43/45 (Sahih) Na ka treguar Suvejd bin Seid dhe Ahmed bin Thabit el Xhehderij nga Abduluehab eth-Thekafij, nga Xhafer bin Muhamed, nga babai i tij, nga Xhabir bin Abdullah se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ligjëronte i skuqeshin sytë, e ngrinte zërin dhe i shtohej zemërimi sikur udhëheqësi që paralajmëron ushtrinë nga rreziku i armikut. Ai thoshte: Do t’ju vijë armiku në mëngjes dhe në mbrëmje.
Dhe thoshte: Jam dërguar unë dhe Kjameti si këta dy gishta, – duke treguar gishtin tregues dhe gishtin e mesit. Pastaj thoshte: E në vazhdim! Çështja më e mirë që gjendet mes jush është Libri i Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit. Çështjet më të këqija janë shpikjet në to dhe çdo risi (bidat) është humbje. Kush lë pasuri ajo i takon familjes së tij, ndërsa kush lë borxhe apo familje shlyerja e borxhit dhe kujdestaria e tyre më takon mua.”[1]
44/47 (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Halid bin Hidash nga Ismail bin Ulejeh, nga Ejubi, nga Ahmed bin Thabit el Xhehderij, nga Jahja bin Hakim, nga Abduluehab, nga Ejubi, nga Abdullah bin Ebi Mulejkeh, nga Aisha radijAllahu anha se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lexoi këtë ajet: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë plotësisht të kuptueshme e ato janë baza e librit,[2] kurse (ajete) të tjera që janë jo plotësisht të kuptueshme.[3]“[4] Deri te fjala e Allahut: “Por nuk marrin mësim veçse njerëzit që kanë mendje.” Dhe (Profeti alejhis-selam) tha: “O Aishe! Kur të shohësh ata që polemizojnë në lidhje me Kuranin, dije se këta ka pasur për qëllim Allahu Lartësuar, prandaj bëj kujdes prej tyre.”[5]
45/48 (Hasen) Na ka treguar Ali bin el Mundhiri nga Muhamed bin Fudajl, nga Hautherah bin Muhamed, nga Muhamed bin Bishr, nga Haxhaxh bin Dinar, nga Ebi Galib, nga Ebi Umameh se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka humbur ndonjë popull pas udhëzimit që ishin veçse janë marrë me polemikë.” Pastaj lexoi këtë ajet: “… sepse janë popull grindavec.[6]“[7]
Përktheu: Unejs Sheme
——————————————————————————
[1] Muslimi 867, Nesaiu 1578, “El irvau” 608 dhe “Tuhfeh” 2599.
[2] Tek të cilat kthehet çdo gjë e paqartë dhe me shumë kuptime. Të kësaj natyre janë shumica e ajeteve të Kuranit.
[3] Domethënien e tyre nuk e kuptojnë shumë njerëz për shkak se domethënia e tyre është e përgjithshme, ose sepse u shkon në mendje diçka tjetër që nuk është për qëllim etj.
[4] Al Imran: 7.
[5] Buhariu 4547, Muslimi 4598, Tirmidhiu 2994, “Dhilalul xhenneh” 5 dhe “Tuhfeh” 16236.
[6] Ez-Zuhruf: 58.
[7] “Sahihu et-tergib” 58, Tirmidhiu 3252 dhe “Tuhfeh” 4936.
Dosje: Suneti