Jemi në ditët më me vlerë të muajit, madje të vitit, prandaj edhe përpjekjet duhet të jenë më të mëdha në këto netë sepse shpërblimi që mund të arrijmë është edhe më i madh. Mund të arrijmë faljen e Zotit: “Kush falet në natën e kadrit me besim dhe shpresë, i falen gjynahet e kaluara.”
“Ne e zbritëm atë në natën e kadrit.” D.m.th. Kuranin. Ai zbriti i gjithi përnjëherësh brenda një nate nga “Leuhul Mahfudh” (pllakat e ruajtura) tek Allahu atje mbi shtatë qiej, në qiellin e dynjasë, pastaj për 23 vite i zbriti Profetit tonë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pjesë-pjesë.
Për këtë, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Muaji i ramazanit në të cilin zbriti Kurani, që është udhëzim për njerëzit.” (nata në të cilën zbriti udhëzimi për ta u bë nata më me vlerë, dhe kështu mori vlerë çdo gjë që u lidh me Kuranin: Xhibrili që e zbriti, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që e pranoi dhe e përcolli, dhe ky umet kur punoi me të, u ngrit e u lartësua në tokë. Siç ka ardhur në hadith: “Allahu ngre me këtë libër disa njerëz dhe ul me të të tjerë.” Nëse duam të ngrihemi le të lidhemi me Kuranin dhe ta vlerësojmë atë, që Allahu të na ngrejë e të na vlerësojë.
Allahu i Madhëruar e quajti këtë natë në të cilën zbriti Kurani si të begatë (mubarakeh): “Ha mim. Pasha Librin e qartë! Ne e zbritëm atë në një natë të begatë (natë të mbushur me mirësi, me bereqet dhe plot të mira).” Prandaj kush dëshiron të mirat e të dyja botëve le t’i jepet studimit të Kuranit dhe zbatimit të tij.
Nata e kadrit ka kuptimin si nata e gjykimeve dhe e përcaktimeve. Është quajtur kështu sepse Allahu cakton në të çfarë dëshiron të realizojë nga ajo natë deri në vitin tjetër në të njëjtën natë, pra u zbulohet engjëjve plani vjetor i masave apo i punëve që do të ndodhin në atë vit. U zbulohet ajo pjesë e së fshehtës që gjendet e shkruar në “Leuhul Mahfudh” për atë pjesë të kohës, për një vit; kush do të largohet nga kjo botë, kush do të vijë në jetë, furnizimin, shirat, madje edhe kush do të bëjë haxhin.
Është quajtur nata e kadrit sepse është natë me pozitë, e ndershme dhe fisnike për shkak të kësaj ngjarjeje madhore që ndodhi në fillim të shpalljes, dhe për shkak të ngjarjeve madhore që ndodhin në të çdo vit prej caktimeve hyjnore për jetën në tokë, dhe për shkak të zbritjes së engjëjve me një numër aq të madh sa nuk e di askush veç Allahut të Lartësuar.
Është quajtur nata me pozitë për shkak të pozitës së madhe që kanë adhurimet në të dhe shpërblimit të jashtëzakonshëm që kanë veprat e mira që kryen në atë natë.
Është quajtur nata e kadrit sepse edhe ai që nuk ka pozitë bëhet njeri me pozitë nëse e gjallëron atë natë me adhurime.
Është quajtur natë me pozitë për shkak se atë natë zbriti një libër me pozitë të lartë, më i ndershmi dhe fisniku, tek një i dërguar fisnik dhe me pozitë të lartë drejtuar një populli me pozitë.
Gjithashtu, për shkak të engjëjve të rëndësishëm dhe me pozita të larta që zbresin atë natë në tokë. Në atë natë Allahu zbret mirësi, bereqet të madh dhe falje të shumta.
Dikush tjetër ka thënë: Për shkak se Allahu në atë natë shkruan mëshirën për besimtarët se do t’i mëshirojë ata. Atë natë toka mbushet me engjëj dhe s’ka më vend për të tjerë: “E ku e di ti se ç’është nata e kadrit? Nata e kadrit është më e mirë se një mijë muaj.”
