Histori të bukura të treguara nga Profeti – Historia e pesëmbëdhjetë (2)

March 23, 2018

E gjashta: Vëllazëria që do Allahu duhet të jetë e sinqertë për Të, sepse siç e vumë re në hadith meleku e pyeti dy herë: E ke të afërt personin që e viziton? Të ka bërë ndonjë mirësi? Prandaj dhe nyja më e shtrënguar e besimit quhet siç e shpjegon hadithi: “Nyja më e shtrënguar e besimit është të duash për hir të Allahut dhe të urresh për hir të Allahut.” E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani. Kur njeriu arrin të dojë disa punë apo njerëz vetëm se ato punë apo njerëz i do Allahu, dhe të urrejë punë apo njerëz vetëm për faktin se i urren Allahu, atëherë ai ka arritur një gradë të lartë të besimit dhe devotshmërisë.

E shtata: Allahu deshi t’i japë përgëzimin e tij personazhit të hadithit në pjesën më të vështirë të rrugës, dhe që është e përpjeta apo malorja e saj. Kjo gjë s’është rastësisht apo pa arsye, por për ta gëzuar pikërisht atëherë kur njeriu mund të brengoset apo për t’i dhënë kurajo atëherë kur atij mund t’i bier vullneti.

E teta: Dërgimi i melekut për besimtarin është nderim nga ana e Allahut, sepse robi kur e di se Allahu mbi shtatë palë qiej e ka përmendur dhe madje i ka dërguar një prej krijesave të Tij më të zgjedhura dhe më me pozitë tek Ai, atëherë nuk ka nder dhe as kënaqësi më të madhe. Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) i ka thënë Ubej bin Kabit: “Allahu më ka urdhëruar të ta lexoj Kuranin. Ubeji i tha: Allahu më ka përmendur emrin mua?! Ai i tha: Allahu ma ka përmendur emrin tënd. Ubeji i tha përsëri: Allahu më ka përmendur emrin mua?! Ai i tha: Allahu ma ka përmendur emrin tënd. Atëherë Ubeji filloi të qajë.” Katadja thotë: Më kanë treguar se i ka lexuar pikërisht suren El-Bejjine. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

E nënta: Allahu i Madhëruar i shpërblen shumë ata që duhen për hir të Tij.

Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka rob që e do shokun e tij për hir të Allahut, veçse Allahu i Madhëruar do ta shpërblejë shumëfish atë.” Transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.

Ky lloj shpërblimi konsiston si më poshtë:

1- Fitojmë dashurinë e Tij.

Kjo përmendet në këtë hadith por edhe në hadithe të tjera, si p.sh. hadithi ku Profeti (alejhi selam) thotë: “Allahu i Madhëruar ka thënë: Ia kam obliguar vetes dashurinë për ata që duhen për hatrin Tim, për ata që bisedojnë për hatrin Tim, për ata që vizitojnë njëri-tjetrin për hatrin Tim, për ata që dhurojnë për hatrin Tim dhe për ata që këshillohen për hatrin Tim.” Transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.

2- Ndiejmë ëmbëlsinë e imanit (besimit).

Kjo përmendet në disa hadithe ku prej tyre veçojmë:

Tre gjëra nëse gjenden tek robi ai e ka ndier ëmbëlsinë e besimit: Allahu dhe Profeti i Tij të jenë më të dashurit për të se çdokush tjetër. Ta dojë tjetrin vetëm për hir të Allahut dhe ta urrejë që të kthehet në mohim siç e urren të hidhet në zjarr.” Transmeton Buhariu.

“Kë e gëzon Allahu me kënaqësinë e të shijuarit të ëmbëlsisë së besimit, ia instalon atij edhe ndjenjën e dashurisë ndaj të tjerëve vetëm për hir të Allahut.” Transmeton Ahmedi dhe Hakimi, dhe e saktëson sheih Albani.

3- Strehimi nën hijen e arshit të Allahut në ditën më të vështirë.

Profeti (alejhi selam) thotë: “Allahu do të thërrasë ditën e Kiametit: Ku janë ata që duhen për hir të madhështisë Time? Sot do t’i strehoj ata nën hijen Time, në ditën ku nuk ka hije tjetër veç hijes Time.” Transmeton Muslimi.

Profeti Muhamed (alejhi selam) gjithashtu ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish ka për t’i strehuar Allahu nën hijen e Tij atë ditë kur s’ka hije tjetër veç hijes së Tij…” Ndër to ka përmendur: “… dy burra që janë dashur për hir të Allahut, janë bashkuar për hir të Tij dhe janë ndarë për hir të Tij.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

4- Të qëndruarit pranë Allahut në ditën e Kiametit.

Ebu Malik El-Esharij (radijallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Në mesin e besimtarëve Allahu ka prej tyre që nuk janë as profetë dhe as dëshmorë, por që ata i kanë zili dëshmorët dhe profetët për afërsinë dhe vendin e tyre pranë Allahut në ditën e Kiametit. I thanë: Na trego për ta o i Dërguari i Allahut! Ai tha: Ata janë të huajt që rrinë pranë fiseve, u shoqëruan për hir të Allahut dhe u deshën për hir të Tij. Në ditën e Kiametit Allahu ka për t’u vënë minbere (poltrone apo kolltuqe) prej drite. Njerëzit (atë ditë) do të ndjehen të frikësuar ndërsa ata do të jenë të qetë pa kurrfarë frike. Ata janë të dashurit e Allahut të cilët nuk do të ndjehen as të frikësuar dhe as të brengosur.” Transmeton Hakimi dhe e saktëson shejh Albani.

 

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...