Sa i përket medhhebit të imam Ahmed ibn Hanbel, Ebu Abdullahut Ahmed ibn Hanbel, duhet të dimë se ai e urrente të shkruarit e diturisë dhe thoshte: “Mos e shkruani diturinë!”
Ai e urrente gjithashtu që dikush ta ndiqte. Kur dilte nga xhamia nuk dëshironte që dikush ta ndiqte nga pas, dhe thoshte: Mos më shoqëroni!
Këtë ai e bëntë për shkak të devocionit, sinqeritetit dhe frikës që të tjerët ta ndiqnin në mendimet e tij. Ebu Hanife e refuzoi postin e gjykatësit, andaj Allahu e sprovoi me burg dhe vdiq në burg për shkak të kësaj, pra nga frika që kishte nga posti i gjykatësit.
Ai nuk dëshironte të ishte gjykatës tek abasitët, madje nuk donte të ishte fare gjykatës nga frika prej pozitës së gjykatësit. Por Allahu caktoi që shteti abasid të mbështetej në çështjet gjyqësore tek hanefitë.
Shafiu, Allahu e mëshiroftë, pati jetë të shkurtër krahasuar me të tjerët, por emri i tij u përhap në gjithë botën.
Imam Maliku nuk kishte udhëtuar asnjëherë në Medine dhe nuk kërkonte që njerëzit të vinin tek ai, por megjithatë medhhebi i tij u përhap në gjysmën e botës islame.
Imam Ahmedi nuk e pëlqente që të uleshin shumë njerëz tek ai apo që dikush ta ndiqte, apo të shkruante mendimet e tij në fikh.
Ai u përgjigjej vetëm nxënësve të tij të zgjedhur të cilët ishin të shumtë, e që i bënin pyetje dhe ai përgjigjej.
Por nuk u përgjigjej të gjitha pyetjeve siç e ka sqaruar shejhul-islam Ibn Tejmije.
Pra nuk ishin të gjjtha pyetje direkte. Ata e pyesnin për çështjet e dijetarëve të tjerë; njëri e pyeste për çështje të Is’hakut, tjetri për çështje të Evzaiut, i treti për çështje të Ebu Hanifes, i katërti për çështje të Shafiut, tjetri për çështje të Malikut e kështu me radhë edhe për çështjet e Lejthit.
Domethënë ata i mblodhën pyetjet me dinakëri nga imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë. Ndërsa ai (imam Ahmedi) kishte shkruar vetëm “Musnedin” dhe e donte shumë atë. Ai i donte dy libra të vetët: “Musnedin” dhe “Tefsirin”. Për “Musnedin” i tha djalit të tij Abdullahut: “O Abdullah, ruaje këtë musned sepse do të jetë udhëzues për njerëzit.”
Në musned nuk ka asgjë nga fjalët e tij por vetëm hadithe nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërsa tefsiri i tij ishte tefsiri i gjjthë Kuranit me fjalët e sahabëve dhe tabiinëve.
Ai e komentoi tërë Kuranin por sot nuk ekziston asnjë gjurmë nga tefsiri i tij.
Ibn Kajimi ka përcjellë prej tij disa pjesë në “Bedaiu el feuaid”, pra ka sjellë faqe të shumta. Edhe të tjerë kanë përcjellë gjithashtu prej këtij tefsiri dhe kjo është diçka e njohur.
Nxënësit e imam Ahmedit ishin të shumtë. Dija e tij u shpërnda tek nxënësit e tij dhe ishin më shumë se gjashtëdhjetë persona të cilët shënuan dhe regjistruan prej tij çështjet e fikhut.
Njëri prej këtyre nxënësve të nderuar që konsiderohet hafidh dhe i besueshëm dhe që duhet t’i jemi mirënjohës sepse ruajti diturinë e imam Ahmedit. Bëhet fjalë për El Hafidh, imamin Ebu Bekër el Khalal i cili shkroi librin “El xhami’”.
Në “El xhami’”, El- Khalal mblodhi çdo gjë që është transmetuar nga imam Ahmedi.
Ai udhëtoi në çdo vend ku përmendej se kishte shokë të imam Ahmedit, shkonte tek ta, dëgjonte prej tyre, merrte dhe regjistronte prej tyre dhe i ndante në kapituj.
Kështu njerëzit (hanbelitë) u bënë si fëmijë të tij, d.m.th. fëmijë shpirtëror ose të zemrës të El Khalalit për atë që mblodhi nga imam Ahmedi.
Imam Ebu Bekër el Khalal shkroi librin “El xhami’” dhe kishte një shërbëtor që e shoqëronte. Ai quhej Gulam el Khalal, emri i tij i vërtetë ishte Abdul-Aziz, një hafidh i besueshëm dhe dijetar i fikhut.
Ai e përmblodhi librin dhe solli një version të shkurtuar. Kjo përmbledhje ishte shumë e rëndësishme për hanbelitë në fillim të shekullit të katërt hixhrij.
Pas El Khalalit në historinë e hanbelive u shkruajtën dy libra, që të dy përmbledhje me emrin “El muhtesar” (Përmbledhja). Njëri ishte përmbledhja e AbdulAzizit, shërbëtorit të El Khalalit, dhe tjetri ishte përmbledhja e El Khiraki.
Sa i përket përmbledhjes së shërbëtorit të El Khalalit ajo u zhduk dhe nuk u bë e njohur, ndërsa përmbledhja e El Khirakit mbeti dhe vazhdoi aq sa deshi Allahu.
Përmbledhja e El Khirakit dhe përmbledhja e Gulam el Khalalit përmenden nga Ebu Jala në “Et-tabakat”. Ai thotë: Gulam el Khalal ka thënë se ai dhe El Khiraki kanë mospërputhje në gjashtëdhjetë çështje në përmbledhjet e tyre, pra në fillimet e shkrimit të fikhut hanbeli në dy përmbledhjet e famshme. Ka patur dallime edhe pse ishin përmbledhje të vogla. Gulam el Khalal thoshte: Ka dallime në 60 çështje.
El Hafidh ebu Ja’la në librin e tij “Et-tabakat”, në fillim të vëllimit të dytë thotë: “Unë i kam ndjekur këto çështje dhe i kam gjetur mospërputhjet mes tyre në 96 ose 98 çështje.” – dhe i përmendi ato një nga një.
Këto mund të mblidhen dhe të bëhet një tezë apo punim. Janë 98 çështje të mospërputhjes së hershme në transmetimin e mendimit të imam Ahmedit mes El Khirakit dhe El Khalalit në përmbledhjet e tyre. Kjo është një mospërputhje e hershme që të çon të mendosh në shumë arsye. Pse Ebu Ja’la i mblodhi të dy transmetimet dhe mendimet në medhheb? Pse ndodhën këto mospërputhje, dhe pse pati kaq shumë transmetime në mendimin e imam Ahmedit? Këto përgjigje i gjen tek libri “El insaf” i Merdavit.
Për arsyet mund të flasim herë tjetër sepse nuk duam të zgjatemi më shumë në këtë temë.
Autor: Shejh Salih Al Esh Shejh
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: fikhu, jurisprudenca
Të Ngjashme
- Tekbiri i përgjithshëm dhe tekbiri i kufizuar Udha e Besimtarëve
- Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 7 – Udha e Besimtarëve
- Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 6 – Udha e Besimtarëve
- Forma e kryerjes së Umres Udha e Besimtarëve
- Mendimi juridik i imam Malikut dhe metoda e tij në veprën “El Muatta” Udha e Besimtarëve