Ferrai ka thënë: Çdo vend në Kuran që thotë; “E çfarë të bëri ty të dish?” ja ka sqaruar Allahu dhe ja ka bërë të ditur. Ndërsa kur thotë: “ue ma judrike” (nga mund ta dish), për këtë nuk i ka treguar. (Siç thotë: “ue ma judrike leal-les saate tekunu kariba.” “E ç’mund të të bëjë ty të dish ndoshta Kijameti mund të jetë afër.” Sa afër? Kur? Këtë nuk ja ka treguar.)
Sufjani ka thënë: Na bëri të qartë vlerën dhe madhështinë e asaj nate që është më e mirë se 1000 muaj. Koha merr vlerë për shkak të gjërave të shumta me vlerë që ndodhin gjatë saj.
Them: Prandaj jeta më madhështore dhe me vlerë që duhet studiuar dhe mësuar prej saj është jeta profetike, pastaj ajo e shokëve të tij, paqja qoftë mbi të dhe Allahu qoftë i kënaqur me ta. Jeta jonë peshon tek Allahu dhe ka vlera për aq sa ne bëjmë në të punë të mira, me dobi të mëdha për veten, për familjet tona dhe për umetin. Kështu maten jetët e njerëzve dhe ky është vlerësimi i vërtetë për jetën e dikujt.
Në atë natë caktohet mirësi e madhe për njerëzit e cila nuk gjendet as në një mijë muaj. Allahu e di më së miri!” (E gjithë kjo sure dhe fjalët rreth saj janë përfituar prej tefsirit të Kurtubiut, Allahu e mëshiroftë, përveç ndonjë shtese.)
Shumë komentetatorë kanë thënë: Puna e mirë që bëhet në këtë natë është më e mirë se puna që mund të bëhet në 1000 muaj në të cilat nuk gjendet nata e kadrit.
Madje ka thënë më e mirë se një mijë muaj, por nuk ka pasur për qëllim numrin ekzakt por të gjithë kohën, pra: Nata e kadrit është më e mirë se e gjithë koha sepse arabët e përdorin numrin 1000 për të treguar maksimumin e diçkaje.
Kanë thënë: Njeriu dikur nuk quhej adhurues derisa nuk e merrte gradën e adhuruesit derisa ta adhuronte Allahun 1000 muaj, d.m.th. 83 vite e 4 muaj (hënorë). E kështu, Allahu i Lartësuar i dhuroi umetit të Muhamedit sal-lAll llahu alejhi ue sel-lem adhurimin e natës së kadrit për 1000 muajt që adhuronin në to popujt e tjerë.
“Në atë natë zbresin engjëjt dhe Shpirti me leje të Zotit të tyre për të ndarë çdo çështje.”
Thotë: “Zbresin me leje të Zotit të tyre” sepse engjëjt qëndrojnë në qiell, dhe nuk mund të zbresin nga aty për në tokë veçse kur u jep leje Allahu i Madhëruar, siç thotë i Lartësuari: “E ne nuk zbresim veçse me lejen e Zotit tënd.” | Merjem.
Engjëjt zbresin nga çdo qiell, nga 7 qiejt, edhe nga Sidretul Munteha, dhe Xhibrili qëndron në mes të saj (sidretul munteha). Zbresin në tokë dhe u bëjnë ‘amin’ lutjeve të besimtarëve deri në agim!
(Kurtubij) E sipas një komentimi tjetër zbresin me urdhërat e Zotit, me çfarë ka urdhëruar Allahu të ndodhë atë vit deri në natën tjetër të kadrit.
Them: A do të jetë në ato urdhra edhe urdhri për ne që ta arrijmë përsëri këtë natë?! Prandaj të përpiqemi t’i shfrytëzojmë këto që kemi, e po e arritëm tjetrën ajo është mirësi mbi mirësi. Nëse s’e arrijmë, kemi bërë përpjekje maksimale për të arritur këtë që na u dha dhe nuk do të bëhemi pishman që na iku shansi.
“Paqe është ajo natë deri në agim.” (5) Nata e kadrit është e gjitha paqe dhe mirësi, dhe nuk ka të këqija në të deri sa të lindë agimi në syfyr.
Nuk cakton Allahu në të veçse paqe dhe shpëtim, ndryshe nga netët e tjera ku caktohen edhe fatkeqësi edhe shpëtim prej tyre.
Kanë thënë: Ajo është e paqtë, sepse shejtani nuk ka ndikim atë natë (nuk i lejohet të veprojë). S’ka mundësi të bëjë gjë të keqe e as të dëmtojë.
