Komentimi i Kur’anit Madhështor

Parathënie e Tefsirit të Ibnu Kethirit.

Autor: Hafizi Ebul Fida’ Ismail ibën Umer ibën Kethir El-Kureshij Ed-Dimeshkij

(700-774 sipas Hixhretit)

Shejkhu dhe imami i famshëm, mjeshtri që ka përvetësuar dhe mësuar përmendësh, Imadud-Dijn Ebul-Fida’ ibën khatijb Ebi Hafs Umer ibën Kethir El-Basrauij Esh-Shafi’ij (Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me të) thotë:

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, i Cili e çeli Librin e Tij me falënderim dhe thotë:”Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. I Gjithëmëshirshmi, Mëshirploti. I Vetmi Zotërues dhe Sundues  i Ditës së Shpërblimit.” (El-Fatiha 2-4)  Ai përsëri thotë: ”Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun i Cili i ka dërguar robit të Tij (Muhamed) Librin dhe nuk ka sjellë e nuk ka lejuar në të asnjë shtrembërim. (Ai e ka bërë atë) të Drejtë e të Qartë për t’u tërhequr vëmendjen (mosbesimtarëve) për ndëshkim të ashpër prej Tij dhe për të përgëzuar besimtarët që punojnë drejtësi, se ata do të kenë shpërblim të vyer (Xhenetin) . Ata do të banojnë aty përherë. Dhe për të këshilluar ata të cilët thanë:Allahu ka lindur bir (ose bij e fëmijë). Asnjë dije nuk kanë ata për një gjë të tillë, as edhe të parët e tyre. Fjalë e rëndë del nga goja e tyre. Ata nuk thonë gjë tjetër veçse gënjeshtër.” (El-Kehf 1-5) Ai e çeli krijimin e Tij me falënderim dhe lavdërim.Ai thotë: ”Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut i Cili krijoi qiejt dhe tokën, solli errësirën dhe dritën, megjithatë ata që nuk besojnë mbajnë të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre.” (En-Aam 1) Ai e mbylli atë me falënderim dhe lavdërim, ku thotë pasi përmendi përfundimin e banorëve të Xhenetit dhe atyre të zjarrit: ”Dhe do të shihni melaiket të rrethojnë Arshin (e Allahut) nga të gjitha anët duke lartësuar Lavditë e Zotit të tyre. Dhe ata(gjithë krijesat) do të gjykohen drejt e me të vërtetën dhe do të thuhet: Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve.” (Ez-Zumer 75) Prandaj, Allahu i Lartësuar thotë: ”Dhe Ai është Allahu, askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Atij. Për Të është gjithë falënderimi dhe lavdërimi në të parën (në këtë botë) dhe në të fundit (në jetën e Pasosur). Atij i takon vendimi dhe tek Ai do të ktheheni (ju të gjithë).” (El-Kasas 70) Ashtu siç Ai thotë: ”Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun të Cilit i përkasin gjithë ç‘është në qiej dhe gjithë ç‘është në tokë. Për Të janë gjithë falënderimet dhe lavdërimet në jetën e Pastajme dhe Ai është më i Urti Gjithëgjykues, Njohësi i gjithçkaje.” (Sebe’ë 1)

Atij i takon falënderimi në fillim dhe në fund. D.m.th.: Në çdo gjë që Ai krijoi apo do të krijojë, vetëm Atij i takon falënderimi për të gjitha këto.Ashtu siç thotë namazliu kur falet: ”O Allah!Zoti ynë, Ty të takon falënderimi dhe lavdërimi, aq sa mbushen plot qiejt dhe toka dhe aq sa të mbushet ajo që Ti dëshiron më pas” (Siç e transmeton Muslimi në Sahihun e tij me nr. 771, nga El-Bera’ ibën Azib – Allahu qoftë i kënaqur me të-).Prandaj, banorët e Xhenetit do ta kenë dhunti madhërimin, falënderimin dhe lavdërimin e Tij, ashtu sikurse do të kenë dhunti frymëmarrjen. D.m.th.:Do ta madhërojnë, do ta falënderojnë dhe do ta lavdërojnë Atë, aq herë sa do të marrin frymë. Kjo për arsye se do të shohin begatitë madhështore që Ai u ka dhënë, do të shohin fuqinë e Tij të përsosur dhe pushtetin madhështor të Tij, si  dhe do të shohin bollëkun e Tij të njëpasnjëshëm dhe vazhdimësinë e bamirësisë së Tij. Me këtë rast, Allahu i Lartësuar thotë: ”Padyshim se ata që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, Zoti i tyre do t’i udhëzojë nëpërmjet besimit të tyre. Ndër ta do të rrjedhin lumenj në kopshtet e lumturisë (Xhenet). Lutja e tyre atje do të jetë: Lavdi të qoftë Ty o Allah! Dhe selam (paqë e siguri) do të jenë përshëndetjet e tyre atje (në Xhenet). Ndërsa lutja e fundit do të jetë: Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë  për Zotin e gjithë botëve.” (Junus 9-10)

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun i Cili dërgoi të dërguarit e Tij: ”Të dërguar si përgëzues dhe si paralajmërues në mënyrë që njerëzimi të mos ketë më arsye për t’u shfajësuar ndaj Allahut pas të dërguarve.” (An-Nisa’ 165). Ai e përfundoi dërgimin e tyre me pejgamberin që nuk dinte shkrim dhe këndim, arab, nga Meka, i cili udhëzon në rrugët më të drejta. Ai e dërgoi atë tek të gjitha krijesat e Tij, njerëzit dhe xhindët, që prej kohës që ai u dërgua, e derisa të çohet Kijameti.Siç thotë Allahu i Lartësuar:” Thuaj(O Muhamed):O njerëz! Vërtet që unë jam sjellë tek jut ë gjithë si i dërguar i Allahut-të Cilit i takon mbisundimi i qiejve dhe i tokës. Askush nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet përveç Atij. Kështu pra, besoni në Allahun dhe në të dërguarin e Tij, pejgamberin që nuk di shkrim as këndim, i cili beson në Allahun dhe në fjalët e Tij, dhe ndiqeni pra atë që të mund të jeni të udhëzuar.” (Al-A’raf 158) I Lartësuari thotë: ”Që unë me anë të tij t’ju këshilloj ju dhe ata që ai do të arrijë.” (En-Aam 19)

