Transmetohet nga Aishja se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u bënte rukje disa grave të tij, e prekte me dorën e tij të djathtë dhe thoshte: “Allahumme rabennesi edhhibilbe’se ueshfi Ente esh-shefij la shifae ila shifauke shifaen la jugadiru sekame! (O Allah, Zoti i njerëzve, largoje sëmundjen dhe shëroje! Ti je Shëruesi, nuk ka shërim përveç shërimit tënd, shërim që nuk kthehet sërish!)”[1]
Transmetohet nga Uthman bin Ebu el As eth Thekafij se ai u ankua tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për një sëmundje që kishte në trup që kur kishte hyrë në islam. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha atij: “Vendos dorën aty ku ndien dhimbje në trupin tënd, dhe thuaj “Bismilah” tre herë. Thuaj shtatë herë; “Eudhu bilahi ue kudratihi min sherri me exhidu ue uhadhir! (I kërkoj mbrojtje Allahut dhe fuqisë së Tij prej të keqes që kam apo që i druhem!)”[2]
Transmetohet nga Sead bin Ebu Uekasi radiallahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e vizitoi atë kur ishte sëmurë, dhe i tha: “O Allah, shëroje Seadin! O Allah, shëroje Seadin!” Këtë e tha tri herë.[3]
Transmetohet nga Muhamed bin Salimi se Thabit Bunanij i ka thënë: O Muhamed, kur të ankohesh (për ndonjë sëmundje) vendos dorën tënde aty ku të dhemb, pastaj thuaj: “Bismilah, kërkoj mbrojtje me madhështinë e Allahut dhe fuqinë e Tij nga e keqja e kësaj sëmundje!” Pastaj ngrije dorën dhe përsërite këtë numër tek, sepse Enes bin Maliku më ka treguar se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka thënë atij kështu.[4]
Transmetohet nga Ibën Abasi radiallahu anhuma se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u bënte rukje Hasenit dhe Husejnit, dhe thoshte: Babai juaj i bënte rukje me to Ismailit dhe Is’hakut: Eudhu bikelimati lahi tamme min kuli shejtanin ue hamme ue min kuli ajnin lamme! (Kërkoj mbrojtje me fjalët e Allahut të plota prej çdo shejtani dhe helmuesi (nga kafshët) dhe nga çdo sy i keq!)”[5]
Marrë nga libri: “Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut”.
Autor: Husejn el Auajsheh
Përktheu: Teuta Xeka
——————————————————-
[1] Buhariu dhe Muslimi.
[2] Muslimi.
[3] Muslimi.
[4] E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.
[5] Buhariu.
Dosje: Rukja