Thotë Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë:
“Të dashurit e Allahut (evlijatë) janë dy nivele: Të përparuar të afruar (tek Allahu) dhe të djathtë mesatarë…. (pastaj argumentohet me ajete nga surja Uakiah ku thotë i Lartësuari: ) “Dhe do të jeni tre grupe.” (Të përparuar, të djathtë dhe të majtë)… dhe thotë i Lartësuari në suren Insan: … “Të devotshmit do të pijnë nga gota përzierja e të cilave është kafur (bimë që ka aromë të këndshme dhe freski). Burim nga i cili pijnë robërit e Allahut dhe e bëjnë të shpërthejë atje ku duan (e bëjnë të rrjedhë atje ku dëshirojnë ata)…. dhe thotë në suren Mutaffifiin: … “Të devotshmit janë në begati. Të mbështetur në kolltukë sodisin (mbretërinë e tyre dhe shikojnë Fytyrën e Allahut). Në fytyrat e tyre e shikon bukurinë e begatisë (dhe të lumturisë). U shërbehet dhe u jepet të pijnë nga nektari i vulosur (vera e Xhennetit), i cili në fund të lë shijen e aromës së miskut, për këtë le të garojnë garuesit. Dhe përzierja e tij është prej ‘tesnimit’ (ajo është pija më e këndshme e banorëve të Xhennetit dhe më e përsosura).”
Nga Ibni Abbasi dhe të tjerë prej selefit përcillet se kanë thënë: “Përzihet për të djathtët ndërsa të përparuarit e pinë ashtu siç është (të papërzier).” ….
Të gjitha punët e tyre ishin adhurime për Allahun prandaj pijnë (prej tesnimit) ashtu siç është, i papërzier, ashtu siç ishin adhurimet e tyre të papërziera, vetëm për Allahun. Ndërsa mesatarët kishte në punët e tyre pjesë për vetet e tyre, për ato nuk ndëshkohen e as nuk shpërblehen , por nuk pijnë (prej tesnimit) të papërzier, por përzihet pija e tyre me diçka nga pija e të përparuarve aq sa ata e përzien (punën e tyre) në dynja.
Dhe e ngjashme me këtë është edhe ndarja e Profetëve – paqja qoftë mbi ta – në: rob i Dërguar, dhe Profet mbret. Dhe Allahu i Lartësuar i parashtroi Muhamedit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, të zgjidhte të ishte: rob i Dërguar apo Profet mbret, e ai zgjodhi (sh.p.: pas një shikimi pyetës drejtuar Xhibrilit dhe bërjes me shenjë nga ana e tij: ‘Bëhu i thjeshtë!’) ai zgjodhi të ishte rob i Dërguar.
Profeti mbret si puna e Daudit dhe Sulejmanit dhe të ngjashmit me ta – paqja dhe lavdërimi qoftë mbi ta. Tha Allahu për Sulejmanin: … “Kjo është ajo që Ne të kemi dhënë, e ti jep apo mbaj (mos jep) pa llogari” (Sad: 39). Dmth: Jepi kujt të duash dhe mos i jep atij që të duash, nuk do të llogaritesh. Kështu, Profeti bën atë që Allahu ja ka obliguar dhe largohet nga ajo që Allahu ja ka ndaluar dhe sillet në pushtetin dhe pasurinë e tij ashtu siç dëshiron dhe zgjedh, pa pasur gjynah.
Ndërsa robi i Dërguar nuk i jep askujt veçse me urdhër nga Zoti i Tij dhe nuk i jep atij që ai do dhe ta pengojë nga ai që nuk do, por është transmetuar prej tij se ka thënë: “Unë pasha Allahun, nuk i jap askujt e as nuk ja pengoj askujt, unë vetëm shpërndaj, e vendos atje ku jam urdhëruar” (Bukhari: 3117)…
Ajo që është për qëllim këtu është se: robi i Dërguar është më i mirë se Profeti mbret. Ashtu siç Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhamedi – paqja dhe lavdërimi qoftë mbi ta – janë më të mirë se Jusufi, Daudi dhe Sulejmani – paqja qoftë mbi ta, ashtu siç të afruarit (tek Allahu), të përparuarit, janë më të mirë se të devotshmit, të djathtët, të cilët s’janë të afruar, të përparuar. Prandaj ai që zbaton ato që ja ka bërë obligim Allahu dhe vepron prej të lejuarave ato që ai do, është prej atyre (te djathtëve). Ndërsa ai që vepron ato gjëra që Allahu i do dhe kënaqet me to dhe, vepron ato që i ka të lejuara me synimin që të ndihmohet me to për të zbatuar ato që i ka urdhëruar Allahu, ai është nga ata (të përparuarit).”
“Mexhmuul fetaua”/vëll. 11/fq. 99-103, me shkurtime dhe tefsir ajetesh (në kllapa) prej Ibn Kethirit.
Të Ngjashme
- Shtoje bujarinë në muajin e begatë të Ramazanit! Udha e Besimtarëve
- Lexoje Kuranin, librin e Allahut! Udha e Besimtarëve
- Kurani qetëson zemrën dhe vendos sigurinë Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Qëndrimi i Ehli Sunetit në lidhje për atë që bën gjynahe të mëdha Shejh Abduselam Berxhes
- Dobitë e njohjes së Kuranit të zbritur në Meke dhe atij të zbritur në Medine Udha e Besimtarëve