Histori e bukur dhe mbreslënëse e hyrjes në Islam të Selman Farisiut (Persianit)

March 17, 2022

Historia se si Selman el-Farisi (Allahu qoftë i kënaqur me të) hyri në Islam!

Selmani ishte zjarrputist (Zoroastrian), pastaj u bë i krishterë dhe në fund u bë musliman. Kjo ndodhi pasi ai kishte takuar një numër murgjish të krishterë, i fundit prej të cilëve ishte njeri i drejtë dhe kishte njohuri për Profetin e fundit Muhamedin (salAllahu alejhi ve sel-lem). Murgu e këshilloi Selmanin të shkonte në Arabi ku do të shfaqej Pejgamberi i fundit. Ai ia përshkroi vendin dhe ai ishte qyteti i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), Medina.

Historia sesi Selmani hyri në Islam është një histori e madhe, plot mësime dhe këshilla. Ne do t’ju mundësojmë që ta lexoni hadithin e plotë në mënyrë që të përfitoni prej tij.

Transmetohet se Abdullah ibn Abasi ka thënë: Selman el-Farisi ma tregoi historinë me gojën e tij. Ai tha: Unë isha një burrë Pers, isha njëri nga njerëzit e Asbahanit nga një fshat i quajtur Xheji. Babai im ishte prijësi i fshatit dhe unë isha më i dashuri i krijesave të Allahut për të. Ai më donte aq shumë sa më mbajti në shtëpinë e tij, pranë zjarrit, siç i mbanin vajzat. U përpoqa fort në fenë zjarrputiste derisa u bëra rojtar i zjarrit, për të cilin e kujdesa dhe nuk e lashë të shuhej për asnjë çast.

Babai im kishte një kopsht të madh dhe një ditë ishte i zënë me disa punë ndërtimi, kështu që më tha: “O biri im, sot jam shumë i zënë me këtë ndërtesë, prandaj shko dhe kontrolloje kopshtin tim.” – dhe më tha disa nga gjërat që ai donte të bënte. Dola duke u nisur drejt kopshtit të tij dhe kalova pranë një kishe të krishtere ku dëgjova zërat e tyre teksa luteshin. Nuk dija asgjë për njerëzit sepse babai më kishte mbajtur në shtëpinë e tij. Kur kalova dhe dëgjova zërat e tyre, hyra aty për të parë se çfarë po bënin. Kur i pashë, mbeta i impresionuar nga lutja e tyre dhe më tërhoqi mënyra e adhurimit. Thashë: Pasha Allahun, kjo është më e mirë se feja që ne ndjekim. Pasha Allahun, nuk i lashë derisa perëndoi dielli dhe e harrova kopshtin e babait tim dhe nuk shkova atje. Unë u thashë atyre: Nga e ka origjinën kjo fe? Ata thanë: Në Siri. Pastaj u ktheva tek babai im i cili kishte dërguar njerëz të më kërkonin dhe e kisha shpërqëndruar nga të gjitha punët e tij.

Kur erdha tek ai, më tha: O biri im, ku ishe? A nuk të kërkova të bëje atë që të thashë? Unë i thashë: O babai im, kalova pranë disa njerëzve që faleshin në një kishë dhe më la përshtypje ajo që pashë për fenë e tyre. Pasha Allahun, qëndrova me ta derisa perëndoi dielli. Ai tha: O biri im, nuk ka asgjë të mirë në atë fe. Feja jote dhe feja e të parëve të tu është më e mirë se ajo. I thashë: Jo, pasha Allahun, ajo është më e mirë se feja jonë. Ai u frikësua për mua kështu që më vuri pranga në këmbë dhe më mbajti në shtëpinë e tij. U dërgova fjalë të krishterëve duke u thënë: Nëse u vjen ndonjë karvan tregtar i krishterë nga Siria më tregoni për ta. Ai tha: Atyre u erdhën disa tregtarë të krishterë nga Siria dhe më treguan për ta. Unë u thashë: Kur t’i kenë përfunduar punët dhe të duan të kthehen në vendin e tyre, më tregoni. Kështu, kur ata deshën të ktheheshin në vendin e tyre më lajmëruan, dhe unë i hodha hekurat nga këmbët dhe shkova me ta derisa mbërrita në Siri.

