Kur hyn muaji i Ramazanit hapen dyert e qiellit

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Autori në librin e tij “Mishkatul-Mesabih” shkruan: “Kapitulli i agjërimit”.

Agjërim do të thotë: “Adhurim që i përkushtohet Allahut të Madhëruar duke u vetpërmbajtur nga gjërat që e prishin atë (ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime bashkëshortore etj.), duke filluar prej lindjes së agimit (të dytë) deri në perëndimin e diellit.”

Agjërimi është shtyllë prej shtyllave të Islamit me anë të të cilit nuk plotësohet Islami veçse me të. Kjo ka ardhur qartësisht në hadithin që e transmeton Abdullah bin Umeri, radijAllahu anhuma, se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Islami ngrihet mbi pesë (shtylla): Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit në Shtëpinë e Shenjtë (Qabe).” E transmeton Buhariu me nr. 8 dhe Muslimi me nr. 16.

Agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim sipas konsensusit (ixhmasë) të mbarë muslimanëve.

Ai është bërë obligim në vitin e dytë të hixhretit. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka agjëruar nëntë vite.

Në fillim të obligueshmërisë së agjërimit njerëzit ishin të lirë; kush donte agjëronte dhe kush dëshironte ushqente për çdo ditë një nevojtar (në vend të agjërimit). E më pas ai u bë obligim për secilin musliman.[1]

Më pas autori, Allahu e mëshiroftë, përmendi hadithet që kanë të bëjnë me muajin e Ramazanit. Muaji i Ramazanit gjendet mes muajit Shaban dhe muajit Sheual.

“(Ato ditë janë) Muaji i Ramazanit në të cilin është zbritur Kurani[2], udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gë njeshtra).”

Kur hyn muaji i Ramazanit hapen dyert e qiellit.

Në një transmetim thuhet: “… dyert e xhenetit.”

Në një transmetim tjetër: “… dyert e mëshirës.” Të gjitha këto kanë të njëjtin kuptim.

Pra, Allahu i Lartmadhëruar i hap këto dyer për të pranuar veprat nga njerëzit. Me këtë fjali është për qëllim inkurajimi (nxitja) për kryerjen e veprave të mira dhe shtimin e adhurimeve.

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte më bujari i njerëzve dhe ai ka qenë më bujar në muajin e Ramazanit. Kur i vinte Xhibrili, alejhis-selam, për t’i mësuar Kuranin, ai ishte më bujar se era e bereqetshme e dërguar me përgëzim për rënien e shiut.[3]

Po ashtu, në këtë muaj mbyllen dyert e xhehenemit për shkak të pakësimit të gjynaheve. Dyert e xhehenemit hapen për shkak të mëkateve të shumta, dhe kur ato mbyllen  kjo do të thotë se mëkatet pakësohen.

 

“Sherh Mishkatul-Mesabih” vëll. 2.

Përktheu: Unejs Sheme

———————————————-

[1] Në fillim të obligueshmërisë së agjërimit kur muslimanët nuk ishin mësuar të agjëronin, padyshim se agjërimi ishte i rëndë dhe i vështirë për ta. Kështu që Allahu me urtësinë e Tij ua ngarkoi gradualisht atë me mënyrën më të lehtë, duke u lënë të drejtën e zgjedhjes mes agjërimit dhe shpagimit edhe atyre që e përballonin agjërimin, por duke u bërë të ditur se agjërimi ishte më mirë për ta. Më pas agjërimi u bë detyrim i prerë për ata që e përballonin atë, ndërsa për ata që nuk e përballonin si p.sh. i moshuari etj. qëndroi gjykimi i përmendur në ajet: për të dhënë shpagim duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. Shejh Abdurrahman es-Sadi, Allahu e mëshiroftë.

[2] Kurani ka zbritur në natën e Kadrit të muajit të Ramazanit, prej “El leuhi el Mahfudh” (librit që është tek Allahu dhe ku është regjistruar çdo gjë), në qiellin e kësaj dynjaje. Pastaj me anë të Xhibrilit iu zbrit Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ndarë në pjesë dhe në periudha kohore sipas asaj që donte Allahu. Për këtë kanë ardhur disa transmetime nga Ibën Abasi dhe shokë të tjerë të Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ato i ka përmendur Taberiu me hollësi.

[3] Shih Buhariun me nr. 6 dhe Muslimin me nr. 2308.