Histori të bukura të treguara nga Profeti – Historia e shtatëmbëdhjetë

July 18, 2018

Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam-.

– Historia e shtatëmbëdhjetë –

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Dy burra nga Beni Israilët të vëllazëruar me njëri-tjetrin, njëri përpiqej shumë në adhurime kurse tjetri ishte gjynahqar. Ai që përpiqej në adhurime e shihte gjithnjë shokun e tij në gjynahe dhe i thoshte: O filan, mjaft më! Kurse ai i thoshte: Më lër mua me Zotin tim! A mos je dërguar mbikqyrës mbi mua?! Kështu, derisa një ditë e pa atë në një gjynah të madh dhe i tha: Mjerë ti, mjaft më! Ai i tha: Më lër mua me Zotin tim! A mos je dërguar mbikqyrës mbi mua?! Atëherë ai i tha: “Pasha Allahun, nuk ka për të të falur Allahu apo nuk ka për të të futur kurrë në Xhenet! Atëherë, Allahu u dërgoi atyre një melek për t’ua marrë shpirtrat, dhe kur i bashkoi para tij i tha gjynahqarit: Shko dhe futu në Xhenet me mëshirën Time! Kurse tjetrit i thotë: A mos e di ti se ç’bëj Unë? A mos atë që është e imja e ke ti në dorë?! Çojeni atë në zjarr! Pasha atë që në dorën e Tij është shpirti i Ebul-Kasimit, ai vetëm atë fjalë foli dhe ajo i’a humbi dynjanë dhe ahiretin.”
E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi, dhe e saktëson sheih Albani.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

1- Besimtarët në lidhje me besimin e tyre ndahen në të devotshëm dhe në gjynahqarë. Këtë realitet e shohim edhe tek Beni Israilët edhe në Islam dhe është i pashmangshëm, sepse varet nga besnikëria (amaneti) që kanë njerëzit në zemrat dhe në natyrën e tyre. Profeti -alejhi selam- njofton: “Amaneti ka zbritur në rrënjën e zemrave të burrave, pastaj kanë mësuar prej Kuranit e pastaj mësuan prej Sunetit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, përderisa amaneti i paraprin mësimit të fesë atëherë robi do të ketë devotshmëri aq sa amanet ka në zemrën e tij, dhe për pasojë do të ketë dallime mes tyre në lidhje me të.

2- Rënia në gjynahe nuk do të thotë largim nga besimi nëse nuk shoqërohet me mohim, sepse burri gjynahqar i pranonte gabimet dhe vazhdonte t’a ruante besimin në Zotin e tij dhe në fund shpëtoi. Të njëjtën gjë e tregon edhe Profeti -alejhi selam- në lidhje me Islamin kur thotë: “Islami ka shenjat e tij treguese si shenjat e rrugës. Prej tyre janë: Të besosh Allahun dhe të mos i bësh Atij ortak, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin, të vizitosh Shtëpinë e shenjtë, të urdhërosh për të mira dhe të ndalosh nga të këqijat, t’i japësh selam familjes kur të hysh brenda, dhe t’u japësh selam njerëzve kur të kalosh pranë tyre.
Kush lë një prej tyre ka lënë një pjesë prej Islamit, dhe kush i lë të gjitha i ka kthyer shpinën Islamit.” E transmeton Ebu Ubejd El-Kasim bin Selam dhe e saktëson sheih Albani.
Fjala e tij; “…kush i lë të gjitha i ka kthyer shpinën Islamit” d.m.th. robi vazhdon të ketë pjesë në Islam përderisa nuk i’a ka kthyer plotësisht shpinën atij, duke mohuar edhe deklaratën e besimit e cila është baza e çdo dege të tij.

3- Urdhërimi në të mira dhe ndalimi nga të këqijat është detyrë për besimtarët për të ruajtur shoqërinë e tyre të ndërtuar mbi bazën e besimit, sepse burri i devotshëm kur pa shokun e tij duke shkelur porositë e Allahut e këshilloi dhe nuk e la atë në harresë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Besimtarët dhe besimtaret janë kujdestarë të njëri-tjetrit; urdhërojnë për të mira, ndalojnë nga të këqijat, falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij. Ata do t’i mëshirojë Allahu. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Suretu Et-Teube: 71.
Shihet qartë se ajeti pasi tregon për kujdestarinë e besimtarëve mes njëri-tjetrit, e fillon menjëherë me urdhërimin për të mira dhe ndalimin nga të këqijat dhe jo me detyrat individuale. Kjo detyrë kërkohet në lidhje me shoqërinë e besimit dhe ua ruan atyre besimin.

4- Urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga të këqijat është detyrë të cilën e përmbanin të gjitha udhëzimet qiellore. Allahu i Madhëruar kur tregon rreth Beni Israilëve thotë: “Ata të cilët mohojnë argumentet e Allahut, vrasin pa të drejtë profetët dhe vrasin ata të cilët urdhërojnë për në të drejtën prej njerëzve, përgëzoji me një dënim të dhembshëm.” Suretu Ali Imran: 21.
Imam Kurtubiu në komentimin e këtij ajeti thotë: Ky ajet tregon se urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga të këqijat ka qenë detyrë te popujt e mëparshëm, për të janë dërguar profetët dhe për të është bërë halifja (udhëheqësit sipas normave të profetëve).

5- Nuk duhen braktisur besimtarët mëkatarë kur pasi këshillohen nuk i ndërpresin mëkatet e tyre, nëse ata i pohojnë gabimet e tyre dhe nuk shprehin urrejtje ndaj porosive të Allahut, dhe nëse nuk është frika se ata mund të prishin të tjerët. Besimtari i devotshëm nuk e braktisi shokun e tij edhe pse ai i përsëriste gjynahet e veta. Braktisja e tyre në të tilla raste kur ata më shumë se kurdoherë kanë nevojë që dikush t’i këshillojë apo t’i qortojë, mund të çojë në humbjen e plotë të tyre. Ndërsa mbajtja e lidhjeve me ta dhe durimi mund të jetë shkak për udhëzimin e tyre, siç ka ardhur nga disa prej selefëve:
Umer bin El-Hatab -radiallahu anhu- ka thënë: “Kur ta shihni vëllain tuaj të ketë rrëshqitur ngrijeni, drejtojeni dhe lutjuni Allahut që t’ia mundësojë pendimin, dhe mos jini ndihmëtarë të Shejtanit kundër tij.” E transmeton Bejhakiu.
Ebu Derda -radiallahu anhu- thoshte: “Nëse vëllai yt ndryshon dhe devijon nga rruga e tij mos e braktis atë për këtë shkak, sepse vëllai yt nëse shtrembërohet njëherë do të drejtohet një herë tjetër.”
Ibrahim En-Nehaij ka thënë: “Mos i shkëput lidhjet me vëllanë tënd dhe as mos e braktis atë kur bën gjynahe, sepse ai mund t’i veprojë ato sot dhe t’i braktisë nesër.” Shih librin ‘Kutul-Kulub fij muamelet El-Mahbub’.

6- Mosbraktisja e gjynahqarëve është akoma më shumë e kërkuar kur njerëzit përveç fesë së Allahut kanë edhe lidhje të tjera, si lidhje shoqërie dhe vëllazërimi siç shihet në këtë histori, apo edhe lidhje të tjera si; gjaku, pune, nderesh (kur ata mund të të kenë ofruar ndihmë e përkrahje në raste nevojash pa interes) etj. që ata të mos e humbin rrugën e drejtë.

7- Nuk lejohet t’ia humbim askujt shpresën nga mëshira e Allahut nxitur nga urrejtja e së keqes dhe vullneti për zbatimin e porosisë së Allahut për të urdhëruar për në të mira dhe ndaluar nga të këqijat, pavarësisht se në çfarë gjynahu është robi.
Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- thoshte: “Kur t’a shihni vëllanë tuaj duke bërë ndonjë gjynah, mos u bëni ndihmëtarë të Shejtanit duke thënë: o Allah, poshtëroje atë! O Allah, mallkoje atë! Por kërkojini Allahut t’a largojë nga e keqja sepse ne shokët e Profetit -alejhi selam- nuk thoshim për ndokënd asgjë derisa t’a shihnim se si do të vdiste. Nëse do e mbyllte mirë shpresonim mirë për të, dhe nëse e mbyllte keq kishim frikë për punën e tij.” E transmeton Abdurrazaku.

