Zemra e pastër

February 15, 2011

Imam Ibën Kajimi në librin e tij “Ed-da ue ed-deua” fq. 282 thotë: Mos mendo se fjala e Allahut të Lartësuar është e veçantë vetëm për botën tjetër: “Me të vërtetë të devotshmit janë në mirësi dhe keqbërësit janë në zjarr.” | El Infitar: 13-14. Përkundrazi, ata janë në mirësi në të tre vendbanimet e tyre (në dynja, në varr dhe në ahiret) si dhe ata të tjerët janë në zjarr në të tri vendbanimet e tyre.

E ku ka më mirësi në dynja se sa devotshmëria e zemrës, qetësia e shpirtit, njohja e Zotit të Lartësuar, dashuria e Tij, dhe të punosh ashtu siç do Ai?! A ka jetë në realitet veç jetës së zemrës së pastër?!

Allahu i Lartësuar e ka lavdëruar të dashurin e Tij Ibrahimin për zemrën e pastër të tij, ku thotë: “Dhe prej pasuesve të tij është Ibrahimi kur i erdhi Zotit të tij me zemër të pastër.” | Es Safat: 83-84. Dhe: “Ditën që nuk bën dobi as pasuria e as fëmija, veç atij që vjen me zemër të pastër.” | Esh Shuara: 88-89.

Zemra e pastër është ajo zemër e cila është e pa cënuar nga shirku, smira, urrejtja, kopracia, mendjemadhësia, dashuria pas dynjasë dhe postit. Ajo është e pa cënueshme nga çdo gjë që të largon nga Allahu, nga çdo dyshim që kundërshton lajmin e Tij, nga çdo epsh që kundërshton urdhrin e tij, nga çdo dëshirë që bie ndesh me dëshirën e Tij, si dhe nga çdo ndarje që e ndan atë prej Allahut.

Kjo është zemra e pastër e cila është në xhenetin e dynjasë, dhe do të jetë në xhenet në varr dhe në botën tjetër.

Zemrës nuk i plotësohet pastërtia derisa ajo të shpëtojë prej pesë gjërave:

1-      Prej shirkut i cili kundërshton teuhidin.

2-      Prej bidatit i cili kundërshton sunetin.

3-      Prej epshit i cili kundërshton urdhërin.

4-      Prej hutimit që kundërshton përkujtimin.

5-      Prej nefsit i cili kundërshton sinqeritetin.

Këto të pesta bëjnë që të ketë pengesë mes teje dhe Allahut, dhe nën secilën prej tyre ka gjëra të lloj-llojshme e të panumërta.

Prandaj është shumë e rëndësishme, madje e domosdoshme që robi t’i kërkojë Allahut që ta forcojë atë dhe ta udhëzojë në rrugën e drejtë. Robi nuk është nevojtar për diçka tjetër sa është nevojtar për këtë lutje, dhe nuk ka diçka më dobiprurëse se ajo.

Përktheu: Abdurrahman Rama

Dosje:

Loading...