Kush është më i dituri në hadith pas shejh Albanit?

August 12, 2017

Pyetje: Kush është njeriu më i dijshëm në tokë në diturinë e hadithit pas imam Albanit?

Përgjigje: Nuk i përgjigjet dot kësaj pyetjeje veçse ai që është më i dijshmi prej njerëzve. Por ajo që mendoj – dhe nuk e them këtë duke hiperbolizuar – dikur thoshin: “Kush lavdëron mësuesin e tij është sikur ka lavdëruar veten e tij.” Por unë shpresoj tek Allahu të jem i zhveshur nga ndikimet dhe emocionet kur e them këtë fjalë: Sikur dituria e hadithit që gjendet në kraharorët e njerëzve sot e cila është shpërndarë në zemra të grumbullohej tek një njeri i vetëm, nuk do të kishte arritur diturinë që kishte shejh Albani! Dituria e hadithit që gjendet në mendjet e njerëzve të shpërndarë në të gjithë dynjanë, sikur të merrnim atë që ka dikush në kraharorin e tij, dhe nga ky tjetri atë që ka në kraharor dhe ta mblidhnim në zemrën e një njeriu të vetëm, ajo që mendoj dhe që mbizotëron në mendjen time është se kjo sasi diturie që është grumbulluar nga çdonjëri nuk e arrin sasinë e dijes që kishte shejhu ynë Albani – Allahu e mëshiroftë!

Pasha Allahun, ndonjëherë lëkundem nga habia e madhe! A thua vërtetë ne jetuam me shejh Albanin?! U ulëm me të dhe morëm nga dituria e tij?! Apo këto janë vetëm ëndrra dhe imagjinatë?! Njëri prej vëllezërve tanë thoshte: E mendoja shejh Albanin si puna e Buhariut dhe e Muslimit, – d.m.th. si puna e dijetarëve të mëdhenj që kanë kaluar.

Mendoj se prej shumë dekadash nuk është shfaqur dijetar si ai. E disa prej të vegjëlve i zgjasin gjuhët e tyre kundër tij dhe për këtë Allahut i ankohemi. Por kështu e ka uji i bollshëm që rrjedh mbi tokë: Të gjithë marrin prej tij, njëri pi prej tij, njëri spërkatet prej tij, e një tjetër e ndot ujin (përpiqet ta dëmtojë). Por siç kanë thënë: Kur uji arrin sasinë e dy fuçive (sh.p. afërsisht 160 litra) nuk e dëmton pisllëku. Por disa njerëz – i kërkojmë Allahut mëshirë – janë të sëmurë.

Një beduin urinoi tek uji i Zemzemit. I thanë: Urinon tek Zemzemi!!!? Si mund të urinosh tek Zemzemi?! Tha: Dua të futem në histori që njerëzit të thonë; filani bëri kështu! Kështu janë disa njerëz. Tek Allahu ankohemi! S’ka ndryshim e as fuqi pa fuqinë e Allahut!

Loading...