Shabiu ka thënë: Engjëjt atë natë u japin selam atyre që janë nëpër xhamia, që kur perëndon dielli e deri sa të çelë agimi, dhe kur kalojnë pranë besimtarëve u thonë: “Paqja qoftë mbi ty o besimtar!” Engjëjt përshëndesin me paqe njëri-tjetrin.
Katade ka thënë: E paqtë, d.m.th. natë e mirë është ajo deri në agim.
Pastaj Kurtubiu foli se cila natë është ajo dhe tha se ka diskutim të madh mes tyre.
Shumica janë të mendimit që ajo është nata e 27.
Zirr bin Hubejsh i thanë: Vëllai yt Ibn Mesudi thotë: Kush ngrihet të falet natën gjatë gjithë vitit e arrin natën e kadrit. – Tha: Allahu e faltë Ebu Abdurrahmanin! Ai e di se ajo është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe se ajo është nata e 27, por ai deshi që njerëzit të mos mbështeten tek kjo (por ta adhurojnë Allahun gjatë gjithë vitit). I thanë (Zirrit): Ku bazohesh që e thua këtë? Tha: Tek shenjat që na përmendi i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se dielli i asaj dite lind pa rreze (jo i fortë). (Transmeton Muslimi).
Ka thënë Ebu Hurejra e të tjerë: Ajo është në Ramazan dhe jo në netët e tjera të vitit.
Kanë thënë: Gjatë gjithë netëve të vitit, – siç tha Ibën Mesudi: Kush falet gjatë vitit e arrin atë natë.
Nga ai përcillet po ashtu se ajo nuk është në të njëjtën natë çdo vit, por çdo vit është në një natë tjetër (këtë e ka zgjedhur edhe imam Shafiu).
Kanë thënë nata e parë etj.
Kanë thënë në 27 dhe mëngjesi i asaj dite ka qenë beteja e Bedrit, nga fjala e Allahut të Madhëruar: “Dhe atë që i shpallëm robit Tonë ditën e furkanit, ditën kur u takuan dy grupet.” | El Enfal: 41.
Kanë thënë: nata e 29, e 21, 23 për shkak të disa haditheve kur përmendet se ranë në sexhde në baltë pasi kishte rënë shi natën.
Kanë parë në ëndërr disa sahabë se ajo është në shtatë netët e fundit. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: Po shikoj se ëndrrat tuaja janë përputhur prandaj kërkojeni atë në shtatë të fundit.
Më e sakta dhe e njohura është se ajo është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Këtë ka zgjedhur Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe Ebu Theuri.
Për këtë arsye u fsheh që njerëzit të përpiqen në adhurim gjatë dhjetë netëve e jo vetëm në një natë.
Kjo për të kuptuar se një shpërblim kaq i madh, madje asnjë shpërblim i madh nuk mund të vijë kaq kollaj, por duhet përpjekje maksimale për të. Gradët e larta kërkojnë sakrifica dhe Allahu nuk i shpërblen njësoj përtacët me punëtorët.
Nga mëshira e Allahut ndaj nesh është se ne mund të quhemi se e kemi falur gjithë natën edhe pa u falur gjithë natën, dhe këtë për çdo natë dy herë. Në një hadith të saktë ka ardhur: Kush e fal jacinë me xhemat është sikur është falur gjysmën e natës, e kush e fal edhe sabahun me xhemat është sikur është falur gjithë natën. Në një hadith tjetër ka ardhur: “Kush falet me imamin derisa të japë selam, pra ta mbarojë namazin komplet, është sikur të jetë falur gjithë natën.” Në mes këtyre njeriu mund të falë edhe namaz individual dy nga dy rekate, pa shtuar më vitër tjetër pas atij që ka falur me imamin.
Emin Bilali
Dosje: Nata e Kadrit
Të Ngjashme
- Ngushëllimi i natës së fundit Udha e Besimtarëve
- Si të përfitosh nga Nata e 27-të e muajit Ramazan? Udha e Besimtarëve
- Gëzohu që je në këto dhjetë netë të bekuara Udha e Besimtarëve
- Muaji i Ramazanit sezon i ahiretit andaj le ta shrytëzojnë muslimanët Shejh Abdulmuhsin Abad
- Kështu e ndiejmë më shumë Ramazanin Fatjon Isufi