Nga Abdullah ibn Umer, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se kur i Dërguari i Allahut lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të drejtohej mbi devenë e tij dhe nisej për udhëtim bënte tekbir (thoshte: Allahu ekber) tri herë, pastaj thoshte: “Subhanel-ledhi sekh-khara lena hadha ue ma kun-na lehu mukrinin. Ue inna ila rabbina le munkalibun. All-llahumme inna nes’eluke fi seferina hadha el bir-ra uet- takua, ue minel ameli ma terda. All-llahumme heu-uin alejna seferana hadha uetui anna bu’deh. All-llahumme entes-sahibu fis-sefer, uel khalifetu fil ehl. All-llahumme inni neudhu bike min ua’thais-sefer, ue keabetil mendhar, ue suuil munkalebi fil mali uel ehli uel ueled.”
(I Patëmeta është Ai që na e nënshtroi këtë (kafshë, mjet udhëtimi) dhe ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë. Ne te Zoti ynë do të kthehemi. O Allahu im! Të kërkojmë Ty në këtë udhëtim veprat e mira dhe devotshmërinë dhe prej punëve ato që Ti i do! O Allahu ynë! Na i lehtëso këtë udhëtim dhe na shkurto largësinë e tij! O Allah, Ti je shoqëruesi ynë në këtë udhëtim dhe Ai në dorë të të Cilit i besojmë familjet tona pas vetes! O Allah, ne të kërkojmë mbrojtje nga vështirësitë e udhëtimit dhe prej shikimeve të këqija, nga kthimi i keq në pasuritë, familjet dhe fëmijët tanë!)
Dhe kur kthehej i thoshte përsëri këto fjalë, dhe shtonte: “Ajibune taibune abidune li rabbina hamidun” (U kthyem të penduar, adhurues, ndaj Zotit tonë falënderues).
Transmeton Muslimi.[1]
Në këtë hadith ka përfitime madhështore që lidhen me udhëtimin. Këto lutje kanë përfshirë; kërkesën për dobitë fetare që janë gjëja më e rëndësishme, dhe përfitimet e kësaj bote, për arritjen e gjërave të pëlqyera dhe largimin e të urryerave, falënderimin ndaj Allahut, përkujtimin e mirësive të Tij dhe bujarisë së Tij. Udhëtimi përfshin adhurimin e Allahut dhe afrimin tek Ai.
Kështu fjala e tij: “Kur i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, drejtohej mbi devenë e tij dhe nisej për udhëtim, bënte tekbir (thoshte: Allahu ekber) tri herë.” Ky është fillim i udhëtimit me madhërimin e Allahut dhe lavdërimin e Tij, ashtu siç edhe e mbyllte me atë.
Dhe fjala e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “I Patëmeta është Ai që na e nënshtroi këtë (kafshë, mjet udhëtimi) dhe ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë, dhe ne te Zoti ynë do të kthehemi.” Këtu ka lavdërim ndaj Allahut për atë që na i ka nënshtruar këto mjete të cilave u hipim, të cilat mbartin për ne pesha të rënda dhe njerëzit deri në vendet më të largëta, dhe përshkojmë me to largësi të mëdha. Kjo është mirënjohje ndaj dhuntive të Allahut në këto mjete udhëtimi. Këtu hyjnë kafshët si; devetë (kuajt etj.) dhe anijet që lundrojnë në det, automjetet tokësore dhe detare. Të gjitha këto hyjnë këtu. (sh.p. tek mjetet që na i ka nështruar Allahu.)
Prandaj Nuhu, paqja qoftë mbi të, u tha atyre që hipën me të në anije: “Dhe tha hipni në të me emrin e Allahut, ndodh lundrimi i saj dhe qëndrimi (ankorimi) i saj.” | Hud: 41 |
Këto mjete që u hipim, shkaqet dhe plotësueset e tyre janë të gjitha prej begative të Allahut, Ai na i ka nënshtruar ato. Prandaj është detyrë për robërit që ta njohin mirësinë e Allahut në to, sidomos në çastin që i përdorin.
