Mëso komentin e sures Ihlas

July 19, 2016

Kuptimi i ajeteve të sures Ihlas.

Allahu i Lartësuar e fillon këtë sure duke thënë: “Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!”

Ibën Xherir et Taberi ka thënë: “Thuaju o Muahmed atyre që pyesin për Zotin dhe cilësitë e Tij se Ai është Allahu të Cilin e adhuron gjithçka, dhe ky adhurim duhet të jetë vetëm për Të dhe nuk duhet t’i dedikohet dikujt tjetër veç Tij.”

Ibn Kethir ka thënë: “Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!” do të thotë se Ai është i Vetëm dhe i pashoq që nuk ka të krahasueshëm me të, nuk ka të barabartë, të ngjashëm apo të njëjtë. Këto cilësi thuhen vetëm për Allahun e Lartësuar, sepse Ai është i plotë në të gjitha atributet dhe veprimet e Tij. “Xhamiul bejan” 30/343.

Në ajetin e dytë Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është Absoluti të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.”

Ibën Abasi ka thënë: Es Samed (Absolut) do të thotë Ai që nuk ka brendësi.

Shabiu ka thënë: Es Samed do të thotë Ai që nuk ushqehet me ushqim.

Ebul Aliejh thotë: Ai që as nuk lind as nuk është i lindur.

Ndërsa Ibën Abasi për fjalën Es Samed thotë: Ai është Zoti i plotë në zotërimin e Tij. Fisniku, i plotë në fisnikërinë e Tij, Madhështori, i plotë dhe absolut në madhështinë e Tij. I Butë (ndaj krijesave) dhe absolut në butësinë e Tij. I Pasuri, i plotë në pasurinë e Tij. I Plotfuqishëm, absolut në fuqinë e Tij. I Gjithëditur, absolut në dijen e Tij. I Urtë, absolut në urtësinë e Tij. Është Ai që ka arritur absoluten në fisnikëri dhe zotërim. Ai është Allahu, këto janë atributet e Tij që nuk i takojnë askujt tjetër veç Tij.

Katade ka thënë: Es Samed do të thotë i Përhershmi.

Ibën Kethiri thotë: Hafidh Ebul Kasim Taberani në librin e tij “Suneti” pasi përcjell shumë prej këtyre fjalëve, thotë: “Të gjitha janë të sakta, të gjitha konsiderohen cilësi të Krijuesit të Lartësuar. Atij i përgjërohet gjithçka në amshim, tek Ai përfundon Zotërimi i gjithçkaje. Ai është Absoluti që nuk ka brendësi, nuk ushqehet dhe nuk pi. Ai është i Përhershmi pasi të vdesin krijesat e Tij.” “Tefsir el Kuran el adhijm” 4/570.

Në ajetin e tretë Allahu i Lartësuar thotë: “Ai as nuk lind as nuk është i lindur.”

D.m.th: Ai nuk ka fëmijë e as nuk ka lindur prej dikujt.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata thonë:I Gjithëmëshirshmi ka një bir.’ Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme!  Qiejt gati sa nuk coptohen prej kësaj; toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar ngaqë ata i mveshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre në Ditën e Kiametit do të dalë fill i vetëm para Tij.” | Merjem: 88-95.

Gjithashtu ka thënë: “Thuaj: ‘Çdo lavd e falënderim i përket Allahut i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm që të ketë nevojë për ndihmës. Dhe madhëroje Atë duke ngritur lart madhështinë Tij!” | El Isra: 111.

Ndërsa në sahihun e Buhariut përcillet se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: Askush nuk duron ndaj fjalëve lënduese më shumë se Allahu. Atij i mveshin fëmijë, e megjithatë Ai i furnizon dhe u jep shëndet.

E përcjell Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Musa el Eshari.

Ajeti i fundit në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Të!”

Ibën Abasi ka thënë: Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. I pastër nga të metat është Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari.

Muxhahidi rreth fjalës së Allahut që thotë: “Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Të!” ka thënë: D.m.th. nuk ka bashkëshorte.

Ndërkohë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Idhujtarët i shohin xhindët si ortak të Allahut ndërkohë që Ai i ka krijuar ata. Me padituri ata i kanë mveshur Atij djem e vajza. I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjthçka që ia mveshin! Ai është Krijuesi i qiejve dhe i tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë. Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!”

Buhariu përcjell nga Ebu Hurejra se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: Më përgënjeshtroi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë. Më ofendoi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë. Sa i përket përgënjeshtrimit, është fjala e tij: Zoti nuk do më kthejë (ringjallë) ashtu siç isha më parë dhe se rikthimi (i krijimit) nuk është më i lehtë për Mua se fillimi i tij. Sa i përket ofendimit qëndron tek fjala e tij: Allahu ka fëmijë, – ndërkohë që unë jam Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur, dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Të!”

Ebu el Abas bin Surejxh duke komentuar fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kur thotë për suren Ihlas se është e barabartë me 1/3 e Kuranit, thotë: Allahu e zbriti Kuranin në tri pjesë. Një e treta e tij ka të bëjë me dispozitat. Një e treta tjetër flet për atë që Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe kërcënimin ndaj jobesimtarëve. Ndërsa një e treta flet për emrat dhe cilësitë e Allahut. Kjo sure ka përmbledhur pikërisht 1/3 e këtij Kurani.

Shejhul Islam ibën Tejmije pas këtyre fjalëve thotë: Nuk ka dyshim se kjo fjalë është më e sakta. “Xheuabu ehlil ilmi uel ijman” fq. 9, 62.

Them: Është mirë të rikujtojmë edhe një herë çështjen e emrave dhe cilësive të Allahut. Në dy sahihët Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra përcillet se i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, ai që i mëson (përmendesh) dhe punon me to do të hyjë ne xhenet.” Ai (Allahu) është Tek dhe e do numrin tek.[1]

Çfarë mësojmë nga këto ajete?

1- Me anë të këtyre ajeteve njohim Allahun me emrat dhe cilësitë e Tij.

2- Në këto ajete pohohet njëhsimi i Zotit dhe profetësia.

3- Mësojmë se sa shpifje e madhe është t’i atribuosh Allahut sikur ka fëmijë.

4- Del në pah obligueshmëria e adhurimit të Allahut, të Vetëm dhe pa ortak, sepse vetëm Ai meriton të adhurohet dhe askush tjetër veç Tij.

Marrë nga libri: “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”.

Autor: Fejsal bin Abdul Aziz al Em Barek.

Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi.

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————————-

[1] Sa i takon shtjellimit (përmendjes) të emrave (të Allahut) në hadith ato janë përmendur tek Tirmidhiu, por kanë dobësi dhe nuk saktësohen nga Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Meshhur Hasen.

Dosje:

Loading...