8- Të betohesh për dikë se nuk e fal Allahu apo se do të futet në xhehenem është prej gjynaheve të mëdha, sepse kjo do të thotë të dalësh mbi Allahun duke dhënë gjykime që i takojnë vetëm Atij. Kjo punë është teprim në urdhërimin për në të mira dhe ndalimin nga të këqijat, sepse ne jemi ftues në rrugën e Allahut dhe jo gjykatës. Madje ajo është më e rëndë te Allahu se shkelja e porosive të tij duke e pohuar gabimin dhe duke shpresuar mëshirën e tij. Allahu nuk e fali këtë burrë i cili nuk kishte gjynah tjetër veç tij, dhe e fali atë tjetrin edhe pse kishte shumë gjynahe por asnjëra prej tyre nuk e kishte këtë domethënie, siç shihet qartë kur ai thoshte: “Më lër mua me Zotin tim!”

9- Punët e mira mund të prishen edhe nga gjynahe që nuk janë kufër dhe shirk, sepse burrit të devotshëm me betimin e tij i’u fshinë të gjitha punët e mira. Kjo gjë ka ardhur në një hadith tjetër i cili ka shumë mundësi të bëjë fjalë për të njëjtën ngjarje, i cili thotë: “Një burrë tha: Pasha Allahun! Nuk do t’a falë Allahu filanin! Dhe Allahu i Madhëruar tha: Kush është ai i cili do të dalë mbi Mua duke u betuar se nuk do t’a fal filanin?! Unë e kam falur atë dhe t’a kam fshirë punën tënde.” E transmeton Muslimi.
Në një transmetim tjetër të hadithit ka një shtesë me të njëjtin kuptim, ku thuhet: “Allahu i shpalli profetit të Tij se kjo gjë është mëkat (i madh), prandaj le t’i rifillojë punët.” E transmeton Taberani dhe e saktëson sheih Albani.
Sheih Albani -Allahu e mëshiroftë- në lidhje më këtë hadith thotë: “Këtu ka argumentim të qartë se betimi për dikë se nuk e fal Allahu i prish punët siç i prish dhe mohimi (kufri), lënia e namazit të Ikindisë etj.” Shih librin ‘Es-silsile Es-Sahiha’.
Në lidhje me namazin e Ikindisë sheih Albani -Allahu e mëshiroftë- ka për qëllim hadithin e Profetit -alejhi selam- i cili thotë: “Kush e lë namazin e Ikindisë i është fshirë puna e tij.” E transmeton Buhariu.

10- Falja e gjynaheve për besimtarët mund të bëhet edhe pa teube (pendim) mirëpo kjo është nën dëshirën e Allahut dhe ai i’a bën kujt të dojë këtë mirësi, siç u pa qartë në këtë hadith kur njërit prej dy burrave i’u falën gjynahet kurse tjetrit jo.

11- Rreziku i gjuhës është i madh dhe duhet të ruhemi prej saj, sepse ky njeri i devotshëm vetëm për një fjalë i’u prish puna dhe përfundoi në zjarrin e xhehenemit. Profeti -alejhi selam- thotë: “Robi mund të flasë një fjalë që e gëzon Allahun duke mos i kushtuar asaj rëndësi, dhe Allahu e ngre atë në grada të larta. Dhe mund të flasë një fjalë që e zemëron Allahun duke mos i kushtuar asaj rëndësi, dhe zhytet me të në zjarrin e xhehenemit.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Prandaj dhe porosia e Profetit -alejhi selam- për Ibn Abasin kur i tregoi për punët e mira që të futin në Xhenet dhe të largojnë nga Xhehenemi, i tha: “A të të tregoj për atë që prej saj varen të gjitha? Ai i tha: Po, o i dërguar i Allahut! Ai i tha: Mbaje fort këtë (gjuhën)! Ai i tha: O i dërguar i Allahut, a do të dënohemi për ato që flasim? Ai i tha: Mbetë pa ty nëna jote! A nuk hidhen njerëzit me fytyra në zjarr veçse nga të korrurat e gjuhëve të tyre?!” E transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe, Tirmidhiu, dhe e saktëson sheih Albani.

 

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...