Mësoja fëmijës dashurinë për Profetin dhe sunetin

February 15, 2015

-Kur ia kreh flokët fëmijës tënd mësoje se ti e bën këtë gjë për shkak se Profeti ﷺ ka thënë: “Kush ka flokë (të gjatë) atëherë le t’i nderojë ato (të kujdeset për to).”

– Kur e parfumos fëmijën tënd me parfum tregoji atij se e bën këtë gjë duke pasuar Profetin ﷺ i cili thotë: “Më janë bërë të dashura nga dynjaja parfumi dhe gratë.”

– Kur fëmija yt niset për në shkollë kujtoja fjalën e Profetit ﷺ: “Kush merr një rrugë për të kërkuar dije ia lehtëson Allahu rrugën për në Xhenet.”

– Kur i buzëqesh fëmijës tënd lajmëroje se Profeti ﷺ ka thënë: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është sadaka.”

– Kur e lavdëron fëmijën tënd lajmëroje me fjalën e Profetit ﷺ: “Fjala e mirë është sadaka.”

– Kur gjendesh në ndonjë tubim në të cilin gjendet dhe njerëz të moshuar kërko nga fëmija yt që t’i respektojë ata, sepse me këtë veprim pasojmë të dashurin tonë Profetin ﷺ i cili thotë: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk mëshiron të vegjlit dhe nuk respekton të mëdhenjtë.”

– Kur përshëndet njerëzit me selam rrugës lajmëroje fëmijën tënd se kështu vepronte Profeti ﷺ, i cili thotë: “Nuk do të hyni në Xhenet pa besuar dhe nuk do të jeni besimtarë të mirëfilltë derisa të duheni mes vete. A t’ju tregoj diçka të cilën nëse e bëni do tua shtojë dashurinë mes jush? Përhapeni selamin.” Me këto fjalë ti thekson se përhapja e selamit forcon lidhjet mes individëve dhe zhvillon ndjenjat e dashurisë, të mëshirës dhe dhembshurisë ndaj njëri-tjetrit.

– Kur e puth fëmijën tënd tregoji atij se kështu vepronte Profeti ﷺ me fëmijët, i cili ka thënë: “Nuk mëshirohet ai i cili nuk mëshiron.”

– Kur i dhuron diçka fëmijës tënd lajmëroje se Profeti ﷺ ka thënë: “Dhuroni që të duheni.”

Lidhi veprimet e fëmijës tënd me sunetin (traditën) e Profetit ﷺ dhe mësoja hadithet profetike, në mënyrë që të mbillet në zemrën e tij dashuria për Profetin ﷺ dhe sunetin.

 

Unejs Sheme

Dosje: ,

Loading...