Kur arrita në Siri pyeta: Kush është njeriu më i mirë në këtë fe? Ata thanë: Peshkopi në kishë. Kështu shkova tek ai dhe i thashë: Më pëlqen kjo fe dhe do të doja të qëndroja me ty, të të shërbeja në kishën tënde, të mësoja prej teje dhe të lutem me ty. Ai tha: Hyr brenda. Kështu unë qëndrova me të, por ai ishte njeri i keq. Ai i urdhëronte dhe i nxiste njerëzit të jepnin sadaka, por një pjesë të madhe e mbante për vete dhe nuk ua jepte të varfërve; ai kishte grumbulluar shtatë qypa me ar dhe argjend. E urreva shumë kur pashë se çfarë bënte, pastaj vdiq dhe të krishterët u mblodhën për ta varrosur. Unë u thashë: Ky ishte njeri i keq; ai ju urdhëroi dhe ju këshilloi të jepni sadaka, por kur ia sollët ai e mbajti për vete dhe nuk ua dha të varfërve. Ata thanë: Nga e di këtë? Na trego ku është thesari i tij. – Kështu unë u tregova se ku ishte dhe ata i nxorën shtatë qypa të mbushura me ar dhe argjend. Kur e panë thanë: Pasha Allahun se nuk do ta varrosim kurrë; pastaj e kryqëzuan dhe e goditën me gurë.

Pastaj sollën një burrë tjetër dhe e emëruan në vend të tij. Selmani tha: Unë kurrë nuk kisha parë njeri që fal pesë namazet ditore të ishte më i mirë se ai; më asket ndaj kësaj bote dhe më kërkues për ahiretin. Askush nuk përpiqej më shumë se ai me adhurime natën dhe ditën. Unë e desha atë siç nuk kisha dashur askënd më parë dhe qëndrova me të për një farë kohe. Kur ai ishte gati të vdiste, i thashë: O filan, unë qëndrova me ty dhe të kam dashur siç nuk kam dashur askënd para teje, e tash të erdhi caktimi i Allahut siç e sheh; te kush më këshillon të shkoj? Çfarë më urdhëron të bëj? Ai më tha: O biri im, pasha Allahun, sot nuk njoh njeri që të ndjekë atë që kam ndjekur unë. Njerëzit janë shkatërruar, ata kanë ndryshuar dhe kanë braktisur shumicën e asaj që ndiqnin, përveç një burri në Mosul. Ai është filani dhe ai ndjek atë që kam ndjekur, kështu që shko dhe bashkohu me të. Kur ai vdiq dhe u varros, unë shkova tek ai në Mosul. I thashë: O filan, kur vdiq filani më këshilloi të vija tek ti dhe më tha se ti ndjek rrugën që ai ndoqi. Ai më tha: Qëndro me mua. Kështu qëndrova me të dhe e gjeta njeri të mirë që ndiqte të njëjtën gjë që kishte ndjekur shoku i tij. Por shumë shpejt edhe ai vdiq.

Kur ai po vdiste i thashë: O filan, ti e di se filani më këshilloi të vij tek ti dhe më tha të bashkohesha me ty, por tani të ka ardhur nga Allahu ajo që shikon. Tek kush më këshillon të shkoj pas teje? Çfarë më urdhëron të bëj? Ai tha: O biri im, pasha Allahun, unë nuk njoh asnjë që ndjek atë që ne e ndoqëm përveç një burri në Nesajib. Ai është filani, shko tek ai. Kur ai vdiq dhe u varros unë shkova tek njeriu në Nesajib.

Kur shkova tek ai dhe i tregova historinë time dhe atë që shoku im më kishte thënë të bëja, më tha: Qëndro me mua. Kështu unë qëndrova me të dhe e gjeta se ishte ndjekës i njëjtë si dy shokët e tij, dhe kështu qëndrova me një njeri të mirë. Pasha Allahun, shpejt i erdhi vdekja por kur po vdiste i thashë: O filan, ti e di se filani më këshilloi të shkoja tek filani e atëherë ky më këshilloi të vija tek ti. Tek kush më këshillon të shkoj pas teje dhe çfarë më urdhëron të bëj? Ai tha: O biri im, pasha Allahun, unë nuk di të ketë mbetur ndonjë që ndjek rrugën tonë dhe për të cilin mund t’ju them të shkoni përveç një burri në Amurije. Ai ndjek diçka si ajo që ndoqëm ne. Nëse dëshiron shko tek ai sepse ai ndjek rrugën tonë. Kur ai vdiq dhe u varros, unë shkova tek njeriu në Amurije dhe i tregova historinë time. Ai tha: Qëndro me mua.

