Populli Themud, i emërtuar ndryshe si Adi i mbramë, jetonte në Hixhr[1] dhe në zonat përreth. Ata zotëronin bagëti të shumta dhe njiheshin për bujqësi. Mirësitë e Zotit u vinin pandërprerë. Luginat i përdornin për të ndërtuar kështjella të zbukuruara, ndërsa malet i gdhendnin me preçizitet dhe i kthenin në shtëpi banimi.
Të gjitha këto mirësi ata i refuzuan dhe i mohuan (të jenë nga Allahu) dhe adhuruan të tjerë në vend të Tij. Për këtë arsye, Allahu dërgoi vëllain e tyre Salihun i cili rridhte prej atij fisi dhe e njihnin shumë mirë prejardhjen dhe trungun e tij familjar. I dinin vlerat e tij, përsosmërinë e moralit, sinqeritetin dhe mbajtjen e amanetit.
Salihu alejhi selam i ftoi për tek Allahu, i ftoi që fenë t’ia kushtonin vetëm Atij dhe të braktisnin idhujt që i adhuronin në vend të Allahut. Ai u kujtoi mirësitë e vazhdueshme dhe brezat e popujve që kishin jetuar aty pranë, por shumë pak e ndoqën.
Në momentin kur i këshilloi u dha fakte dhe prova që pohojnë obligueshmërinë e njësimit të Allahut (në adhurim), por kjo i bëri të ndiheshin keq, madje u larguan dhe treguan mendjemadhësi duke thënë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale). | Hud: 62.
D.m.th. ne prisnim se do të ishe më i miri në mesin tonë për shkak se tek ti buronin moralet e plota dhe sjelljet më të mira.[2]
Ata i pohuan cilësitë e Salihut para se ai të ftonte në atë që do ftonte, dhe nuk patën ndonjë arsye tjetër ta shihin me syrin e përçmimit veç faktit se ai i ftoi të adhuronin Krijuesin në vend që të adhuronin krijesat, dhe të gëzonin lumturinë e amshueshme. Faji i tij ishte se kundërshtoi baballarët e tyre të humbur ndërkohë që pasardhësit ishin edhe më të humbur se ata!
Më pas ai u solli një provë madhështore, një argument mahnitës dhe një mirësi e cila do vlente për gjithë fisin Themud. Ai u tha: “Kjo është deveja e Allahut” e cila nuk ngjan me asnjë deve tjetër në qënien, vlerën dhe dobitë e saj. “Shenjë e qartë për ju” që pohon siqeritetin tim dhe mëshirën e gjerë të Zotit tuaj!
“Prandaj lëreni të kullosë në tokën e Allahut.” | Hud: 64.
Allahut i përket furnizimi i kësaj deveje, ndërsa juve përfitimi nga dobitë e saj. Ajo pinte ujë në njërën ditë ndërsa i gjithë fisi shkonte dhe përfitonte nga qumështi i saj, dhe gjithsecili mbushte enët me qumështin e saj. Secilën ditë pinin me radhë nga burimi dhe kështu ecën gjërat derisa deshi Zoti i Lartësuar.
Në qytetin e tyre ishin nëntë veta prej shejtanëve-njerëz që refuzonin në mënyrë të prerë atë që solli Salihu, dhe me këtë i pengonin njerëzit nga rruga e Allahut: “Në qytet kishin qenë nëntë veta që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull.” | En Neml: 48.
Kohë më parë Salihu alejhi selam ua kishte tërhequr vërejtjen nga therja e devesë, sidomos kur kishte parë mendjemadhësinë dhe refuzimin e të vërtetës nga ana e tyre. E megjithatë të parën gjë që vendosën këta dashakeqë ishte organizimi i një tubimi nga ku do të binin dakort për therjen e devesë, dhe kështu ndodhi.
