Metodologjia e adhuruesve dhe sqarimi i rregullave të fesë (3)

March 15, 2015

Tema: Forma e abdesit

Ajo është: Personi të bëj nijet largimin e papastërtisë ose marrjen abdes për faljen e namazit dhe gjërave të ngjashme. Qëllimi (nijeti) është kusht për të gjitha veprat në pastërtë etj. Bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

إِنَّمَا اَلْأَعْمَالُ بِالنِّيَّاتِ, وَإِنَّمَا لِكُلِّ اِمْرِئٍ مَا نَوَى

Me të vërtetë veprat janë sipas qëllimeve dhe çdo kujt i takon ajo që ka pasur për qëllim”. Mutefekun alejhi[1]

Pastaj të thotë: “Bismil-lah – Me emrin e Allahut”.[2]

Pastaj lan duar tri herë,[3] pastaj fut ujë në gojë dhe hundë[4] tri herë, me tri grushta.[5]

Pastaj lan fytyrën tri herë dhe duart tri herë deri tek bërrylat dhe t’i jap mes’h kokës së tij[6] duke filluar nga pjesa e pëparme deri tek qafa pastaj e jep në anën e kudnërt deri aty ku filloi dhënia mes’h, e kjo bëhet një herë të vetme.[7]

Pastaj (me ujin që i është dhënë mes’h kokës) fut gishtat e tij tregues në vrimen e veshëve dhe me gishtin e madh fërkon pjesën e jashtme të tyre.[8]

Pastaj lan këmbët e tij bashkë me nyjet (kyçet) tri herë.[9] Kjo është forma e plotë e abdesit që ka vepruar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.[10]

Obligim është që këto të veprohen nga një herë të vetme[11] dhe të bëhet sipas rënditjes që ka përmendur Allahu Madhëruar në fjalën e Tij: “O besimtarë! Kur të ngriheni për të falur namaz,[12] lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën me dorë të lagët dhe lani këmbët deri në nyje…” El Maide, 6

Nuk duhet të ketë shumë hapësirë mes larjeve të gjymtyrëve, por ato duhen larë menjëherë njëra pas tjetrës. Kështu duhet vepruar dhe në ato gjëra ku kushtëzohet el meualeh.

[Në lidhje me dhënien mes’h mbi hufe]

Nëse personi ka mbathur hufe (meste) dhe gjëra të ngjashme (siç janë çorapet) ai u jep mes’h atyre nëse dëshiron.[13] Koha e vlefshmërisë së mes’hit ëhstë një ditë-natë për vendasit dhe tri ditë e netë për udhëtarin.[14] Me kusht që ai t’i ketë mbathur ato duke qenë i pastër (me abdes)[15] dhe mos t’u jap mes’h atyre vetëm se nga papastërtia e vogël. Transmetohet nga Enesi merfuan: “Kur ndonjëri prej jush të marr abdes dhe vesh hufe, atëherë le t’u jap mes’h atyre dhe të falet me to dhe mos t’i heq nëse do përveç rastit kur është xhunub”. Transmeton El Hakimi dhe e ka saktësuar.

Nëse personi në njërën prej pjesëve të abdesit ka vendosur allçi te pjesa e thyer, apo ka mjekuar plagën me ilaç dhe larja e dëmton atë ai u jep mes’h (atyre) me ujë si në papastërtinë e madhe (nga xhunubllëku) ashtu dhe nga papastërtia e vogël derisa të shërohet.

Forma e dhënies mes’h mbi hufe (meste apo çorape) është t’i jepet vetëm pjesës së sipërme.[16] Ndërsa dhënia mes’h mbi allçi është që ajo të përfshijë të gjithë vendin e fashuar.

[Tema: Gjërat që e prishin abdesin]

Ato janë: Cdo gjë që del nga nga dy rrugët nga ku del jashtëqitja dhe urina,[17] gjaku i shumtë[18] (që del nga njeriu) dhe gjëra të ngjashme me të, humbja e vetëdijes me anë të gjumit[19] apo me diçka tjetër, ngrënia e mishit të deves, prekja e gruas me epsh,[20] prekja (direkt) e organit gjenital,[21] larja e të vdekurit[22] dhe dalja prej fesë islame. Kjo e fundit i asgjëson të gjitha punët.

Bazuar në fjalën e Tij: “ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet…” El Maide, 6.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u pyet: A të marrim abdes nga mishi I devesë? Tha: “Po”. Muslimi

Ndërsa në lidhje me hufet (mestet) ka thënë: “por (jepu mes’h) nga nevojat personale, urinimi apo gjumi”. Transmeton En Nesai dhe Et Tirmidhi i cili e ka saktësuar.