Kështu që qëndrova me një njeri që ndiqte të njëjtën rrugë si shokët e tij. Unë fitova pasuri dhe arrita të kisha disa lopë dhe dele, pastaj atij i erdhi vendimi i Allahut. Kur po vdiste i thashë: O filan, unë isha me filanin dhe filani më tha të shkoja tek filani; pastaj ky më tha të shkoja te filani; pastaj ky i fundit më tha të vija tek ti. Tek kush më këshillon të shkoj dhe çfarë më urdhëron të bëj? Ai tha: O biri im, pasha Allahun, unë nuk njoh ndonjë që ndjek rrugën tonë tek i cili mund të të këshilloj të shkosh. Por ka ardhur koha e shfaqjes së një Profeti i cili do të dërgohet me fenë e Ibrahimit. Ai do të shfaqet në tokën e Arabëve dhe do të shpërngulet në një vend midis dy harrave (fushave lave – tokë me shkëmbinj të zinj), midis të cilave ka palma. Ai do të ketë karakteristika që nuk do të fshihen. Ai do të hajë nga ajo që jepet si dhuratë por nuk do të hajë nga ajo që jepet si sadaka. Në mes të shpatullave të tij është vula e profetësisë. Nëse mund të shkosh në atë tokë atëherë bëje.

Pastaj ai vdiq dhe u varros, dhe unë qëndrova në Amurije sa deshi Allahu të qëndroja, pastaj kaluan pranë meje disa tregtarë të Kelbit (fis arab) dhe u thashë atyre: A do të më çoni në vendin e Arabëve dhe do t’iu jap lopët dhe delet e mia? Ata thanë: Po. Kështu unë u dhashë lopët dhe delet dhe ata më çuan atje, por kur më sollën në Uadi el-Kura më bënë padrejtësi dhe më shitën si skllav tek një Hebre. Kur isha me të pashë palmat dhe shpresoja se kjo ishte toka që më kishte përshkruar shoku im, por nuk isha i sigurt. Ndërsa unë isha me të, një kushëri i tij nga Benu Kurejdha erdhi tek ai nga Medina dhe ai më shiti tek kushëriri i tij i cili më mori me vete në Medine.

Pasha Allahun, sapo e pashë e njoha nga përshkrimi që më kishte bërë shoku im (murgu). Unë qëndrova atje dhe Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij i cili qëndroi në Mekë për aq kohë sa qëndroi, dhe gjatë asaj kohe nuk dëgjova asgjë për të sepse isha shumë i zënë me punët që bën skllavi. Pastaj ai u shpërngul në Medine. Ndërkaq unë isha në majë të një palme që i përkiste zotërisë tim duke bërë disa punë në të, dhe zotëria im ishte ulur poshtë saj. Aty erdhi një kushëri i tij, i qëndroi pranë dhe i tha: Allahu i vraftë Benu Kajlet! Pasha Allahun, tani ata po mblidhen në Kuba për të pritur një burrë që ka ardhur sot nga Meka, dhe thonë se ai është Pejgamber.

Kur e dëgjova këtë fillova të dridhesha aq shumë sa mendova se do të bie mbi zotërinë tim. Zbrita nga pema dhe fillova t’i them kushëririt të tij: Çfarë po thua, çfarë po thua? Mjeshtri im u inatos dhe më goditi duke më thënë: Ç’lidhje ka me ty? Kthehu në punën tënde! Unë i thashë: Asgjë, thjesht doja të sigurohesha se çfarë po thoshte. Unë kisha diçka që e kisha mbledhur, dhe kur erdhi mbrëmja shkova te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kur ishte në Kuba dhe hyra tek ai. Pastaj i thashë: Kam dëgjuar se je njeri i drejtë dhe se ke shokë që kanë ardhur në vend tv huaj dhe janë në nevojë.

