Kush janë emrat e sures El Fatiha?

October 24, 2023

Surja El Fatiha është mekase dhe ajo ka shtatë ajete (vargje), dhe nuk ka asnjë kundërshti mes dijetarëve për këtë.

Emrat e saj janë:

1- Nëna e Kuranit, siç thotë i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem:

“Kush fal një namaz në të cilin nuk e lexon nënën e Kuranit ai namaz është i mangët, i mangët, i mangët e jo i plotë.” Transmeton Muslimi.

2- Nëna e librit. Imam Buhariu ka thënë: Është quajtur kështu për shkak se mus’hafi (Kurani) fillon me këtë sure dhe me të fillon leximi në namaz.

3- Shtatë vargje që përsëriten. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.” |El-Hixhr: 87.

4- Kurani madhështor. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm”. | El-Hixhr: 87.

Për këto katër emra është argument hadithi i Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve! Ajo është nëna e Kuranit, nëna e librit, shtatë vargje që përsëriten dhe Kurani madhështor.” Transmeton Tirmidhiu.

5- Hapësja e librit. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka namaz për atë i cili nuk lexon hapësen e librit.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kjo për shkak se me të fillohet leximi në faljen e namazit.

6- Namaz. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka transmetuar nga Zoti i tij ku thotë: “E kam ndarë faljen e namazit ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy pjesë. Kur robi thotë: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve”, – Allahu thotë: “Më ka lëvduar robi Im……” Transmeton Muslimi.

Është emërtuar hapësja e namazit sepse është kusht leximi i saj në namaz.

7- Falënderim. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve!” 

8- Rukje (shërim me anë të Kuranit). Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i është drejtuar Ebu Saidit: “Dhe si e dije se ajo (Fatihaja) është rukje?”

9- Baza e Kuranit. E ka emëruar kështu Ibën Abasi.

10- Ruajtësja. E ka emëruar kështu Sufjan ibën Ujejne.

11- E mjaftueshmja. E ka emëruar kështu Jahja ibën Kethir.

 

Marrë nga libri: “Komentimi i sures më madhështore”.

Autor: Xhemil Zejno

Përktheu: Bledar Lika

Dosje: ,

Loading...