Mëso komentin e sures Ihlas

July 19, 2016

Kuptimi i ajeteve të sures IHLAS (Kul hua Allahu)

Allahu i Lartësuar, e fillon këtë sure duke thënë: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!

Ibn Xherir et Taberi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Thuaju o Muahmed atyre që pyesin për Zotin dhe cilësitë e Tij, se Ai është Allahu të Cilin e adhuron gjithçka dhe ky adhurim duhet të jetë vetëm për Të dhe nuk duhet ti dedikohet dikujt tjetër veç Tij.

Ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Do të thotë: Ai është i Vetëm dhe i pashoq, që nuk ka të krahasueshëm me të, nuk ka të barabartë, të ngjashëm apo të njëjtë. Këto cilësi, thuhen vetëm për Allahun e Lartësuar, sepse Ai është i plotë në të gjitha atributet dhe veprimet e Tij. [Xhamiul Bejan 30/343].

Në ajetin e dytë, Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.”

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: Es Samed (Absolut) do të thotë: Ai që nuk ka brendësi.

Sha’biu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Es Samed, do të thotë: Ai që nuk ushqehet me ushqim.

Ebul Aliejh (Allahu e mëshiroftë) thotë: Ai që as nuk lind, as nuk është i lindur.

Ndërsa Ibn Abasi për fjalën “Es Samed” thotë: Ai është Zoti, i plotë në Zotërimin e Tij. Fisniku, i plotë në fisnikërinë e Tij. Madhështori, i plotë dhe absolut në madhështinë e Tij. I Butë (ndaj krijesave) dhe absolut në butësinë e Tij. I Pasuri, i plotë në pasurinë e Tij. I plotfuqishëm, absolut në fuqinë e Tij. I Gjithëditur, absolut në dijen e Tij. I Urtë, absolut në urtësinë e Tij. Është Ai që ka arritur absoluten në fisnikëri dhe Zotërim. Ai është Allahu, këto janë atributet e Tij që nuk i takojnë askujt tjetër veç Tij.

Katade ka thënë: “Es Samed” do të thotë: I përhershmi.

Ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë) thotë: Hafidh Ebul Kasim Taberaniu, në librin e tij “Suneti” pasi përcjell shumë prej këtyre fjalëve thotë: Të gjitha janë të sakta, të gjitha konsiderohen cilësi të Krijuesit të Lartësuar. Atij i përgjërohet gjithçka në amshim, tek Ai përfundon Zotërimi i gjithçkaje. Ai është Absoluti që nuk ka brendësi, nuk ushqehet dhe nuk pi. Ai është i Përhershmi, pasi të vdesin krijesat e Tij. [Tefsir el Kuran el Adhijm 4/570].

Në ajetin e tretë, Allahu i Lartësuar thotë: “Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.”

D.m.th: Ai nuk ka fëmijë, e as nuk ka lindur prej dikujt.

Allahu i Lartësuar thotë: Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme!  Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar,  ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij. [Merjem 88-95].

Gjithashtu ka thënë: “Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!” [Isra 111].

Ndërsa në sahihun e Buhariut, përcillet nga Profeti (alejhi selam) të ketë thënë: Askush nuk duron ndaj fjalëve lënduese më shumë se Allahu. Atij i mveshin fëmijë, e megjithatë Ai i furnizon dhe u jep shëndet. [E përcjell Buhariu, Muslimi nga Ebu Musa el Eshari].

Ajeti i fundit, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: Asgjë nuk i shembëllen Atij. I pastër nga të metat është Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari.

Muxhahidi rreth fjalës së Allahut ku thotë: Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” Ka thënë: D.m.th nuk ka bashkëshorte.

Ndërkohë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Idhujtarët i shohin xhindet si ortakë të Allahut, ndërkohë që Ai i ka krijuar ata. Me padituri, i kanë veshur Atij djem e vajza. I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjthçka që ia veshin ata! Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë. Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!”

Buhariu, përcjell nga Ebu Hurejra se Profeti (alejhi selam) ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: Më përgënjeshtroi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë. Më ofendoi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë. Sa i përket përgënjeshtrimit, është fjala e tij: Zoti nuk do më kthejë (ringjallë) ashtu siç isha më parë dhe se rikthimi (i krijimit) nuk është më i lehtë për Mua se fillimi i tij. Sa i përket ofendimit, qëndron tek fjala e tij: Allahu ka fëmijë, ndërkohë që unë jam Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”.

Ebul Abas bin Surejxh duke komentuar fjalën e Profetit (alejhi selam) kur thotë për suren “Ihlas” se është e barabartë me 1/3 e Kuranit, thotë: Allahu e zbriti Kuranin në tri pjesë: Një e treta e tij ka të bëjë me dispozitat. Një e treta tjetër flet për atë që Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe kërcënimin ndaj jobesimtarëve. Ndërsa një e treta, flet për emrat dhe cilsitë e Allahut. Kjo sure, ka përmbledhur pikërisht 1/3 e këtij Kurani.

Shejhul Islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) pas këtyre fjalëve thotë: Nuk ka dyshim se kjo fjalë është më e sakta. [Xheuabu ehlil Ilmi uel Ijman fq 9,62].

Them: Është mirë të rikujtojmë edhe një herë çështjen e emrave dhe cilësive të Allahut. Në dy sahihet, Buahriu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se i dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, ai që i mëson (përmendesh) dhe punon me to, do të hyjë ne xhenet.”  Ai (Allahu) është Tek dhe e do numrin tek.[1]

Çfarë mësojmë nga këto ajete?

1- Me anë të këtyre ajeteve, njohim Allahun, me emrat dhe cilsitë e Tij.

2- Në këto ajete, pohohet njëhsimi i ZOTIT dhe profetësia.

3- Mësojmë se sa shpifje e madhe është ti atribuosh Allahut sikur ka fëmijë.

4- Del në pah obligueshmëria e adhurimit të Allahut, të Vetëm dhe pa ortak, sepse vetëm Ai meriton të adhurohet dhe askush tjetër veç Tij.

Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”

Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).

Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et Tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi (Allahu e ruajtë).

Përktheu Fatjon Isufi

 

[1] Sa i takon shtjellimit (përmendjes) së emrave (të Allahut) në hadith, ato janë përmendur tek Tirmidhiu, por kanë dobesi dhe nuk saktësohen nga Profeti (alejhi selam). Meshhur Hasen

Loading...