Kjo është diçka që duhet ta jap si bamirësi dhe shoh që ju keni më shumë nevojë se kushdo tjetër. Ia afrova dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u tha shokëve të tij: “Hani”, – por ai vetë nuk hëngri. Thashë me vete: Kjo është njëra. Pastaj u largova dhe mblodha diçka tjetër. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u zhvendos në Medine, pastaj shkova tek ai dhe i thashë: E shoh që ju nuk e hani (ushqimin e dhënë) sadaka; atëherë kjo është një dhuratë me të cilën dëshiroj t’ju nderoj. I Dërguari i Allahut hëngri pak dhe u tha shokëve të tij të hanin edhe ata. Thashë me vete: Kjo është e dyta. Pastaj erdha te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ai ishte në Bakiul-Garkad, ku kishte marrë pjesë në varrimin e njërit prej shokëve të tij, kishte veshur dy shalle dhe ishte ulur në mesin e shokëve të tij. E përshëndeta me selam dhe u zhvendosa pas tij duke u përpjekur t’i shikoja shpinën për të parë vulën që ma kishte përshkruar shoku im (murgu).

Kur i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) më pa duke shkuar pas tij, ai e kuptoi se po përpiqesha të gjeja vërtetimin e diçkaje që më ishte përshkruar, kështu që e la rrobën e tij të bjerë nga shpina dhe unë pashë vulën dhe e njoha. Pastaj e përqafova duke e puthur (vulën) dhe duke qarë, dhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) më tha: “Kthehu”. Kështu që u ktheva dhe i tregova atij historinë time ashtu siç po ta tregoj ty o Ibn Abas. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) deshi që shokët e tij ta dëgjonin këtë.

Pastaj Selmani u mbajt i angazhuar me punët e një skllavi ndaj dhe kishte munguar në Bedr dhe Uhud me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai tha: Pastaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) më tha: “Përfundoje një kontratë lirimi o Selman”. Kështu që unë përpilova një kontratë të marrjes së lirisë me zotërinë tim në këmbim të treqind palmave që do t’i mbillja dhe dyzet ukijeve me ar. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u tha shokëve të tij: “Ndihmojeni vëllain tuaj”. Kështu ata më ndihmuan me palmat, njëri dha tridhjetë pemë të vogla, tjetri dha njëzet, tjetri dha pesëmbëdhjetë, dhe tjetri dha dhjetë, d.m.th. secili dha sipas asaj që kishte derisa u mblodhën treqind pemë të vogla për mua.

Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) më tha: “Shko o Selman, gërmoi gropat ku do të mbillen. Kur të kesh mbaruar eja tek unë dhe unë do t’i mbjell me dorën time”. Kështu unë hapa gropat dhe shokët e mi më ndihmuan, pastaj kur mbarova erdha tek ai dhe ia tregova. I Dërguari i Allahut doli me mua dhe filluam t’i afronim pemët, ndërsa i Dërguari i Allahut i mbolli ato me dorën e tij. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Selmanit, asnjë pemë e vetme prej tyre nuk u tha. Deri tani unë i kisha paguar pemët, por mbetën ende paratë. Një copë ari sa një vezë i’u soll të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga një prej fushatave të tij. Ai tha: “Çfarë ndodhi me Persianin që kishte një kontratë lirimi nga skllavëria?” Unë u thirra tek ai dhe ai tha: “Merre këtë o Selman dhe paguaje atë që ke borxh. I thashë: Si mund ta shlyejë kjo gjithë atë borxh që kam o i Dërguar i Allahut? Ai tha: “Merre dhe Allahu do të të ndihmojë ta shlyesh borxhin”. Kështu e mora dhe e peshova atë për zotërinë tim, dhe pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Selmanit ishin dyzet ukija, kështu që ua pagova detyrimet e tyre dhe u lirova. Unë pastaj prezantova me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në Hendek dhe pas kësaj nuk humba asnjë ngjarje të madhe me të.

Transmeton Ahmedi në Musned (5/441). Dijetarët e hadithit kanë thënë se zinxhiri i këtij hadithi është hasen (i mirë).

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...