Therjen e devesë e morën përsipër njerëzit më të këqinj. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë).” | Esh Shems: 12. D.m.th. pasi ranë dakort dhe i caktuan detyrën e dërguan me këtë mision.
Ai u ngirt me të shpejtë, u përgatit mirë dhe mori përsipër therjen e saj, ndërsa ata të gjithë ishin të kënaqur, madje e urdhëruan për këtë veprim. Po, ai e theri devenë por ky do të ishte alarmi që tashmë lejonte shkatërimin e plotë të këtij populli.
Salihu alejhi selam kur e ndjeu (se dënimi po afrohej) pa se diçka e tmerrshme do të ndodhte dhe se dënimi ishte i pashmangshëm, sepse krimi (që kishin bërë) kishte kaluar çdo kufi dhe nuk kishte mbetur asnjë mënyrë që të përmirësonte gjendjen e tyre. Pas gjithë kësaj Salihu u tha: “Jetoni në shtëpitë tuaja edhe tri ditë! Ky është premtimi i vërtetë.” | Hud: 65. Me këto fjalë ai u solli ndërmend dënimin, si atyre që jetonin afër dhe atyre që jetonin më larg.
Gjatë këtij afati tre ditor ata nëntë persona u mblodhën dhe ranë dakort për të kryer një vepër më të llahtarshme dhe më të frikshme se therja e devesë! Ata vendosën të vrisnin profetin e tyre Salihun! Ata u zotuan, dhanë besën dhe u betuan me betimet më të forta dhe e mbajtën të fshehur qëllimin e tyre nga frika se do t’i pengonte fisi i Salihut, sepse ai i përkiste një familjeje dinjitoze, krenare dhe të ndershme.
Ata thanë: “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij.” | En Neml: 49. Nëse ata mendojnë se ne e kemi vrarë, u betohemi para të afërmve të tij: “Ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe po themi të vërtetën.” | En Neml: 49.
Ata e organizuan këtë kurth të madh, por nga njëra anë ata bënin kurthe ndërsa Allahu bënte kurthe në favor të Salihut alejhi selam.
Kur u fshehën në rrëzë të malit duke pritur rastin e volitshëm për të vrarë Salihun, Allahu e filloi dënimin e tyre për të qenë ata të parët që do t’iu prijnë popullit të tyre në zjarrin e xhehenemit.
Allahu çoi një shkëmb nga maja e malit i cili i zuri poshtë, dhe ata u vranë në mënyrën më të keqe.
Kur u plotësuan ditët, atyre u erdhi një britmë e madhe nga lart dhe një tronditje e fortë nga poshtë dhe kështu u gdhinë të ngujuar. Allahu e shpëtoi Salihun alejhi selam dhe ata që besuan bashkë me të.
“Ai u largua prej tyre dhe tha: O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!” | El Arafë: 93. [3]
Dobi dhë mësime të përfituara nga historia e Salihut alejhi selam.
1- Të gjithë Pejgamberët kanë ftuar në një thirrje! Ai që përgënjeshtron njërin prej tyre i ka përgënjeshtruar të gjithë, sepse ai përgënjeshtron të vërtetën që solli gjithsecili prej tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar në çdo ndodhi ku flet për Pejgamberët thotë: “Populli i Nuhut i quante gënjeshtarë të dërguarit.” “Fisi Ad i quante gënjeshtarë të dërguarit.” “Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të dërguarit.” | Esh Shuara: 105, 123, 141.
2- Ndëshkimet e Zotit ndaj popujve kryeneçë kanë ndodhur kur ata kishin arritur kulmin e tiranisë dhe kufirin maksimal të krimit. Mohimi dhe përgënjeshtrimi i tyre solli shkatërrimin, por ky dënim u bë i patjetërsueshëm atëherë kur e keqja kishte arritur kulmin. Për këtë arsye, moment më shpresdhënës që tregon bindshëm afrimin e ndëshkimit të zullumqarëve dhe kriminelëve është kur e keqja e tyre arrin kulmin. Allahu u qëndron në pritë, u jep afat dhe përsëri u jep afat. Por kur i merr me ndëshkim, i merr siç i ka hije Krenarit dhe të Plotfuqishmit.
