Iblisi në origjinë është xhin apo engjëll?

March 5, 2022

Iblisi në origjinë është xhin apo engjëll?

Falënderimi i takon Allahut!

Iblisi, Allahu e mallkoftë, është prej xhinëve. Ai nuk ka qenë ndonjëherë engjëll as edhe për një çast të vetëm. Engjëjt u krijuan fisnikë dhe kurrë nuk e kundërshtojnë Allahun kur Ai i urdhëron të bëjnë diçka, dhe gjithmonë bëjnë atë që urdhërohen. Kjo tregohet qartë në tekstet kuranore të cilat tregojnë se Iblisi është prej xhinëve dhe jo prej engjëjve. Këto tekste përfshijnë sa vijon:

  1. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe (kujtoni) kur u thamë engjëjve: ‘Bëni sexhde për Ademin.’ Kështu ata bënë sexhde përveç Iblisit (shejtanit). Ai ishte prej xhinëve dhe nuk iu bind urdhërit të Zotit të tij. A do ta merrni atë (Iblisin) dhe pasardhësit e tij për mbrojtës dhe ndihmës e jo Mua, ndërkohë që ata janë armiq për ju? Sa i keq është shkëmbimi me zullumqarët (politeistët, keqbërësit etj.).” | 18: 50 |
  2. Allahu tha se Ai i krijoi xhindët nga zjarri, siç thotë në Kuran: “Dhe xhinët Ne i krijuam më parë nga flaka e zjarrit pa tym.” | 15: 27 |

“Dhe xhinët i krijoi nga një flakë zjarri pa tym.” | 55: 15 |

Në një hadith të saktë autentik transmetohet nga Aishja se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Engjëjt janë krijuar nga drita, xhindët janë krijuar nga zjarri pa tym, dhe Ademi është krijuar nga ajo që është përshkruar për ju.” Transmeton Muslimi, Ahmedi, Bejhakiu dhe Ibën Hibani.

Pra, një nga cilësitë e engjëjve është se ata janë krijuar nga drita kurse xhindët janë krijuar nga zjarri. Është përmendur në Kuran se Iblisi, Allahu e mallkoftë, është krijuar nga zjarri. Kështu tha vetë Iblisi kur Allahu i Madhëruar e pyeti për arsyen e refuzimit të tij për t’i bërë sexhde Ademit, në momentin kur Allahu e urdhëroi atë. Ai, Allahu e mallkoftë, tha: “Unë jam më i mirë se ai (Ademi); më krijove mua nga zjarri kurse atë nga balta.” | 7: 12, 38: 76 | Kjo tregon se ai ishte prej xhinëve.

  1. Allahu i ka përshkruar engjëjt në librin e Tij duke thënë: “O ju që besuat! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri (Xhehenemi) lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Mbi të janë caktuar engjëj të ashpër (dhe) të fortë, të cilët nuk e kundërshtojnë urdhërin që marrin nga Allahu por veprojnë siç janë të urdhëruar.” | 66: 6 |

“Ata thonë: ‘I Gjithëmëshirshmi ka për Vete një bir (prej engjëjve).’ Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar! Jo, ata (engjëjt) janë robër të nderuar. Ata nuk flasin para (fjalës së) Tij dhe veprojnë me urdhërin e Tij.” | 21: 26-27 |

“Allahut i përulet në sexhde çdo gjallesë në qiej dhe në tokë, edhe engjëjt të cilët nuk janë kryelartë. Ata i frikësohen Zotit të tyre lart mbi ta dhe bëjnë atë që u urdhërohet.” | 16: 49-50 |

Pra, nuk është e mundur që engjëjt të mos i binden Zotit të tyre, sepse ata janë të mbrojtur nga mëkati dhe janë të prirur natyrshëm t’i binden Atij.

  1. Fakti që Iblisi nuk është prej engjëjve do të thotë se ai nuk është i detyruar t’i bindet Allahut. Ai ka lirinë e vullnetit ashtu si ne njerëzit. Allahu i madhëruar thotë: “Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë që ai të jetë mirënjohës ose mosmirënjohës.” | 76: 3 |

Në mesin e xhinëve ka muslimanë dhe jomuslimanë. Në Suren ‘El Xhin’ Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (o Muhamed): Mua më është shpallur se disa prej xhinëve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: Me të vërtetë kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!” | 72: 1-2 |

Në të njëjtën sure thuhet se xhinët thanë: “Posa dëgjuam udhëzimin (Kuranin) Ne besuam në të. Kush beson në Zotin e vet nuk ka përse të frikësohet se mos dëmtohet e as se mos i bëhet padrejtësi. Ka prej nesh që janë myslimanë por ka edhe të atillë që janë jobesimtarë. Kush ka përqafuar Islamin ka zgjedhur rrugën e drejtë.” | 72: 13-14 |

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në tefsirin e tij transmeton se Hasen el-Basriu ka thënë: Iblisi nuk ishte prej engjëjve as edhe për një moment të vetëm. Ai është babai i xhinëve sikurse Ademi është babai i njerëzimit. Këtë e ka transmetuar Taberiu me zinxhir të saktë.

Disa nga dijetarët thanë se Iblisi ishte prej engjëjve, madje se ai ishte palloi i engjëjve dhe se ai ishte njëri prej engjëjve që u përpoq shumë në adhurim. Në transmetime të tjera shumica e të cilave vijnë nga tregimet dhe transmetimet Israilijate, disa prej tyre kundërshtojnë tekstet e qarta të Kuranit.

Ibën Kethiri duke e shpjeguar këtë thotë: Shumë prej këtyre tregimeve janë transmetuar nga selefët (paraardhësit e devotshëm), dhe shumica e tyre vijnë nga Izraelitët të cilat mund të jenë transmetuar vetëm për t’u diskutuar. Allahu e di më së miri vërtetësinë e shumë prej këtyre transmetimeve. Disa prej tyre duhet të refuzohen patjetër sepse janë kundër të vërtetës që ne mbajmë në duart tona.

Në Kuran kemi atë që është e mjaftueshme të mos kemi nevojë për transmetime të mëparshme, sepse vështirë se ndonjë prej tyre është pa shtrembërime apo me gjëra të shtuara dhe të hequra. Shumë gjëra janë trilluar në to, sepse ata nuk kishin njerëz që i kishin mësuar përmendësh e që të mundnin të eleminonin shtrembërimet e krijuara nga ekstremistët apo trilluesit. Ndryshe nga ky umet (islam) që ka; imamët,  dijetarët, njerëzit e devotshëm dhe të drejtë, kritikë të shkëlqyer dhe njerëz me memorie të shkëlqyeshme, të cilët i shënuan hadithet dhe i klasifikuan ato duke deklaruar nëse ishin të saktë, të mirë, të dobët, të sajuar apo të injoruar.

Ata i identifikuan trilluesit dhe gënjeshtarët, ata për të cilët nuk dihej asgjë dhe transmetuesit e tjerë. E gjithë kjo i siguroi mbrojtje haditheve të Profetit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, vulës së pejgamberëve dhe udhëheqësit të njerëzimit. Kjo në mënyrë që të mos i mvishej asgjë e rreme dhe të mos transmetohej prej tij asgjë që ai nuk e kishte thënë apo nuk e kishte bërë. Allahu qoftë i kënaqur me këta dijetarë dhe i bëftë të kënaqur, e bëftë xhenetin e Firdeusit vendbanimin e tyre të përjetshëm!

“Tefsir Ibën Kethir”.

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...