Kush ishte i pari që ndërtoi shtëpinë e shenjtë (Qaben)?

July 19, 2017

Pyetja e katërt nga fetvatë me nr. 18648.

Pyetje: Kur Ibrahimi alejhi selam vendosi gurin e parë në ndërtimin e Qabes, a kishte qenë Qabja e ndërtuar më parë dhe më pas është prishur apo ai ishte i pari që e ndërtoi atë?

Përgjigje: Nuk kemi ndonjë argument të qartë të na tregojë se Qabja ka qenë e ndërtuar para Ibrahimit alejhi selam, porse janë transmetuar disa fjalë nga të parët tanë të mirë të cilët i kanë marrë nga pasuesit e Librit (Jehudët dhe të Krishterët) se Qabja ka qenë e ndërtuar që në kohën e Ademit alejhi selam. Më pas u rrënua dhe pastaj e rindërtoi atë Ibrahimi me urdhër nga Zoti i tij.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij të historisë “El Bidajetu ue Nihaje” ka thënë:

Nuk është transmetuar ndonjë argument i saktë që Qabja ka qenë e ndërtuar para Ibrahimit alejhi selam. Ata që argumentohen me ajetin “… vendi i shtëpisë (Qabes)” se ka qenë e ndërtuar para Ibrahimit, në këtë ajet nuk ka argument të qartë. Këtu qëllimi është vendi i përcaktuar në diturinë e Allahut, i miratuar në caktimin e Tij dhe i madhëruar nga të dërguarit e Tij, prej Ademit e deri në kohën e Ibrahimit.
Ne kemi përmendur më parë se Ademi i vendosi (Qabes) një kupolë dhe se melaiket i thanë: Ne kemi bërë tavaf para teje rreth kësaj shtëpie dhe anija (e Nuhut) është sjellë rreth saj (Qabes) për dyzet ditë, – e gjëra të ngjashme me këto. Të gjitha këto tregime janë nga pasuesit e Librit (jehudët dhe të krishterët), dhe ne kemi thënë për lajmet e tyre se këto lajme as nuk i besojmë e as nuk i mohojmë, ndaj nuk mund të merren si argumente këto tregime. E nëse këto lajme bien ndesh me të vërtetën atëhere janë të refuzuara.
Prej Allahut vjen suksesi! Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

Komisioni i përhershëm për studime akademike dhe fetva.

Përktheu: Ylli Rama

Dosje:

Loading...