Menhexhus Salikin ue teudihul fikhi fid din

Shejh Abdurrahman es Sadij

Përktheu: Unejs Sheme

Fusnotat:

[1] Shejh Abdullah bin el Xhibrin (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Autori (Allahu e mëshiroftë!) përmendi formën e abdesit, të cilin e ka përmendur Allahu Madhëruar në fjalën e Tij: “O besimtarë! Kur të ngriheni për të falur namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën me dorë të lagët dhe lani këmbët deri në nyje”. El Maide, 6

[2] Dijetarët kanë mendimi të ndryshme në lidhje me thënien “Bismil-lah” në fillim të abdesit. Prej tyre ka që thonë se ajo është vaxhib. Ky është dhe mendimi i shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!). Ndërsa xhumhurët janë të mendim se thënia “Bismil-lah” është sunet. E sakta, inshaAllahu, është se thënia “Bismil-lah” është sunet dhe jo vaxhib. Bazuar në:

  1. Fjala e Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Kur të ngriheni për të falur namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën me dorë të lagët dhe lani këmbët deri në nyje”. El Maide, 6. Dhe nuk ka urdhëruar me thënien “Bismil-lah”. Nëse thënia e saj do ishte vaxhib, atëherë Allahu do kishte urdhëruar për të ashtu siç ka urdhëruar me të në kapjen e gjahut dhe në therje.
  2. Sahabët e kanë përshkruar formën e abdesit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sle-lem në formën e plotë dhe askush prej tyre nuk e ka përmendur thënien “Bismil-lah” në fillim të abdesit të tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Nëse ajo do ishte vaxhib ku abdesi nuk saktësohet vetëm se me të, atëherë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk do e kishte lënë pa treguar.
  3. Hadithet në të cilat bazohen ata që thonë se thënia “Bismil-lah” është vaxhib, në lidhje me saktësimin e tyre ka kundërshtim. Kështu që, nuk mund të pohohet gjykimi për vaxhib të diçkaje me hadithe ku ka kundërshtime për saktësimin e tyre.
  4. Transmetohet nga Abdullah bin Amër radijAllahu anhu se: “Një person erdhi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për ta pyetur në lidhje me abdesin…Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ia tregoi atij formën e abdesit dhe nuk përmendi thënien “Bismil-lah”. Transmeton Ebu Daudi

[3] Është Sunet larja e duarve tri herë para fillimit të abdesit. Transmetohet nga Abdullah bin Zejd bin Asim radijAllahu anhu, se atij i thanë: “Merr abdes në sytë tanë, ashtu siç merrte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai kërkoi një enë me ujë dhe e ktheu atë për të larë duart (pa i futur në të), tre herë…” Mutefekun alejhi.

Imam En Nevevi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky është argument se larja e tyre (duarve) në fillim të abdesit është Sunet”. Prej Sunetit është që para marrjes së abdesit personi të përdori misvakun. Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të mos e rëndoja popullin tim, do t’i urdhëroja ata të përdornin misvakun para çdo namazi.” Hadith autentik. Tirmidhiu (23), “El Mishkat” (390).

Ndërsa në një transmetim tjetër të Ahmedit thuhet: “do t’i urdhëroja të përdornin misvakun sa herë që merrnin abdes”.

Ndërsa në një transmetim në shënimet e Buhariut thuhet: “do t’i urdhëroja të përdornin misvakun para çdo abdesi”. Për më shumë shih “Sunetet e harruara” pj. I

[4] Shejh Abdullah bin el Xhibrin (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Futja ujit në gojë dhe hundë është vaxhib. Nuk transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka lënë këtë gjë qoftë dhe një herë të vetme. Tek shafitë kjo është Sunet. Por e sakta është se futja ujit në gojë (larja e saj) dhe në hundë (pastrimi  saj) është vaxhib.

[5] Transmetohet nga Uthman bin Afan radijAllahu anhu se: “Ai kërkoi një enë me ujë dhe e ktheu atë tre herë në duart e tij për t’i larë ato. Pastaj futi dorën e djathtë në enë, mori ujë dhe e futi në gojë e në hundë dhe e nxori atë…” Mutefekun alejhi.

Transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu se: “Ai kërkoi një enë ujë për abdes, futi ujë në gojë dhe në hundë, pastaj i fshiu hundët me të majtën dhe këtë e bëri tre herë, pastaj tha: Ky (kështu) ishte abdesi i të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”. Hadith autentik. En Nesai (91).

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush të marrë abdes, të fusë ujë në hundën e tij pastaj ta nxjerë atë. Mutefekun alejhi.