Këtu përkujtohet gjendja që nuk do të arrihej sikur të mos ishte mirësia e Krijuesit. Kjo nxirret prej fjalës së tij: “… dhe ne nuk do kishim mundësi ta bënim këtë”. Sikur çështja të ishte në dorën tonë dhe mundësitë tona ne do ishim më të dobëtit në dituri, në fuqi dhe në vullnet. Por Ai i Lartësuari na i nënshtroi kafshët[2] dhe i mësoi njeriut sesi t’i ndërtojë automjetet e të gjitha llojeve. Siç na kujton Allahu lehtësimin e prodhimit të mburojave të luftës, kur thotë: “Dhe i mësuam prodhimin e veshjeve për ju që t’iu mbrojnë nga dëmtimi i njëri-tjetrit, pra a nuk jeni falënderues?” | Enbija: 80 |
Prandaj është detyrë për krijesat që ta falënderojnë Allahun sepse Ai u mësoi prodhimin e veshjeve mbuluese për vendet e turpshme, veshjet e përditshme, veshjet e luftës dhe mjetet për të. U mësoi prodhimin e anijeve detare, automjeteve tokësore dhe ajrore, u mësoi prodhimin e çdo gjëje që u duhet dhe u bën dobi. Ai zbriti hekurin në të cilin ka fuqi të madhe dhe dobi të shumta për njerëzit, por shumica e njerëzve janë të pavëmendshëm ndaj falënderimit të Allahut, madje janë kryeneçë dhe mendjemëdhenj dhe mburren me mendjemadhësi para njerëzve me këto mirësi të Allahut.
Në këtë hadith ka përkujtim me udhëtimin fizik në këtë dynja, për udhëtimin kuptimor drejt ahiretit, dhe kjo prej fjalës së tij: “… dhe ne tek Zoti ynë do të kthehemi”. Ashtu siç e filloi krijimin një herë Ai do ta rikthejë atë për t’i shpërblyer ata që bënë të këqija sipas asaj që punuan, dhe t’i shpërblejë ata që vepruan vepra të mira me shpërblimin më të mirë.
Dhe fjala e tij: “O Allahu im! Ne të kërkojmë në udhëtimin tonë veprat e mira dhe devotshmërinë, dhe prej punëve ato që Ti i do.” I kërkon Allahut që udhëtimi i tij të pëshkruhet me këtë cilësi të ndershme, të përmbajë të gjitha veprat e devotshme që lidhen me të drejtën e Allahut dhe me të drejtat e njerëzve, dhe të përmbajë devotshmëri e cila është ruajtja nga zemërimi i Allahut duke u larguar nga të gjitha gjërat që Ai i urren, prej fjalëve apo veprave, të dukshme apo të fshehta; ashtu siç i kërkoi edhe kryerjen e veprave që Allahu i do.
Kjo përfshin të gjitha adhurimet dhe gjërat që të afrojnë tek Allahu. Nëse udhëtimi është i tillë atëherë ai është udhëtim i suksesshëm dhe i begatë, dhe në udhëtimet e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem realizoheshin këto synime fisnike.
Pastaj i kërkoi ndihmë dhe lehtësim të vështirësive të udhëtimit duke thënë: “O Allahu ynë! Na i lehtëso udhëtimin tonë dhe na shkurto largësinë e tij!” Kjo ngase udhëtimi është një copë dënim (sh.p. është i vështirë dhe i mundimshëm) prandaj i kërkoi lehtësimin dhe shkurtimin e distancës së tij (që të mos ndihet). Kjo duke lehtësuar vështirësitë dhe sikletin dhe duke vendosur bereqet në udhëtim, ashtu që të kalojë distanca të mëdha pa mundim të madh. T’i lehtësojë shkaqet e shumta që ja bëjnë të rehatshëm udhëtimin, siç janë: rehatia e zemrës, shokët e përshtatshëm, lehtësimi i udhëtimit, siguria e rrugës prej frikrave, e të tjera shkaqe si këto.
Sa prej udhëtimeve zgjasin me ditë të tëra por megjithatë Allahu e bën atë të lehtë për njerëzit, e sa prej udhëtimeve të shkurtra bëhen më të vështira se çdo gjë tjetër. Kjo nuk ndodh veçse për shkak të lehtësimit nga Allahu, butësisë dhe ndihmës së Tij.
Po ashtu, ka njohje të mirësisë së Tij në fund siç e njohu mirësinë e Tij në fillim tek fjala: “… ndaj Zotit tonë falënderues”. Siç është detyrë për robin që ta falënderojë Allahun për suksesin që i dha në kryerjen e këtij adhurimi dhe nisjes së nevojës së tij, po ashtu duhet që ai ta falënderojë Allahun për plotësimin dhe përmbushjen në përfundimin e saj, sepse mirësia është e Tija, dhurimi është prej Tij dhe shkaqet i lehtësoi Ai. Allahu është Dhuruesi i mirësive të mëdha!
Përktheu: Emin Bilali
———————————————–
[1] Muslimi në kapitullin e haxhit, tema: ”Çfarë thotë kur i hipën kafshës për rrugëtimin për në haxh apo për destinacione të tjera” 1342.
[2] Sh.p.: Që janë shumë më të fuqishme se njeriu, dhe kështu e shikon kalin e madh dhe të fuqishëm apo devenë që është shumë e madhe në krahasim me njeriun, se si e tërheq një fëmijë i vogël apo i hipën dhe e drejton ku të dëshirojë!