Llojet e ajeteve të paqarta në Kuranin famëlartë

March 22, 2023

Ajetet e paqarta që ndodhen në Kuran janë dy llojesh.

Lloji i parë: Reale, sepse njeriu nuk ka mundësi t’i dijë ose të ketë njohuri rreth tyre si është natyra e vërtetë e cilësive të Allahut të Lartësuar. Edhe pse ne e dimë kuptimin e këtyre cilësive nuk jemi në gjendje ta perceptojmë natyrën e vërtetë të tyre apo si mund të jenë ato. Siç thotë Allahu i Lartësuar: “Kurse ata nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Allahut.” |Ta Ha: 110|

Si dhe fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.” |En’am: 103|

Kur Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, u pyet për thënien e Allahut: Si u lartësua? – Ai tha: Kuptimi i istiuas (ngritjes mbi Arsh) është i njohur, forma e saj nuk mund të kuptohet, pohimi është besim, mohimi i istiuas është mosbesim (kufër), dhe të pyesësh për formën e saj është bidat.

Prandaj nuk duhen bërë pyetje të këtij lloji për shkak të pamundësisë për të arritur përgjigjen. Nga fjalët e Imam Malikut kuptohet se modaliteti i lartpërmendur nuk njihet nga njerëzit, ndërsa kuptimi i tij gjuhësor është i njohur dhe do të thotë të jetë i lartë.

Lloji i dytë: Relativ. Pra, mund të jetë i paqartë për disa njerëz dhe i qartë për disa të tjerë. Këto ajete janë të qarta për dijetarët e thelluar në dije dhe jo për të tjerët. Për këtë lloj lejohet të bëhen pyetje duke kërkuar shpjegime për të arritur në kuptimin e tyre, pasi që nuk ka asgjë në Kuran që nuk mund tu shpjegohet njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është sqarim dhe udhëzim për njerëzit, si dhe këshillë e mirë për të devotshmit.” |Al Imran: 138|

“Dhe Ne të zbritëm Librin si sqarues për çdo çështje.” |En Nahl: 89|

 “Dhe kur ta lexojmë atë përcille leximin e tij! Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë atë.” |El Kijame: 18-19|

“O ju njerëz, me të vërtetë ju ka ardhur një argument bindës nga Zoti juaj dhe u kemi zbritur udhëzimin e qartë.” |En Nisa: 174|

Shembujt e këtij lloji janë të shumtë. Prej tyre është fjala e Allahut: “Nuk ka asgjë si Ai.” Prej këtij ajeti njerëzit që i mohojnë cilësitë e Allahut kuptuan se kjo kërkon mohimin e atributeve të Allahut, duke pretenduar se pohimi i cilësive të Allahut nënkupton ngjashmërinë e Tij me krijesat. Dhe kështu u larguan nga ajetet e shumta që pohojnë dhe vërtetojnë cilësitë e Allahut, edhe pse pohimi i kuptimit të një cilësie nuk nënkupton ngjashmërinë e Tij me krijesat.

Shembull për këtë është fjala e Allahut: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” |En Nisa: 93|

Ky ajet u keqkuptua nga ata që marrin parasysh vetëm ajetet paralajmëruese, dhe kështu kuptuan se kushdo që me dashje vret një besimtar ai do të jetë përgjithmonë në zjarr. Ata e aplikuan këtë për çdo person që kryen një mëkat të madh, duke i lënë anash ajetet e tjera që pohojnë se të gjitha mëkatet përveç idhujtarisë janë lënë në vullnetin e Allahut, dhe Ai mund t’i falë ose jo.

Në këtë kategori është edhe fjala e Allahut: “A nuk e dini se Allahu e di atë që është në qiej dhe në tokë? Me të vërtetë, të gjitha janë në Libër dhe gjithçka është e lehtë për Allahun.” Ky ajet u keqkuptua nga Xhebritë[1] të cilët kuptuan prej tij se; një individ është i detyruar të bëjë veprimet e tij. Ata gjithashtu pohuan se individi nuk ka asnjë zgjedhje, vullnet apo fuqi në veprimet e tij. Kështu u larguan nga ajetet që tregojnë se individi ka zgjedhjen, vullnetin dhe fuqinë e tij, dhe se veprimet që ai bën janë dy llojesh: Ato që i bën sipas zgjedhjes së tij dhe ato në të cilat nuk ka asnjë zgjedhje. Dijetarët e thelluar në dije dhe njerëzit e zgjuar dinë t’i harmonizojnë dhe t’i përputhin këto ajete që janë muteshabihe (të paqarta) me ajetet e tjera, dhe kështu i gjithë Kurani është tërësisht i qartë në atë mënyrë që asgjë nuk mbetet e paqartë.[2]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Autori: Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————–

[1] Një sekt i devijuar i cili u shfaq në periudhën e hershme të Islamit. Ky sekt beson se njerëzit nuk kanë zgjedhje në veprimet që bëjnë, duke kundërshtuar kështu rrugën e Profetit salAllahu alejhi ve sel-lem. Sh.p.

[2] Shih librin “Usul fi ilmi tefsir” të shejh Muhamed Ibën Salih el Uthejmin.

Dosje:

Loading...