Mendimi pozitiv për Allahun

February 23, 2022

Së pari: Të mendosh pozitivisht për Allahun e Lartësuar është një adhurim i madh zemre, por shumë njerëz nuk e kanë kuptuar këtë ashtu siç duhet. Ne do të mundohemi të shpjegojmë pikëpamjen e Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me këtë akt adhurimi, dhe të shpjegojmë se si gjeneratat e hershme e kuptuan dhe e zbatuan atë në praktikë.

Të mendosh pozitivisht për Allahun e Lartësuar do të thotë: Të besosh në atë që është e përshtatshme për Allahun e Lartësuar në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij, duke besuar gjithashtu në ndikimin e madh që ato kanë në krijimin e Tij. Për shembull; besimi se Allahu i Lartësuar i mëshiron ata që e meritojnë mëshirën dhe i fal ata nëse pendohen dhe kthehen tek Ai, dhe se Ai ua pranon veprat e mira dhe adhurimet. Si dhe duke besuar se Allahu i Lartësuar ka urtësi të madhe në gjithçka që dëshiron dhe vendos.

Kushdo që kujton se të menduarit pozitivisht për Allahun nuk lidhet medoemos me përpjekjen apo mundin që duhet të japë robi, gabon dhe nuk e ka kuptuar drejt këtë ibadet (adhurim zemre). Të menduarit pozitivisht për Allahun nuk mund të jetë i saktë nëse njeriu nuk i kryen detyrimet e Zotit apo nuk largohet nga mëkatet. Kush mendon kështu është i mashtruar dhe shpresa e tij është shpresë e përçmuar. Ai u ngjan Murxhive sepse kështu ndihet i sigurt nga kurthi (dënimi) i Allahut. Të gjitha këto janë probleme serioze që e çojnë njeriun drejt shkatërrimit.

Ibën Kajimi ka thënë: “Kjo nxjerr në pah dallimin mes të menduarit pozitivisht për Allahun dhe të qënit i mashtruar. Nëse mendimi pozitiv e motivon njeriun që të përpiqet në vepra të mira dhe e nxit në vepra të tilla, atëherë mendimi i tij i mirë për Allahun është i saktë. Por nëse kjo e bën atë të jetë dembel dhe të vazhdojë në mëkate, atëherë ai është i mashtruar. Të mendosh pozitivisht për Allahun është shpresë, kështu që nëse shpresa e një personi e shtyn atë të jetë i bindur ndaj Tij dhe e pengon nga mosbindja atëherë ajo është shpresë e shëndoshë. Por nëse ai e arsyeton neglizhencën e tij në bazë të shpresës dhe shpresa e shtyn të jetë neglizhent dhe i shkujdesur, atëherë ai veçse mashtrohet.” “Sëmundja dhe ilaçi” fq. 24.

Shejh Salih el Feuzani ka thënë: Të menduarit pozitivisht për Allahun duhet të shoqërohet me shmangie nga mëkati, përndryshe ai përfshihet në ndjenjën e sigurisë nga plani (ndëshkimi) i Allahut. Të menduarit pozitivisht për Allahun bashkangjitur me marrjen e masave që të çojnë tek e mira dhe marrjen e masave për t’u distancuar nga ato gjëra që çojnë në të keqe, përfshihet në atë që quhet shpresë e lavdërueshme.

Sa i përket mendimit pozitiv për Allahun duke mos kryer urdhërat e Tij në njërën anë dhe duke rënë në harame nga ana tjetër, kjo ndryshe quhet shpresë e qortueshme dhe siguri nga plani (dënimi) i Allahut. “El muntaka min fetaua” i Shejh el Feuzan 2/269.

Së dyti: Parimi themelor në lidhje me muslimanin është se ai duhet të mendojë gjithmonë pozitivisht për Zotin e tij. Situatat në të cilat kërkohet më shumë nga muslimani që të mendojë pozitivisht për Zotin e tij  janë dy:

1- Kur kryen adhurime.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: Unë jam ashtu siç mendon robi im dhe Unë jam me të kur më kujton. Nëse ai më kujton në vete edhe Unë e kujtoj atë në Veten Time; nëse ai më kujton në një tubim Unë e kujtoj në një tubim më të mirë se ai; nëse ai më afrohet një pëllëmbë Unë i afrohem sa një krah; nëse më afrohet sa një krah unë i afrohem sa një pash; nëse ai vjen tek Unë duke ecur Unë shkoj tek ai duke vrapuar.” Transmetohet nga Buhariu me nr. 7405 dhe Muslimi me nr. 2675.

Në këtë hadith mund të vërehet qartë lidhja ndërmjet të menduarit pozitivisht për Allahun me kryerjen e veprave të mira. Pas saj vjen inkurajimi për t’a përmendur Allahun e Lartësuar dhe për t’iu afruar Atij duke bërë vepra të mira. Pra, kushdo që mendon pozitivisht për Zotin e tij kjo duhet ta motivojë për të kryer vepra të mira.

