Mëso rreth sures “El Ma’un” (Nderi i vogël)

February 12, 2017

SURJA EL-M‘ÛN

Mekase – 7 vargje

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

  1. A e ke parë atë që mohon Ditën e Llogarisë?
  2. Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët
  3. dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit.
  4. Mjerë për ata, të cilët kur falen,
  5. janë të pakujdesshëm për namazet,
  6. të cilët duan vetëm që të duken
  7. dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve (sendin më të vogël).

Kuptimet e Ajeteve

Ibn Xherir et Taberi në librin “Xhamiu el Bejan” ka thënë:

Fjala e Allahut: “A e ke parë?” Është formë pyetëse, e shoqëruar me mënyrën habitore.

Fjala e Allahut: “Atë që mohon Ditën e Llogarisë?” D.m.th, Ditën e shpërblimit dhe të ringjalljes.

Fjala e Allahut: “Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët.” Katade (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Është për qëllim ai që i poshtëron dhe u bën padrejtësi atyre (jetimëve).

Fjala e Allahut: “Dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit.”  Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: D.m.th të varfërit që nuk posedon asgjë për të jetuar apo për tu mjaftuar.[1]

Fjala e Allahut: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet,”

Ibn Abasi ka thënë: Janë ata që e vonojnë namazin nga koha e tij (e caktuar).

Ibn Ebza ka thënë: Ata që e vonojnë namazin e detyrueshëm, duke e lënë të dalë nga koha e caktuar.

Fjala e Allahut: “Janë të pakujdesshëm për namazet.” Muxhahidi ka thënë: Janë të hutuar ndaj tij.

Ndërsa Dahaku (Allahu e mëshiroftë) për ajetin: “Janë të pakujdesshëm për namazet,  të cilët duan vetëm që të duken.” Ka thënë: Janë për qëllim hipokritët..

Fjala e Allahut: “Dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.” Ibn Abasi ka thënë: Atë ndihmë me të cilën njerëzit ndihmohen mes veti,  qoftë duke dhënë sopatën, enën, kovën, apo sende të ngjashme.

 

Çfarë përfitojmë nga këto ajete?

1-Pohimin e besimit në ringjalljen dhe ditën e llogarisë

2- Çdo zemër që është e zbrazur nga besimi në ditën e ringjalljes, konsiderohet zemër e keqe dhe nuk posedon asnjë lloj vlere.

3-Qortimi i rëndë për ata që hanë pasurinë e jetimëve dhe i zbrapsin nga e drejta që u takon në formë nënçmimi dhe poshtërimi.

4-Qortimi i shoqëruar me kërcënim, për ata që nuk tregohen të kujdeshshëm ndaj namazit, duke mos i kushtuar vëmendje se në çfarë kohe e falin dhe se një veprim i tillë konsiderohet prej shenjave të hipokrizisë.

5-Mos dhënia e ndihmës është cilësi e hipokritëve. Të ndalosh diçka për të cilën Muslimanët kanë nevojë, një njeri i tillë nuk është prej tyre. Bazuar në hadithin ku Profeti (alejhi selam) ka thënë: Ai që nuk interesohet për çështjet e Muslimanëve, nuk është prej tyre. E si qëndron puna me atë që nuk u jep diçka që konsiderohet vlerë për atë që e jep, ndërsa nevojë për ata (që e marrin)?

Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”

 Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).

 Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et Tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi (Allahu e ruajtë).

 Përktheu Fatjon Isufi

 

[1] Tefsiru el Kuranil Adhijm 4/554.

Loading...