Kujtdo që i arrin ky Kur’an prej arabëve dhe joarabëve,të zinj dhe të kuq, njerëz dhe xhindë, i është këshillues dhe tërheqës vërejtjeje për të. Prandaj i Lartësuari thotë: ”Por ata të cilët e mohojnë atë (Kur’anin), zjarri do të jetë vendtakimi i tyre i premtuar.” (Hud 17) Kushdo që e mohon Kur’anin prej atyre që përmendëm, zjarri do të jetë vendtakimi i tyre i premtuar, ashtu siç Allahu i Lartësuar tha. Ai gjithashtu thotë: ”Atëherë më lini Mua të Vetëm me të atillët që përgënjeshtrojnë këtë mesazh (Kur’anin)! Ne do t’i ndëshkojmë ata pak nga pak, nga të mos e marrin vesh. Dhe Unë do t’u jap atyre afat.” (El-Kalem 44-45)

I dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: ”Jam dërguar tek i kuqi dhe i ziu.” (Transmeton Muslimi në Sahihun e tij me nr.521, nga hadithi i Xhabirit         (Allahu qoftë i kënaqur me të). Muxhahidi thotë: D.m.th.: Njerëzit dhe xhindët. Pra Ai-paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të- , është i dërguar i Allahut tek të gjitha krijesat: Njerëzit dhe xhindët. Ai është komunikues nga Allahu i asaj që Ai i shpalli prej këtij Libri Famëlartë të cilit: ”Nuk i hyn e kota as nga para, as nga prapa: Ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.” (Fusilet 42)

Ai u mësoi atyre në të nga Allahu i Lartësuar se Ai i nxiti ata për kuptimin e tij. I Lartësuari thotë: ”A nuk mendojnë thellë për Kur’anin? Po të kishte qenë ai prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që do të kishin gjetur në të mjaft kundërthënie e mospërputhje.” (An-Nisa’ 82) Allahu i Lartësuar thotë: ”(Ky është) një Libër gjithë bekime e mirësi, të cilin Ne ta kemi zbritur ty me qëllim që ata të mendojnë e të thellohen në vargjet e tij dhe që njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të mund të përkujtojnë.” (Sad 29)Gjithashtu i Lartësuari thotë: ”A nuk mendojnë thellë ata për Kur’anin, apo zemrat e tyre janë të kyçura (për ta kuptuar atë)?” (Muhamed 24)

Atëherë, është detyrë për dijetarët që të zbulojnë kuptimet e fjalës së Allahut, ta komentojnë atë, ta kërkojnë nga vendburimet përkatëse, ta mësojnë atë dhe t’ua mësojnë edhe të tjerëve, siç Allahu i Lartësuar thotë: ”(Dhe përkujtoni)kur Allahu mori besë nga ata të cilëve iu dhanë Librat e parë për ta bërë të njohur e të qartë lajmin dhe të mos e fshihnin atë, por ata e hodhën atë tej pas shpine dhe bënë tregti me të për një fitim të mjerë! Dhe vërtet më e keqja është ajo që ata blenë!” (Al-Imran 187) I Lartësuari thotë: ”Vërtet ata që shkëmbyen një vlerë fare të vogël duke humbur premtimin e Allahut dhe betimet e tyre, këta nuk do të kenë aspak pjesë në Botën e Pastajme (në Xhenet). Allahu as nuk dot’u flasë atyre, as nuk do t’u hedhë shikimin në Ditën e Ringjalljes dhe as nuk do t’i pastrojë, dhe për ta do të ketë ndëshkim të dhimbshëm.” (Al-Imran 77)

Allahu i Lartësuar i nënçmoi ndjekësit e Librit (çifutët dhe të krishterët) para nesh, për shkak se ata i kthyen shpinën Librit që Allahu u dërgoi dhe u dhanë pas dynjasë dhe grumbullimit të të mirave të saj, duke u marrë me gjëra të tjera ndaj asaj që u urdhëruan, prej ndjekjes së Librit të Allahut.

Ngelet detyrë për ne –o muslimanë-, që t’i japim fund asaj të cilën Allahu i Lartësuar e nënçmoi. Le të zbatojmë urdhrat që Ai na urdhëroi, duke mësuar Librin e Allahut që ka zbritur tek ne dhe t’ua mësojmë edhe të tjerëve, ta kuptojmë dhe t’ua mundësojmë edhe të tjerëve kuptimin e tij. Allahu i Lartësuar thotë: ”A nuk ka ardhur koha për zemrat e atyre që besojnë besojnë të ndikohen nga mesazhi përkujtues i Allahut (nga Kur’ani) dhe nga ajo që u është shpallur nga e vërteta, që të mos bëhen si ata që iu dhanë Librat e parë më përpara, për të cilët kaloi shumë kohë, ndërsa zemrat e tyre u forcuan (u bënë gur)? Dhe shumica e tyre qenë të pabindur dhe të panënshtruar ndaj Allahut. Dijeni se Allahu i  jep jetë tokës pas vdekjes së saj! Me të vërtetë që Ne i kemi bërë të qarta ajetet (shenjat,treguesit,shpalljet) për ju, me qëllim që ju mbase kuptoni.” (El-Hadid 16-17). Fakti që Allahu i Lartësuar e përmendi këtë ajet pas atij që ishte para tij, na bën të kuptojmë se Allahu i Lartësuar ashtu sikurse i jep jetë tokës pas vdekjes së saj, po ashtu i zbut edhe zemrat me Iman (besim) pasi ato janë ashpërsuar nga gjynahet dhe mëkatet. Nga Allahu shpresojmë që të na përgjigjet dhe ta bëj këtë me ne, se padyshim Ai është Dhënës i Madh, Bujar.

Nëse dikush pyet dhe thotë: Atëherë, cilat janë rrugët më të mira të komentimit të Kur’anit?

Përgjigjia është: Padyshim që rrugët më të sakta për këtë, janë që Kur’ani të komentohet me Kur’an. Ajo që është përgjithësuar në një vend të Kur’anit është komentuar në një tjetër vend. Nëse kjo nuk të mundësohet atëherë duhet të kthehesh tek Suneti, sepse ai është shpjegues i Kur’anit dhe sqarues i tij. Madje imam Ebu Abdilah Muhamed ibën Idris Esh-Shafi-ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: Çdo gjykim me të cilin ka gjykuar i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) është prej asaj që ai ka kuptuar nga Kur’ani. Allahu i Lartësuar thotë: ”Sigurisht që Ne të kemi zbritur ty(O Muhamed) Librin (Kur’anin) me të vërtetën që të mund të gjykosh mes njerëzve me anë të asaj që Allahu të ka shpallur ty, kështu që mos kërko falje për të pabesët.” (An-Nisa’ 105) I Lartësuari thotë: ”Ndërsa edhe ty (O Muhamed) me përkujtuesin me këshilla (Kur’anin), që ti të mund t’u shpjegosh njerëzve qartë se çfarë u është zbritur atyre dhe që të mund të mendojnë.” (En-Nahl 44) Gjithashtu i Lartësuari thotë: ”Dhe nuk ta kemi zbritur ty Librin (Kur’anin), veçse që të mund t’u shpjegosh qartë atyre ato çështje për të cilat ata kanë mendime të ndryshme e kundërshtojnë dhe si udhëheqje për veprim e përkujtim mëshire për popullin që beson.” (En-Nahl 64)

Prandaj, i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: ”Vini re! Mua më është dhënë Kur’ani dhe një tjetër si ai bashkë me të.” (Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi në “Sunen” me nr. 4604, nga Mikdam ibën Ma’dikerib (Allahu qoftë i kënaqur me të). D.m.th.: Suneti. Suneti po ashtu ka zbritur me shpallje sikurse Kur’ani, vetëm se Suneti nuk këndohet siç këndohet Kur’ani. Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) dhe imamllarë të tjerë e kanë faktuar këtë me argumenta të shumtë, por nuk është vendi i shtjellimit të kësaj teme këtu.

Pra, ti duhet ta kërkosh komentimin e Kur’anit prej tij, e nëse nuk e gjen në të, atëherë nga Suneti siç i tha i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) Muadhit, kur e dërgoi në Jemen: ”Me çfarë do të gjykosh?” Iu përgjigj: Me Librin e Allahut! I tha: ”Nëse nuk gjen në të?” Iu përgjigj: Me Sunetin e të Dërguarit të Allahut. I tha: ”Nëse nuk gjen në të?” Iu përgjigj: Do përpiqem me mendimin tim. Transmetuesi thotë: I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e goditi në gjoksin e tij dhe i tha: ”Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut që e drejtoi të dërguarin e të Dërguarit të Allahut, tek ajo që pëlqen i Dërguari i Allahut. ”Ky hadith ndodhet në Mesanijd dhe Sunen, me zinxhir transmetimi të mirë, siç e kemi sqaruar në vendin e vet.

Pra, atëherë, nëse nuk e gjejmë komentimin në Kur’an dhe as në Sunet, do kthehemi tek fjalët e sahabëve, sepse ata janë më të mirënjohur për të, ngase përjetuan çaste dhe momente me të cilat u veçuan nga të tjerët. Ata posedojnë të kuptuarit e plotë, dijen e saktë dhe punën e mirë, e veçanërisht dijetarët dhe të mëdhenjtë e tyre, si katër imamët dhe udhëheqësit e drejtë, imamët e udhëzuar dhe Abdullah ibën Mes’udi-Allahu qoftë i kënaqur me të-.

Imam Ebu Xha’fer Muhamed ibën Xherir thotë: Na ka thënë Ebu Kurejb, na ka thënë Xhabir ibën Nuh, na ka thënë El-A’amesh, nga Ebi Dhuha, nga Mesruku i cili thotë se Abdullahi -d.m.th. ibën Mes’udi thotë: Për Atë, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër! Për çdo ajet që ka zbritur nga Allahu, unë di se për çfarë ka zbritur dhe ku ka zbritur. E sikur të dija vendin e ndonjërit që është më i ditur për Librin e Allahut se mua, tek i cili mund të shkohet do të shkoja. El-A’amesh, gjithashtu thotë: Transmetohet nga Ebu Uail, nga ibën Mes’udi i cili thotë: Kur ndonjëri prej nesh mësonte dhjetë ajete, nuk fillonte me të tjerat pa njohur kuptimet e tyre dhe pa punuar me to.

Ebu Abdurrahman Es-Sulemij thotë: Na kanë treguar ata të cilët na lexonin, të cilëve u lexonte pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), se kur mësonin dhjetë ajete, nuk kalonin tek të tjerat derisa të punonin me atë që kuptohej prej tyre, e kështu mësuam Kur’anin dhe punën bashkë.