Prej Sunetit është që uji të futet njëkohësisht në gojë dhe në hundë. Imam En Nevevi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Të marrë një grusht me ujë dhe të fusë ujë në gojë dhe në hundë. Pastaj të marr grushtin e dytë (me ujë) dhe vepron në të njëjtën mënyrë. Kështu dhe me grushtin e tretë”.

Imam Ibnul Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bashkonte mes larjes së gojës e hundës. Gjysmë grushti e përdorte për larjen e gojës dhe gjysmën tjetër për futjen e ujit në hundë”.

[6] Shejh Abdullah bin el Xhibrin (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Dhënia mes’h kokës është shtyllë (rukn). Transmetohet nga Uthman bin Afan radijAllahu anhu se: “Ai kërkoi një enë me ujë dhe e ktheu atë tre herë në duart e tij për t’i larë ato. Pastaj futi dorën e djathtë në enë, mori ujë dhe e futi në gojë e në hundë dhe e nxori atë, pastaj lau fytyrën tre herë, krahët deri në bërryla tre here pastaj i dha mes’h kokës …” Mutefekun alejhi

[7] Ky është dhe medh’hebi i shumicës së dijetarëve. Transmetohet nga Abdullah bin Zejd se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem fshiu kokën e tij me të dyja duart, duke i çuar ato mbrapa dhe para kokës dhe duke filluar nga pjesa e përparme e saj, pastaj i çoi deri në qafën e tij dhe i ktheu aty ku filloi”. Ahmedi, Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, En Nesai, Tirmidhiu, Ibën Maxheh

[8] Ibën Maxheh ka transmetuar nga disa rrugë transmetimi se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dy veshët janë prej kokës”. Hadith autentik. Ibën Maxheh (443), (444), (445), “Irvaul Galil” (84).

Transmetohet nga Es Sanabihi se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur njeriu besimtar merr abdes dhe fut ujë në gojë, dalin gjynahet nga goja e tij….” Deri sa tha: “kur i jep mes’h kokës së tij, dalin gjynahet prej saj, deri sa të dalin edhe nga dy veshët e tij”. E transmeton Maliku, En Nesai dhe Ibën Maxheh.

Mexhdudin bin Abdusselam (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Fjala “të dalin edhe nga dy veshët e tij”, kur i jepet mes’h kokës, është argument se dy veshët përfshihen në kokë dhe janë prej saj. “El Munteka” vëll. 1

[9] Transmetohet nga Abdullah bin Umer radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mbeti mbrapa nesh në një udhëtim dhe kur na arriti, ne e kishim vonuar ikindinë nga fillimi i kohës dhe nuk e kishim falur ende. Atëherë filluam të marrim abdes dhe t’i japim mes’h këmbëve nga lart. Por ai thirri me zë të lartë: Mjerë për thembrat e këmbëve nga zjarri. Dy apo tre herë”. Mutefekun alejhi.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pa një burrë, i cili nuk e lau thembrën e tij kur mori abdes, dhe tha: Mjerë për thembrat nga zjarri”. E transmeton Muslimi.

[10] Nuk saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se gjatë larjeve të gjymtyrëve bënte dua. Imam En Nevevi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Përsa i përket duasë (apo duave) gjatë larjes së gjymtyrëve, nuk ka ardhur asgjë në lidhje me këtë nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem”.

Imam Ibnul Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Hadithet ku përmendet duatë gjatë larjes së gjymtyrëve në marrjen abdes janë të gjitha të kota (batil). Nuk gjendet në to asgjë që saktësohet”.

[11] Transmetohet nga Ibën Abasi radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mori abdes duke i larë gjymtyrët nga një herë secilin”. Buhariu

Larja e gjymtyrëve nga dy apo tri herë është sunet. Transmetohet nga Abdullah bin Zejd radijAllahu anhu se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem mori abdes duke e përsëritur larjen e gjymtyrëve nga dy herë. E transmeton Ahmedi dhe Buhariu.

[12] Kur të ngriheni për të falur namaz, qoftë të detyrueshëm (pesë namazet e ditës dhe natës), vullnetar apo namazin e xhenazes, duke qenë se nuk e keni pastërtinë e vogël (abdesin) por keni vetëm të madhen (guslin), atëherë merrni abdes në mënyrën e përshkruar në vijim të ajetit.

[13] Transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu se: Ai urinoi, pastaj mori abdes dhe i dha mes’h mesteve të tij. Dikush i tha: A vepron kështu? “Po, tha ai. Unë kam parë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që pasi urinoi, ai mori abdes dhe i dha mes’h mesteve të tij”. Mutefekun alejhi.