Hasan el Basri ka thënë: “Me të vërtetë besimtari mendon pozitivisht për Zotin e tij prandaj ai bën vepra të mira, ndërsa keqbërësi mendon negativisht për Zotin e tij prandaj edhe bën vepra të këqija.” Transmeton Ahmedi në “Ez-Zuhd” fq. 402.

Ibën Kajimi ka thënë: Kushdo që mendon për këtë çështje ashtu siç duhet do të kuptojë se të menduarit pozitivisht për Allahun patjetër që do të shpier në kryerjen e veprave të mira. E vetmja arsye për të bërë vepra të mira është të menduarit pozitivisht për Zotin, besimi se Ai do ta shpërblejë për veprat e tij dhe do t’i pranojë prej tij. Pra, ajo që e motivon atë për të bërë vepra të mira është mendimi pozitiv për Allahun. Prandaj, sa më shumë që ai të mendojë pozitivisht për Allahun aq më të mira do të jenë veprat e tij. Por të mendosh pozitivisht për Allahun duke ndjekur tekat dhe dëshirat është një lloj dështimi.

Për ta përmbledhur: Të menduarit pozitivisht për Allahun mund të shoqërohet vetëm me marrjen e masave dhe përpjekjen për të shpëtuar veten. Por nëse një person ndjek rrugën e dënimit ky nuk mund të quhet mendim pozitiv. “Sëmundja dhe ilaçi”.

Ebu Abas el Kurtubi ka thënë: Është thënë se ajo që nënkuptohet nga kjo është të mendosh pozitivisht se Allahu do të përgjigjet kur të bësh lutje (dua), se Ai do t’a pranojë pendimin kur të pendohesh, se Ai do të falë kur të kërkosh faljen e Tij, se Ai do t’i pranojë veprat e mira kur i kryen sipas kushteve të përcaktuara, duke besuar fort se premtimi i Tij është i vërtetë dhe se mirësia e Tij është e bollshme.

Unë them: Kjo mbështetet edhe nga fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që thotë: “Lutjuni Allahut duke qenë të sigurt se Ai do t’iu përgjigjet.” Transmetohet nga Tirmidhiu me sened të saktë.

Ky qëndrim është i domosdoshëm edhe në rastin e pendimit dhe kërkimit të faljes, si dhe përpjekjes për të bërë atë që kërkohet duke qenë i sigurt se Allahu ka premtuar se do t’a pranojë pendimin e sinqertë dhe veprat e mira.

Sa i përket pritjes së faljes dhe mëshirës duke qenë njëkohësisht këmbëngulës në mëkate kjo është injorancë dhe mashtrim i pastër, dhe është e ngjashme me rrugën që ndoqën grupi i humbur i murxhive. “El mufhim sharh Muslim” 7/5-6.

2- Në kohë fatkeqësie dhe kur vdekja afrohet.

Transmetohet nga Xhabiri se e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue sel-lem të thotë tri ditë para se të vdiste: “Askush prej jush nuk duhet të vdesë vetëm se duke menduar pozitivisht për Allahun. ” Transmeton Muslimi me nr. 2877.

Në librin “El meusu‘ah el fikhijjeh” 10/220 thuhet: Besimtari është i obliguar të mendojë pozitivisht për Allahun e Lartësuar, dhe koha kur është më e rëndësishme të mendosh pozitivisht është kur njeriun e godet fatkeqësia dhe në momentet e vdekjes. El Hatabi ka thënë: “Është e rekomanduar për atë që është duke vdekur të mendojë pozitivisht për Allahun e Lartësuar. Të menduarit pozitivisht për Allahun theksohet veçanërisht në kohën e vdekjes dhe gjatë sëmundjes, por njeriu i përgjegjshëm duhet të mendojë pozitivisht për Allahun në çdo kohë. ” Shiko librin “Sherh Muslim” nga Neveviu 17/10.

Nga sa u tha më sipër bëhet e qartë se të menduarit pozitivisht për Allahun nuk duhet të shoqërohet me moskryerjen e detyrimeve apo bërjen e mëkateve. Kushdo që mendon se kjo do t’i sjellë dobi nuk i ka pohuar për Allahun në mënyrën e duhur emrat, cilësitë dhe veprimet që i përshtaten Atij. Në këtë mënyrë ai është duke ndjekur një rrugë që do t’a çojë në dënim. Sa i përket besimtarëve që e njohin Zotin e tyre ata bëjnë vepra të mira dhe mendojnë pozitivisht për Zotin, duke besuar se Ai do t’ua pranojë ato vepra. Ata mendojnë pozitivisht në kohën e vdekjes duke besuar se Ai do t’i falë ata dhe do t’i mëshiroji edhe pse kanë të meta, kështu që ata kanë shpresën se Ai do t’u japë mëshirë siç u ka premtuar.

Allahu e di më së miri!

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...