Prej tyre është dijetari det në dituri, Abdullah ibën Abasi, djali i xhaxhait i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe përkthyesi i Kur’anit, me bereqetin e lutjes së të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), i cili u lut për të dhe tha: ”O Allah! Mundësoja kuptimin e fesë dhe mësoja komentimin!” (E transmeton Ahmedi në Musned dhe rrënja e tij është në Sahihun e Buhariut me nr.75).

Ibën Xheriri thotë: Na ka thënë Muhamed ibën Besh-shar, që thotë: Na ka thënë Ueki’u, nga Sufjani, nga El-A’amesh, nga Muslimi i cili thotë: Abdullahi d.m.th. ibën Mes’udi thotë: ”Sa përkthyes i mirë i Kur’anit është ibën Abbasi!” Më pas e transmetoi nga Jahja ibën Daud, nga Is-hak El-Ezrek, nga Sufjani, nga El-A’amesh, nga Muslim ibën Subejh Ebi Dhuha, nga Mesruku, se ibën Mes’udi thotë: ”Sa përkthyes i mirë i Kur’anit është ibën Abbasi!” Më pas e transmetoi nga Bundar, nga Xha’fer ibën Aun, nga El-A’amesh, po ashtu.

Ky është një zinxhir transmetimi i saktë deri tek ibën Mes’udi, i cili u shpreh për ibën Abbasin me këtë shprehje. Ibën Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të), ndërroi jetë në vitin tridhjetë e dy  –duke iu referuar mendimit më të saktë- , ndërsa ibën Abbasi jetoi edhe tridhjetë e gjashtë vjet pas tij. Si mendon ti, sa dituri ka përfituar ai pas ibën Mes’udit?

El-A’amesh transmeton se Ebu Uail thotë: Aliu caktoi zëvendës të tijin gjatë kryerjes së Haxhit ibën Abbasin, i cili mbajti një ligjëratë për njerëzit, në të cilën lexoi Suren El-Bekareh (në një tjetër transmetim: Suren Nur) dhe e komentoi me një komentim, të cilin po ta kishin dëgjuar romakët, turqit dhe dejlemët do të kishin pranuar Islamin.

Për këtë arsye, pjesa dërmuse që transmeton Ismail ibën Abdurrahman Es-Sudij i madhi në tefsirin e tij, është nga këta dy burra: Abdullah ibën Mes’udi dhe ibën Abbasi. Por ndonjëherë ai transmeton prej tyre gjëra që ata i tregojnë nga ndjekësit e Librave të parë, gjë të cilën i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e lejoi duke thënë: ”Komunikoni prej meje qoftë edhe një ajet, flisni prej ehli Kitabit (ndjekësve të Librave të parë) dhe nuk ka problem. Kush gënjen qëllimisht ndaj meje, le të përgatiti ndenjësen e tij prej zjarri.” E transmeton Buhariu nga Abdullahi. Prandaj Abdullah ibën Amër ditën e Jermukut mori dy psalme nga librat e ehli kitabit dhe fliste nga ato duke iu mbështetur asaj që kuptoi nga ky hadith për lejimin e kësaj gjëje.

Por këto hadithe israilijate (citate të marra nga librat e ndjekësve të librave të parë) përmenden thjesht për t’u cituar dhe jo për të përforcuar mendimin.Ngase ato janë tre lloje:

Lloji i parë: Ajo që e njohim që është e saktë prej njohurive të fesë sonë që dëshmon për vërtetësinë e saj dhe kjo është e saktë.

Lloji i dytë: Ajo për të cilën jemi të sigurt se është gënjeshtër sepse kemi në fenë tonë atë që është në kundërshtim me të.