3- Besimet e kota që janë ngulitur tek njerëzit dhe që janë trashëguar nga njerëz që mendimi për ta përgjithësisht është i mirë, si p.sh. baballarët etj. këto konsiderohen prej pengesave më të mëdha në pranimin e së vërtetës. Gjendja është e tillë se ata nuk janë as me realitetin dhe as me faktet, dhe nuk zënë asnjë vend në argumentimet e sakta që pohojnë të vërtetën. Pengesa më e madhe që e bëri popullin e Salihut të kundërshtonte thirrjen e tij, ishte: “A mos vallë po na ndalon të adhurojmë ata që kanë adhuruar prindërit tanë?” | Hud: 62.
Madje të gjithë popujt përgënjeshtrues që e refuzuan të vërtetën dhe thirrjen e profetëve, shpreheshin me këto fjalë: “Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre”. | Ez Zuhruf: 23.
Kjo rrugë akoma vazhdon të ndiqet nga ndjekësit e së kotës, rrugë të cilën e kanë skicuar shejtanët për t’i larguar njerëzit nga rruga e Allahut. Por është fakt se rruga e profetëve është rruga e udhëzimit dhe e së vërtetës, e çfarë ka pas të vërtetës përveç humbjes?
Marrë nga libri: “Historitë e profetëve”.
Autor: Abdurrahman es Seadi
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————————————–
[1] Zonë në veri të Arabisë Saudite.
[2] Hafidh ibën Kethiri në komentin e fjalës së Allahut që thotë: “Ata thanë: O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale).” | Hud: 62. Thotë: D.m.th. Ne shpresonim që logjika jote të ishte më e plotë para se të na i thoje këto fjalë. Kjo aludon në thirrjen që ti na bën në njësimin e adhurimit dhe në braktisjen e idhujve që adhurojmë, si dhe të largohemi nga feja e baballarëve dhe gjyshërve. Për më tepër thanë: “A mos vallë po na ndalon të adhurojmë ata që kanë adhuruar prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në mëdyshje për thirrjen tënde.” | Hud: 62. “El bidaje uen nihaje” 1/133.
[3] Tregon për profetin e Allahut Salihun se ai i foli popullit pasi që ishin zhdukur, ndërkohë që kishte zënë vendet e tyre, duke u thënë: “Ai u largua prej tyre dhe tha: O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe u këshillova, por ju nuk i doni ata që këshillojnë.” | El Arafë: 79. D.m.th. u përpoqa shumë që t’iu udhëzoja me çfarë kisha mundësi dhe tregova kujdes për këtë me fjalë, me vepra dhe nijet: “Por ju nuk i doni ata që këshillojnë!” Pra natyra juaj nuk e pranonte të vërtetën e as që e donte atë, prandaj arritët deri në këtë dënim të dhembshëm i cili nuk ka për tu ndërprerë ndaj jush deri në pafundësi. Unë nuk kisha asnjë lloj mundësie e as nuk munda të largoja nga ju përveç asaj që kisha për detyrë në kumtimin e shpalljes dhe këshillës ndaj jush, gjë të cilën e kam bërë, por Allahu vepron çfarë të dojë. Në këtë formë edhe profeti i Allahut (Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) u qe drejtuar të vrarëve në pusin e Kalibit pas betejës së Bedrit. “Pas tri netëve ai qëndroi aty, i thirri në emrat e tyre dhe të baballarëve të tyre duk u thënë: A e gjetët atë që u kishte premtuar Zoti juaj? Pastaj tha: Ata në këtë moment dëgjojnë atë që u them.” Për më tepër shih librin “El bidaje uen nihaje” 1/137-138.
Dosje: Profeti