[14] Transmetohet nga Safuan bin Asal se ka thënë: “Na ka urdhëruar -d.m.th. i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- të japim mes’h mbi meste, nëse i kemi veshur ato të pastër (me abdes), për tre ditë radhazi kur jemi në udhëtim dhe një ditë e një natë kur jemi në vend. E të mos i heqim ato nga nevojat personale, urinimi apo gjumi. Të mos i heqim veçse nga xhenabeti”. Hadith autentik. E transmeton Ahmedi dhe Ibën Huzejme. El Hatabi thotë: Senedi i këtij hadithi është autentik. “Sahihul Xhami” 5189 (1674).

Transmetohet nga Huzejme bin Thabit; nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se: Ai u pyet për mes’hin mbi meste dhe ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Për udhëtarin tre ditë me netët e tyre, ndërsa për vendaliun një ditë e një natë”.

[15] Dhënia mes’h mbi hufet është e njohur. Nuk transmetohet nga asnjë prej selefëve që e ka mohuar këtë përveç bidatçinjve siç janë havarixhët, rafiditë etj., prej llojit të tyre. Prandaj dhe selefët e kanë përmendur dhënien mes’h mbi hufe në librat e akides edhe pse ajo i përket çështjeve të jurisprudencës islame. Hasen el Basri thotë: “Mes’hin e kanë transmetuar shtatëdhjetë njerëz nga vepra dhe fjala e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”

Transmetohet nga el Mugira bin Shubeh se ka thënë: Isha me të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem një natë në një udhëtim. Unë i hodha ujë nga një enë dhe ai mori abdes; lau fytyrën e tij dhe dy krahët, pastaj i dha mes’h kokës. Atëherë unë u ula që t’i hiqja shoshonet, por ai tha: “Lëri ato, se unë i kam veshur i pastër, pastaj i dha mes’h atyre”. Mutefekun alejhi.

[16] Transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu se ka thënë: “Sikur Feja të ishte sipas mendjes, dhënia mes’h nga poshtë mesteve do të ishte më parësore për t’u bërë, por unë e kam parë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem t’i jepte mes’h pjesës së sipërme të mesteve të tij”. Autentik. E transmeton Ebu Daudi dhe Darakutni. “Irvaul Galil” (103).

Ndërsa ajo që transmetohet nga Theur bin Jezid; nga Raxha bin Hajve; nga Ravadi, shkruesi i Mugira bin Shubes; nga Mugira bin Shubeh, se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i dha mes’h pjesës së sipërme të mesteve dhe pjesës së poshtme të tyrenuk saktësohet (është daif). “Mishkatul Mesabih” (521). Tirmidhiu thotë: Ky hadith është i dobët, pasi që atë nuk e ka adresuar te Theuri veçse El Velid bin Muslim. Kam pyetur Ebu Zur’an dhe Muhamedin për këtë hadith, e ata më thanë: Ai nuk është i saktë.

[17] Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin e askujt prej jush që kryen nevojat e tij personale, pa marrë abdes”. Një burrë nga Hadrameuti tha: Ç’është hadethi, o Ebu Hurejra? Ai tha: “Gazra apo jashtqitje”. Mutefekun alejhi.

[18] Disa dijetarë janë të mendim se dalja e gjakut, përveç dy rrugëve nga ku del jashtëqitja dhe urina, nuk e prish abdesin; qoftë ai gjak i pakët apo i shumtë. Ky është medh’hebi i Shafiut dhe ajo që ka zgjedhur shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu i mëshiroftë!).

[19] Këtu bëhet fjalë për gjumin e rëndë. Ndërsa për gjumin e lehtë (dremitjen) transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu se ka thënë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem prisnin për të falur namazin e jacisë së vonë, saqë iu përkulej koka, pastaj faleshin pa marrë abdes”. Hadith autentik. “Sahihu Ebi Daud” (195), “Mishkatul Mesabih” (317).

[20] E sakta është s eprekja e gruas nuk e prish abdesin qoftë ajo (prekja) me epsh apo pa epsh. Transmetohet nga Ibrahim et Tejmi; nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e puthte ndonjë prej grave të tij dhe pastaj falej pa marrë abdes (pas puthjes)”. Hadith autentik. En Nesai 170, “Sahih Ebi Daud” (172), “Sahihul Xhami” (4997).

[21] Transmetohet nga Amër bin Shuajb; nga babai i tij; nga gjyshi i tij; se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdokush që e prek organin e tij, duhet të marrë abdes dhe çdo grua që e prek organin e saj, duhet të marrë abdes”. Hadith autentik. “Irvaul Galil” (117).

[22] Shumica e dijetarëve janë të mendim se larja e të vdekurit nuk e prish abdesin. Këtë ka zgjedhur dhe shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!).

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: E sakta është se larja e të vdekurit nuk e prish abdesin. Këtë ka zgjedhur Ibën Kudame, Ibën Tejmije dhe një grup prej dijetarëve”.

Loading...