Lloji i tretë: Ajo për të cilën është heshtur, dhe nuk është as prej llojit të parë dhe as prej llojit të dytë. Ne këtë lloj, as nuk e besojmë dhe as nuk e përgënjeshtrojmë, por lejohet të citohet siç e parashtruam. Në përgjithësi, ato nuk përmbajnë ndonjë dobi që kthehet tek ndonjë çështje fetare; prandaj edhe dijetarët e ehli kitabit kanë mosmarrëveshje të shumta mes njëri-tjetrit rreth tyre. Madje edhe komentuesit kanë mospërputhje mes veti për shkak të tyre, siç e sheh këtë kur ata përmendin emrat e bujtësve të shpellës, ngjyrën e qenit të tyre, numrin e tyre, për shkopin e Musait nga ç’pemë ishte? Emrat e shpendëve që Allahu i ngjalli për Ibrahimin, përcaktimi i copës së mishit prej lopës që prekën të vdekurin, lloji i pemës prej së cilës Allahu i foli Musait, e të tjera gjëra për të cilat Allahu nuk dha detaje në Kur’an, të cilat nuk përmbajnë ndonjë dobi, nga e cila mund të përfitojnë njerëzit në këtë botë dhe as në botën tjetër. Mirëpo përcjellja e mosmarrëveshjes që ata kanë është e lejuar, siç thotë Allahu i Lartësuar: ”Thonë  (disa) se ata ishin tre, qeni i katërti i tyre; dhe (të tjerë) thonë se ata ishin pesë, qeni i gjashti – duke marrë kështu me mend të fshehtën – ; (megjithatë të tjerë prapë) thonë se ata ishin shtatë dhe qeni i teti. Thuaju: Zoti im e di më mirë numrin e tyre; askush nuk e di atë përveç një pakice të vogël. Kështu që mos diskuto veçse me provën e qartë dhe mos merr mendim nga asnjë prej tyre për çështjen e bujtësve të shpellës.” (El-Kehf 22)  Ky ajet fisnik përmban edukatën se si duhet të sillemi në raste të tilla, sepse Allahu i Lartësuar njoftoi për tre mendime të tyre dhe i quajti të dobëta dy mendimet e para dhe heshti ndaj të tretit.Dhe ky është një fakt se mendimi i tretë është i sakti, se po të ishte i dobët do ta refuzonte ashtu siç refuzoi dy të tjerët. Ai i bëri të kuptojnë se njohja e numrit të tyre nuk ka ndonjë dobi, prandaj në këtë rast tha: ”Thuaju: Zoti im  e di më mirë numrin e tyre.” Kjo për arsye se këtë nuk e dijnë vetëm se pak prej njerëzve, të cilëve ua ka mësuar Allahu; e prandaj tha: ”Kështu që mos diskuto veçse me provën e qartë.”, d.m.th. : Mos e mundo veten tënde për atë që nuk mundesh dhe nuk të sjell dobi, e mos i pyet ata për këtë se nuk dijnë tjetër veçse të marrin me mend të fshehtën. Kjo padyshim që është mënyra më e mirë e përcjelljes së mosmarrëveshjes që ekziston, duke i përfshirë të gjitha mendimet, duke përmendur të saktin dhe duke refuzuar mendimet e tjera të pavlefshme. Pra dobia e mosmarrëveshjes dhe fryti i saj përmenden, që të mos zgjatet mosmarrëveshja dhe kundërshtimi për gjëra pa interes, duke i lënë kështu gjithnjë vend angazhimit me më të rëndësishmen. Ndërsa kush tregon mosmarrëveshjen në një çështje dhe nuk përfshin të gjitha mendimet e njerëzve atëherë mënyra e trajtimit të çështjes nga ana etij është e mangët, sepse e vërteta mund të jetë në atë që ai e la. Po kështu, trajtim i mangët konsiderohet edhe ai, ku përcjellësi i tij tregon se ka mosmarrëveshje në një çështje dhe nuk tregon se cili është mendimi i saktë në të. Nëse saktëson mendimin e pasaktë qëllimisht, atëherë ka gënjyer qëllimisht, ose është i paditur dhe gaboi. Ka edhe të tjerë që tregojnë mosmarrëveshje për gjëra pa interes, ose që tregojnë mendime të shumta në të shprehur, por që në të vërtetë kthehen vetëm te një mendim ose dy. Këta lloj njerëzish kanë humbur kohën, duke shtuar njohuritë me gjëra që nuk janë të sakta, prandaj janë si ai që vesh rroba të rreme. E vetëm Allahu jep sukses për të vërtetën.

Sufjan ibën Ujejneh transmeton nga Abdullah ibën Ebi Jezijd, i cili thotë se: Ibën Abbasi, kur pyetej për ndonjë ajet në Kur’an e tregonte, e nëse nuk kishte diçka tregonte për të nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) , e nëse nuk gjente nga ai tregonte nga Ebu Bekri dhe Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) , e nëse nuk gjente përpiqej me mendimin e tij.

Temë

Kur komentimin nuk gjendet në Kur’an, as në Sunnet dhe as nga Sahabët, atëherë shohim se shumë nga imamllarët janë kthyer tek fjalët e tabi’inëve, si Muxhahid ibën Xhebr. Se ai ishte argument në komentimin e Kur’anit, siç thotë Muhammed ibën Is’hak: Na ka thënë Abane ibën Salih, nga Muxhahidi i cili thotë: E paraqita Mus’hafin tek ibën Abbasi tri herë, nga Surja El-Fatiha deri në fund të tij, duke qëndruar me të në çdo ajet të tij dhe duke e pyetur për të.

Ibën Xheriri thotë: Na ka thënë Ebu Kurejbi, i cili thotë: Na ka thënë Talk ibën Ganam, nga Uthman El-Mekkij, nga ibën Ebi Mulejke, i cili thotë: E pashë Muxhahidin duke pyetur ibën Abbasin për komentimin e Kur’anit dhe kishte me vete edhe fletët që shkruante. Ibën Abbasi i thoshte: Shkruaj! Derisa e pyeti për të gjithë komentimin. Prandaj, Sufjan Eth-Theurij thoshte: Nëse të vjen komentimi nga Muxhahidi të mjafton.

Po ashtu janë edhe tabi’inët e tjerë si: Seid ibën Xhubejr, Ikrimetu maula ibën Abbas, Ata’ë ibën Ebi Rabah, El-Hasen El-Basrij, Mesruk ibën El-Exhda’ , Seid ibën El-Musejjib, Ebi El-Alijeh, Rabi’ ibën Enes, Katadeh, Dhahhak ibën Muzahim, e të tjerë tabi’inë dhe brezit pas tyre. Mendimet e tyre përmenden dhe shprehjet e tyre kanë ndryshim të theksuar me njëra-tjetrën dhe kështu ai që nuk ka dije mendon se kjo është mosmarrëveshje dhe i parashtron ato si mendime të veçanta. Mirëpo realiteti nuk është kështu, sepse dikush prej tyre e shpreh diçka me sinonime ose krahasime, ndërsa dikush tjetër shprehet duke cituar tekstin ashtu siç është, e kështu të gjithë kthehen në të njëjtin kuptim në shumë prej rasteve. Prandaj, ai që është i zgjuar duhet ta diktoj këtë dhe Allahu është Udhëzuesi.

Shu’be ibën El-Haxhaxh thotë  –dhe po kështu thonë edhe të tjerë- :Mendimet e tabi’inëve në çështjet e degëve nuk janë argument, e atëherë si mund të jenë argument për komentimin e Kur’anit? D.m.th.: Nuk janë argument ndaj atyre që janë në kundërshtim me të, dhe kjo është e vërtetë. Por kur ata bien dakord për diçka , atëherë nuk ka pikë dyshimi që unanimiteti i tyre është argument. Ndërsa kur kanë mosmarrëveshje mes tyre, ata nuk janë argument ndaj njëri-tjetrit dhe as ndaj brezave që vijnë pas tyre.Në këtë rast duhet kthyer tek gjuha e Kur’anit , ose e Sunetit, ose tek gjuha arabe në përgjithësi , ose tek fjalët e sahabëve rreth asaj çështjeje.

