SURJA EL MESED
Mekase, 5 vargje.
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
- Iu thafshin duart Ebu Lehebit[1] dhe u thaftë në gjithçka!
- Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.
- Ai me siguri do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara.
- Po ashtu edhe gruaja e tij që mbart drutë e zjarrit.
- Në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.
Komenti i ajeteve.
Katade duke komentuar fjalën e Allahut që thotë: “Iu thafshin duart Ebu Lehebit” d.m.th: U shkatërroftë.
Ibën Kethiri thotë: Pjesa e parë e ajetit “Iu thafshin duart Ebu Lehebit” është lutje kundër tij, ndërsa pjesa tjetër: “Dhe u thaftë në gjithçka!” Është kallëzues për atë që ka për t’i ndodhur. “Tefsir Kuran el adhijm” 4/574.
Muxhahidi për fjalën e Allahut që thotë: “Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.” Ka thënë: “fitimet e tjera” janë për qëllim fëmijët e tij.
Nga Ibën Abasi përcillet se një ditë pa disa fëmijë të Ebu Lehebit duke u zënë me njëri-tjetrin, dhe ai shkoi t’i ndante duke thënë: Këta janë ajo që ai fitoi.
“Ai me siguri do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, po ashtu edhe gruaja e tij që mbart drutë e zjarrit.”
Ibën Abasi thotë: Gruaja e tij mbarte ferra dhe gjemba dhe i hidhte në rrugën ku kalonte Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
“Në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.”
Ibën Zejd ka thënë: Në qafën e saj do të ketë një litar të thurur nga një pemë që rritet në Jemen, e që quhet Mesed.
Ndërsa Dahaku e të tjerë kanë thënë: Në këtë botë do të jetë litar prej fijesh palme, ndërsa në botën tjetër do të jetë prej zjarri.
Shkaku i zbritjes së këtyre vargjeve.
Ibën Abasi thotë: Në kohën kur Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem iu shpall ky ajet: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm.” | Esh Shuara: 214, i Dërguari i Allahut u ngjit mbi kodrën Safa në Mekë dhe thirri me zë të lartë: O bijtë e Hashimit, o bijtë e Abdul Mutalibit, o bijtë e Fihrit, o bijtë e fisit filan! Si mendoni, nëse do tu tregoja se një ushtri me kuaj qëndrojnë pas këtij mali dhe duan t’iu sulmojnë, a do të më besonit? Ata thanë: Po, patjetër.
Atëherë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u tha: “Dijeni atëherë se unë jam paralajmërues për ju para se t’iu vijë dënimi i dhembshëm.”
Ebu Lehebi që ishte prezent, tha: Mallkuar qofsh gjithë këtë ditë, a për këtë na mblodhe? Pas kësaj (ngjarjeje) zbritën vargjet ku Zoti i Lartësuar thotë: “Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka!” E përcjell Buhariu dhe Muslimi.
Ndërsa Rabia bin Abad ed Dejli thotë: E kam parë Profetin sal-lallahu alejhi ve sel-lem në kohën e injorancës sime para se të hyja në Islam, në tregun Dhil Mexhaz duke thënë: “O njerëz, thoni: La ilahe ila Allah (Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut), që të shpëtoni.” Ndërkohë njerëzit ishin mbledhur rreth tij dhe fare pranë tij qëndronte një burrë me fytyrë të pashme, me sy të shtrembër dhe bishtaleca, duke thënë: Ky është Sab’i[2] gënjeshtar! Ai e ndiqte kudo që shkonte. Unë pyeta për të dhe më thanë: Ky është xhaxhai i tij Ebu Lehebi.
E përcjell Ahmedi 3/492, 4/341.
Esma bint Ebi Bekër thotë: Kur zbritën fjalët e Allahut: “Iu thafshin duart Ebu Lehebit”, Umu Xhemil bint Harb (bashkëshortja e Ebu Lehebit) që nuk shihte me njërin sy, erdhi duke ngritur zërin si në të vajtuar duke thënë: “Të nënçmuarin (Muhamedin) e refuzuam, fenë e tij e mohuam dhe urdhërin e tij e kundërshtuam.”
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem po qëndronte në xhami (Qabe) bashkë me Ebu Bekrin. Kur e pa Ebu Bekri i tha Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: O i Dërguar i Allahut, ajo po vjen dhe kam frikë për ty se ka për të të parë.
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: “Ajo nuk ka për të më parë.” Ai lexoi Kuran që të mbrohej me të, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Kur ti (Muhamed) lexon Kuranin, Ne vendosim një perde të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në jetën e ardhshme.” | El Isra: 45.
Ajo erdhi dhe qëndroi përballë Ebu Bekrit por nuk e pa Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ajo tha: “O Ebu Bekër, më kanë thënë se shoku yt më ka sulmuar me fjalë. Ai tha: Betohem në Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), ai nuk të ka sulmuar me fjalë. Ajo u largua duke thënë: Të gjithë kurejshët e dinë se unë jam e bija e zotëriut të tyre.”
E përcjell Humejdi në Musnedin e tij 1/154 dhe nga e njëjta rrugë Ibën Ebi Hatim, siç ka thënë Ibën Kethiri në Tefsirin e tij 4/464 si dhe Hakimi 2/361 i cili e ka saktësuar, dhe këtë saktësim e ka miratuar edhe imam Dhehebiu.
Çfarë mësojmë nga këto ajete?
1- Mësojmë gjykimin e prerë të Zotit për shkatërrimin e Ebu Lehebit dhe prishjen e kurtheve të tij të cilat mundohej t’i thurte Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
2- As pasuria dhe as fëmijët nuk e ndihmojnë dhe nuk e mbrojnë njeriun nga dënimi i Allahut, përderisa ky njeri vepron gjëra që e zemërojnë dhe nuk e gëzojnë Atë (Allahun e Lartësuar).
3- Mësojmë ndalimin e lëndimit të besimtarëve në mënyrë të prerë.
4- Të afërmit, farefisi etj. nëse janë prej atyre që i bëjnë ortak Zotit në adhurim, kjo afërsi gjaku dhe ky farefis nuk ndikojnë dhe as nuk bëjnë dobi. Ebu Lehebi ishte xhaxhai i Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e megjithatë ai do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara.
Marrë nga libri: “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”.
Autor: Fejsal bin Abdul Aziz al Em Barek.
Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et tefasir”, me autor Ebu Bekr el Xhezairi.
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————————————————-
[1] Ebu Lehebi (babai i flakës) ishte nofka e Abdul Uzzas, të birit të Abdul Mutalibit, xhaxhait të Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Kur u bë kryetar i fisit të Hashimive pas vdekjes së Ebu Talibit, ai refuzoi ta vazhdonte mbrojtjen fisnore për Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe e la atë të ekspozuar ndaj armiqësisë së idhujtarëve.
[2] Një sekt i përzier judeo-kristian.
Dosje: Kurani
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi