosi me fjalë prej Allahut për ti varrosur të vdekurit sikurse e pamë në ajetet e lartpërmendura.

3- Duaja pas namazit është prej duave të pranueshme siç shihet nga ana e jashtme e hadithit sepse këta njerëz zgjodhën të faleshin në fillim pastaj ti luteshin Allahut për atë që deshën dhe ndoshta për këtë kuptim ndihmon edhe fjala e profetit -alejhi selam- siç e tregon EbuUmameEl-Bahilij: “Dikush pyeti: O i dërguari i Allahut, cila dua është më e dëgjueshme? Ai i tha: Në mes të pjesës së fundit të natës dhe pas namazevefarze” e transmeton Tirimidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.

4- Tek popujt e mëparshëm ka pasur sexhdeadhurimi gjë të cilën nuk e gjejmë sot te ehlikitabisiç shihet qartë nga hadithi sepse burri i vdekur kur doli nga varri kishte shenjat e sexhdes në ballë dhe për këtë ndihmon edhe Kurani kur flet për profetët dhe popujt e mëparshëm dhe thotë: “Këta janë ata të cilëve u ka bërë mirësi Allahu prej profetëve prej pasardhësve të Ademit dhe prej atyre që i kemi mbartur me Nuhun dhe prej pasardhësve të Ibrahimit, Israilit dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i përzgjodhëm të cilët kur u lexoheshin ajetet e Mëshiruesit binin në sexhde dhe qanin” suretuMerjem: 58.

5- Vdekja është e vështirë prandaj le të përgatiten njerëzit për të. Allahu i madhëruar e ka cilësuar atë në kuran si kllapi dhe thotë: “Dhe kur të vijë kllapia e vdekjes, ajo e cila ti i shmangeshe”suretu Kaf: 19.Po ashtu edhe profeti -alejhi selam- na i ka përshkruar momentet e fundit të jetës së tij siç tregon Aishja -radiallahuanha-: “Prej mirësive të Allahut ndaj meje është se profeti -alejhi selam- vdiq në shtëpinë time, në ditën time të radhës dhe mes kraharorit dhe gushës time. Gjithashtu Allahu i madhëruar bashkoi mes jargëve të mija dhe jargëve të tij kur vdiq sepse në ato momente hyri AbdurrahmanbinEbijBekrduke mbajtur në dorë një misvak. Ndërkohë unë kisha mbështetur profetin -alejhi selam- në trupin tim dhe pashë se ai po shihte te misvaku dhe e kuptova se ai e donte atë. Unë i thashë: Atia marr atij për ty? Ai bëri me shenjë se po. Unë ia mora dhe ia dhashë atij por ai ishte i ashpër dhe i thashë: A ta zbus? Ai bëri me shenjë me kokë se po. Unë e zbuta atë me gojë dhe ai e përdori atë ndërkohë që përpara kishte një enë me ujë dhe ai filloi ti fuste duart në ujë dhe të fërkonte me to fytyrën duke thënë: La ilaheilallah me të vërtetë vdekja paska kllapi! Pastaj ngriti dorën e tij duke thënë: dua shoqëruesin e lartmadhërishëm! Derisa dha shpirt dhe iu mënjanua dora”e transmeton Buhariu.

Pra, vdekja sipas përshkrimit të Allahut dhe profetit të tij ka një gjendje të vështirë e cila është përshkruar si kllapi dhe shoqërohet me nxehtësi gjë e cila mesa duket nga hadithi i Beni Israilëve ndikimi i saj vazhdon gjatë edhe pas vdekjes sepse burri thotë se ajo nxehtësi nuk i është shuar që prej një qind vjetësh.

6- Ringjallja është diçka e njohur te të gjithë popujt që kanë njohur udhëzimet profetike dhe se Allahu ka mundësi ti ringjallë njerëzit pas vdekjes së tyre siç do ti ringjallë ata të gjithë njëherësh ditën e llogarisë prandaj dhe ata iu lutën Allahut t’u ringjallë atyre disa prej të vdekurve për t’u treguar për vdekjen. S’ka dyshim se Musai -alejhi selam- ua ka përcjellë atyre fjalët e para që ka dëgjuar prej Allahut: “Unë jam Allahu i cili nuk të adhuruar veç meje, prandaj më adhuro mua dhe fale namazin për të më kujtuar * Dije se ora e fundit është duke ardhur dhe unë e kam fshehur atë për të shpërblyer çdo njeri për atë që punon * prandaj të mos pengojë nga ajo ai i cili nuk beson në të dhe ndjek dëshirat e tij dhe kështu të shkatërrohesh” suratuTaha: 14-16.

7- Së fundi këta njerëz kërkuan një dëshmi të një njeriu i cili e ka provuar vdekjen, jo se ata dyshonin në ato që mund të kishin dëgjuar prej profetëve të tyre por për të shtuar sigurinë sepse nëse do të ishte pyetje sfiduesi,Allahu në vend që t’ju përgjigjej do ti kishte dënuar siç ka dënuar edhe të tjerë kur kanë ndjekur rrugën e sfidimit. Një pyetje të tillë e ka bërë edhe Ibrahimi -alejhi selam- kur i kërkoi Allahut ti tregojë se si i ringjallë të vdekurit dhe Allahu i madhëruar i tha: “A nuk beson? Ai i tha: Po, por që të më qetësohet zemra. Ai Allahu i tha: Merr katër zogj dhe copëtoji. Pastaj shpërndaji në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri se ata do të vijnë duke shpejtuar. Dhe dije se Allahu është i Plotëfuqishëm dhe i Urtë” suratuEl-Bekara:  260.

Në kuran janë përmendur tre lloje sigurish të ndara sipas gradave të tyre:

1- Siguri e përfituar nga dëgjimi ose [Ilmul-jekijn] psh: kur dikush njofton se ka mjaltë dhe ka këto karakteristika dhe tjetri i beson ato sepse ai që njofton është njeri i sigurt dhe nuk është parë ndonjëherë të gënjejë atëherë siguria e fituar në këto rrethana quhet siguri e dëgjuar.

2- Siguri e përfituar nga shikimi ose [Ajnul-jekijn] psh: kur njeriu e sheh vet mjaltin dhe cilësitë e tij atëherë siguria e tij quhet siguri e parë.

3- Siguri e përfituar nga provimi ose [Hakkul-jekijn] psh: kur njeriu e provon vet mjaltin atëherë siguria e tij quhet siguri e provuar.

Shkroi: Teuta XEKA.