Kurse komentimi i Kur’anit thjesht me mendim është i ndaluar, siç transmeton Muhamed ibën Xheriri –Allahu e mëshiroftë- , i cili thotë: Na ka thënë Muhamed ibën Besh-shar, që thotë: Na ka thënë Jahja ibën Seid, na ka thënë Sufjani, që thotë: Më ka thënë Abdul-E’ala –që është ibën Amir Eth-The’alabij-, nga Seid ibën Xherir, nga ibën Abbasi, nga pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), i cili thotë:”Kush thotë diçka në Kur’an me mendimin e tij, ose me atë që nuk di, le të përgatiti ndenjësen e tij në zjarr.”

Po kështu e transmeton Tirmidhiu dhe Nesai, nga rrugë të ndryshme transmetimi, nga Sufjan Eth-Theurij, si ai. E transmeton edhe Ebu Daudi, nga Mused-ded, nga Ebi Auaneh, nga Abdul-E’ala, si ai. Tirmidhiu thotë: Ky është hadith hasen.

Gjithashtu, kështu e transmeton edhe ibën Xheriri, nga Jahja ibën Talha El-Jerbu’ij, nga Sherijk, nga Abdul-E’ala, si ai nga pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Por, Muhamed ibën Humejd e transmetoi nga El-Hakem ibën Beshijr, nga Amër ibën Kajs El-Mulaij, nga Abdul-E’ala, nga Seidi, nga ibën Abbasi prej fjalës së tij dhe jo nga pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Ka ardhur nga Muhamed ibën Humejd, nga Xheriri, nga Lejthi, nga Bekr, nga Seid ibën Xhubejr, nga ibën Abbasi prej fjalës së tij, dhe Allahu është më i Dijshmi.

Ibën Xheriri thotë: Na ka thënë El-Abbas ibën Abdul-Adhijm El-Anberij, që thotë: Na ka thënë Habban ibën Hilal, që thotë, na ka thënë Suhejli vëllai i Hazmit, që thotë, na ka thënë Ebu Imran El-Xheunij, nga Xhundub, se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: ”Kush thotë në Kur’an diçka me mendimin e tij, padyshim ka gabuar.”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu, nga hadithi i Suhejl ibën Ebi Hazm El-Kutaij, dhe Tirmidhiu thotë se është “garijb”, ndërsa disa prej dijetarëve kanë folur për Suhejlin.

Në një transmetim të tyre ka ardhur ky tekst: ”Kush thotë diçka në Librin e Allahut me mendimin e tij dhe thotë të vërtetën, ai padyshim ka gabuar.”  Kjo sepse ai mori përsipër të thotë atë për të cilën nuk ka njohuri dhe ndoqi atë për të cilën nuk u urdhërua. Edhe nëse ai e gjen të vërtetën ai në të njëjtën kohë ka gabuar.sepse nuk veproi ashtu siç duhej të vepronte. Ai është si ai që gjykon mes njerëzve me injorancë, prandaj ai është në zjarr, edhe pse gjykimi i tij mund të jetë i drejtë. Por sidoqoftë, krimi i tij është më i lehtë se ai që gabon, dhe Allahu është më i Dijshmi. Allahu i quajti trilluesit gënjeshtarë: ”Përderisa ata nuk sollën dëshmues, ata janë gënjeshtarë tek Allahu.” (En-Nur 13) Pra trilluesi është gënjeshtar. Edhe nëse akuzon atë që ka bërë imoralitet në të njëjtën kohë, sepse tregoi një lajm që nuk i lejohej ta tregonte, edhe pse ai tregon atë që di, sepse mori përsipër të thotë atë për të cilën nuk ka njohuri, dhe Allahu është më i Dijshmi.

Prandaj, shohim se shumë prej selefëve (të parëve tanë të mirë) e kishin problem të komentonin atë për të cilën nuk kishin njohuri. Siç transmeton Shu’beh, nga Sulejmani, nga Abdullah ibën Mur-reh, nga Ebi Ma’amer, i cili thotë se Ebu Bekër Es-Sid-dijku (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: Cila tokë do të më mbaj dhe cili qiell do më bëj hije nëse them në Librin e Allahut atë që nuk e di.

Ebu Ubejd Kasim ibën Sel-lam thotë: Na ka thënë Muhamed ibën Jezijd, nga El-A’uam ibën Hausheb, nga Ibrahim Et-Tejmij, se Ebu Bekri Es-Sid-dijku u pyet për fjalën e Allahut të Lartësuar: ”Dhe fruta, dhe Ab-ba (barishte e kullotë).” (Abese 31), dhe u përgjigj: Cili qiell do të më bëj hije dhe cila tokë do të më mbaj nëse them në Librin e Allahut atë që nuk e di.(Ky transmetim ka zinxhir të ndërprerë)

Ebu Ubejd gjithashtu thotë: Na ka thënë Jezijdi, nga Humejdi, nga Enesi, se Umer ibën El-Khattab lexoi mbi minber: ”Dhe fruta, dhe Ab-ba.” Dhe tha: Këto fruta i njohëm, ndërsa Ab-ba, çfarë është? Më pas u kthye në vetvete dhe tha: Ky është sforcimi o Umer.

Abëd ibën Humejd thotë:  Na ka thënë Sulejman ibën Harb, që thotë, na ka thënë Hammad ibën Zejd, nga Thabit, nga Enesi, i cili thotë: Ishim tek Umer ibën El-Khattab (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe mbi rrobën që kishte veshur kishte katër mballoma. Ai lexoi: “Dhe fruta, dhe Ab-ba.” Dhe tha: Çfarë është “Ab-ba”? Më pas tha: U ndaluam nga stërmundimi. E ç’të mundon nëse nuk e di.

Nga kjo kuptojmë, se ata të dy (Allahu qoftë i kënaqur me të dy),donin të zbulonin formën e “Ab-ba”, se përsa i përket faktit që është një bimë nga toka është diçka e qartë që dihet, se Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne e bëjmë drithin (grurin), të rritet në të, Dhe rrushtë… .”( Abese 27-28)

Ibën Xheriri thotë: Na ka thënë Ja’kub ibën Ibrahim, që thotë: Na ka thënë ibën Ulejjeh, nga Ejjubi, nga ibën Ebi Mulejke, i cili thotë se ibën Abbasi u pyet për një ajet, për të cilin nëse do të pyetej ndonjëri prej jush do të fliste për të, ndërsa ai refuzoi të fliste për të. Zinxhiri i transmetimit është i saktë.

Ebu Ubejd thotë: Na ka thënë Ismail ibën Ibrahim, nga Ejjubi, nga ibën Ebi Mulejke, që thotë: Një burrë pyeti ibën Abbasin për fjalën e Allahut ku thotë: “Një ditë, gjatësia e së cilës është sa një mijë vjet në llogarinë tuaj.” (Es-Sexhde 5) Dhe ibën Abbasi i tha atij: E ç’është: “Dita, përmasat e së cilës janë sa pesëdhjetë mijë vjet.” (El-Mearixh 4) Ai burri i tha: Unë të pyeta që të ma tregosh ti! Ibën Abbasi i tha: Ato janë dy ditë të cilat Allahu i përmendi në Librin e Tij dhe Allahu është më i Dijshmi për ato të dyja. Ibën Abbasi e pati të urryer të thoshte në Librin e Allahut atë që nuk e dinte.

Ibën Xheriri gjithashtu thotë: Më ka thënë Ja’kubi – d.m.th. ibën Ibrahimi, që thotë: Na ka thënë ibën Ulejje, nga Mehdi ibën Mejmun, nga El-Uelijd ibën Muslim që thotë: Talk ibën Habijb, erdhi tek Xhundub ibën Abdil-lah dhe e pyeti për një ajet në Kur’an. Ai tha: Do të kesh pasoja nga mua, por nëse je musliman çohu prej meje dhe ik, ose i tha, mos u ul me mua.

Maliku thotë: Nga Jahja ibën Seid, nga Seid ibën El-Musejjib, i cili kur pyetej për komentimin e ndonjë ajeti në Kur’an, thoshte: Ne nuk themi në Kur’an asgjë.

Lejthi thotë: Nga Jahja ibën Seid, nga Seid ibën El-Musejjib, i cili nuk fliste në Kur’an gjë tjetër përveç asaj që ishte e njohur.

Shu’be thotë: Nga Amër ibën Murreh i cili thotë se: Një burrë pyeti Seid ibën El-Musejjib për një ajet në Kur’an dhe ai i tha: Mos më pyet për Kur’anin, por po deshe pyet atë që pretendon se nuk i fshehet asnjë gjë, d.m.th.: Ikrimen.

Ibën Sheudheb thotë: Më ka thënë Jezijd ibën Ebi Jezijd, i cili thotë: E pyesnim Seid ibën El-Musejjib për hallallin dhe haramin dhe shihnim se ishte njeriu më i dijshëm, por kur e pyesnim për komentimin e ndonjë ajeti nga Kur’ani heshtëte, sikur të mos kishte dëgjuar.

Ibën Xheriri thotë: Më ka thënë Ahmed ibën Abdete Edh-Dhabbij, që thotë, na ka thënë Ham-mad ibën Zejd, që thotë, na ka thënë Ubejdullah ibën Umer, i cili thotë: Kam arritur Fukahatë e Medines, të cilët e konsideronin të madhe fjalën rreth komentimit të Kur’anit. Prej tyre ishte Salim ibën Abdullah, El-Kasim ibën Muhammed, Seid ibën El-Musejjib dhe Nafi’ë.

Ebu Ubejdi thotë: Na ka thënë Abdullah ibën Salih, nga Lejthi, nga Hisham ibën Ur’uete, që thotë: Nuk e kam dëgjuar asnjëherë  babanë tim të japë sugjerime për ndonjë ajet nga Libri i Allahut.

Ejjubi, Ibën A’un dhe Hisham Ed-Desteuaij, transmetojnë se Muhamed ibën Sirijn thotë: Njëherë, pyeta Abijdete Es-Selmanij për një ajet në Librin e Allahut dhe më tha: Ikën ata të cilët i dinin se për çfarë u zbrit Kur’ani? Kije frikë Allahun dhe përmbaju të saktës dhe goditjes në shenjë.

Ebu Ubejdi thotë: Na ka thënë Muadhi, nga ibën Aun, nga Abdullah ibën Muslim ibën Jesar, nga babai i tij, i cili thotë: Kur të flasësh prej Allahut, qëndro dhe shiko se çfarë ka para saj dhe ç’vjen pas saj.

Na ka thënë Hushejmi, nga Mugijre, nga Ibrahimi, i cili thotë se: Dijetarët tanë druheshin nga komentimi dhe e konsideronin diçka tepër të madhe.

Shu’be transmeton nga Abdullah ibën Ebi Es-Sefri, i cili thotë se Sha’bij thotë: Për Allahun! Unë kam pyetur për çdo ajet dhe nuk kam lënë asnjë ajet pa pyetur, por është transmetim nga Allahu i Lartmadhëruar.

Ebu Ubejdi thotë: Na ka thënë Hushejm, që thotë: Na ka thënë Umer ibën Ebi Zaideh, nga Sha’bij, nga Mesruku, i cili thotë: Kijeni frikë tefsirin(komentimin e Kur’anit), se ai padyshim që është transmetim nga Allahu.

Këto shprehje, si dhe të tjerat që kanë ardhur nga imamllarët e selefëve, nënkuptojnë se ata e kishin të vështirë të flisnin për komentimin e asaj për të cilën nuk kishin njohuri. Ndërsa kush flet për atë për të cilën ka njohuri gjuhësore dhe fetare, nuk ka bërë as edhe një shkelje. Për këtë arsye janë transmetuar shumë fjalë prej tyre dhe prej të tjerëve rreth komentimit të Kur’anit. Dhe kjo nuk përmban asnjë mospërputhje, sepse ata folën për atë që dinin dhe heshtën për atë që nuk dinin. Bile këtë duhet ta bëj çdokush, sepse ashtu sikurse njeriu duhet të heshti ndaj asaj për të cilën nuk ka njohuri, po ashtu e ka detyrë të thotë atë për të cilën pyetet dhe ka njohuri, siç Allahu i Lartësuar thotë: ”Për ta bërë të njohur e të qartë lajmin dhe të mos e fshihni atë.” (Al-Imran 187) Dhe siç është transmetuar nga rrugë të shumta në hadithin: “Kush pyetet për një dituri dhe e fsheh atë, do të lidhet me litarë zjarri Ditën e Kijametit.”

Hadithi që e transmeton Ebu Xa’fer ibën Xheriri është:

Na ka thënë Abbas ibën Abdul-Adhijm, që thotë: Na ka thënë Muhamed ibën Khalid ibën Athme, që thotë: Na ka thënë Xha’fer ibën Muhamed ibën Ez-Zubejrij, që thotë: Më ka thënë Hisham ibën Ur’uete, nga babai i tij, nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të), e cila thotë: Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) nuk komentonte gjë tjetër nga Kur’ani, me përjashtim të disa ajeteve që mund të numërohen, të cilat ia kishte mësuar Xhibrili (paqja qoftë mbi të) .  Më pas e transmetoi nga Ebu Bekër Muhammed ibën Jezijd Et-Tarsusij, nga Ma’ën ibën Isa, nga Xha’fer ibën Khalid, nga Hishami, po si ai.

Ky padyshim është hadith i urryer dhe garijb, dhe personi i quajtur Xha’fer është i biri i Muhammed ibën Khalid ibën Zubejr ibën El-A’uaam El-Kurashij Ez-Zubejrij, për të cilin Buhariu thotë: Hadithi i tij nuk pasohet. Ndërsa Hafidh Ebul-Fet’h El-Ezdij thotë: Hadithi i tij është i urryer.

Imam Ebu Xa’fer, foli rreth kësaj çështjeje, ku ndër të tjerash tha se: Këto ajete njihen vetëm nëpërmjet shpalljes nga Allahu, me anë të Xhibrilit, i cili i ka marrë prej Tij. Ky do të ishte një sugjerim i saktë nëse hadithi do të ishte i vërtetë. Ngase prej Kur’anit, ka gjëra me të cilat Allahu është veçuar me dijen e tyre, një pjesë tjetër e dijnë edhe dijetarët, një pjesë tjetër e njohin arabët nga gjuha e tyre dhe një pjesë tjetër e njohin të gjithë dhe nuk ka asnjëri arsye të mos e dijë. Ky është mendimi që shpalosi ibën Abbasi, siç transmeton ibën Xheriri, i cili thotë: Na ka thënë Muhammed ibën Besh-shar, që thotë: Na ka thënë Muem-mel, që thotë: Na ka thënë Sufjani, nga Ebiz-Zinad, nga El-A’rexh, i cili thotë: Ibën Abbasi thotë: Tefsiri është në katër lloje: Të parin e njohin arabët prej gjuhës së tyre, të dytin nuk ka asnjëri arsye që të mos e dijë, të tretin e njohin dijetarët dhe të katërtin nuk e di askush tjetër përveç Allahut.

Ibën Xheriri thotë: Po e njëjta gjë është transmetuar nga një zinxhir transmetimi, që është në pikëpyetje:

Më ka thënë Junus ibën Abdul-E’ala Es-Sadefij, që thotë: Na ka njoftuar ibën Uehb, i cili thotë: Kam dëgjuar Amër ibën El-Harith, se ky i fundit kishte dëgjuar nga El-Kelbij, nga Ebi Salih, Maula Ummu Hani’, nga Abdullah ibën Abbasi, se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur’ani ka zbritur në katër shkronja: Hallalli dhe harami të cilin nuk ka askush arsye të mos e dijë, komentimi që e komentojnë arabët, komentimi që e komentojnë dijetarët dhe ai që është muteshabih (jo krejt të qarta për t’u kuptuar nga njerëzit), që nuk i di askush tjetër përveç Allahut të Lartmadhëruar, dhe kush pretendon se atë e di dikush tjetër përveç Allahut ai është gënjeshtar.”

Pikëpyetja, për të cilën tregoi Ibën Xheriri, është për arsye të Muhammed ibën Es-Saib El-Kelbij, sepse hadithin e tij e kan lënë dhe nuk e kanë pranuar, e ndoshta ai gaboi kur e adresoi tek pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). E ndoshta ajo është prej fjalës së Ibën Abbasit, siç e parashtruam më lart dhe Allahu është më i Dijshmi për të saktën.

Përshtati në shqip: Bledar Ali