Muaji i dhjetë Hënor i cili vjen pas muajit të Ramazanit, apo ndryshe Hëna e dhjetë sepse çdo Hënë me ciklin e saj mbushje-zbrazje përbën një muaj prej muajve hënorë, është muaji Sheval.
Sheval në gjuhën arabe do të thotë ngritje apo largim, dhe mendohet se është quajtur me këtë emër për shkak se kur është emërtuar për herë të parë ka qenë koha e shtimit të deveve, apo koha e zbutjes së motit dhe largimit të nxehtësisë.
Hyrja e Shevalit
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se për hyrjen e Shevalit nuk pranohen më pak se dy dëshmitarë, sepse Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Agjëroni kur t’a shihni hënën, çeleni kur t’a shihni atë dhe bëni kurban sipas saj. Nëse nuk arrini t’a shihni atë plotësojeni muajin tridhjetë ditë, dhe nëse dëshmojnë dy dëshmitarë agjëroni dhe çelni.” E transmeton Ahmedi dhe Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.
Fjala e Profetit – alejhi selam: “Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë agjëroni dhe çelni”, domethënë kushtëzimi i fillimit të agjërimit i cili është dhe fillimi i muajit të Ramazanit, dhe çelja e agjërimit i cili është dhe fillimi i muajit të Shevalit me dëshminë e dy dëshmitarëve.
Përsa i përket Ramazanit kanë ardhur hadithe të tjera që e lejojnë hyrjen e tij edhe me një dëshmitar, dhe ndoshta më i sakti prej tyre është hadithi i Ibn Omerit – radijAllahu anhu – i cili thotë: “Dolën njerëzit për të parë hënën dhe unë e njoftova Profetin – alejhi selam – se e pashë atë. Atëherë Profeti – alejhi selam – filloi agjërimin dhe i urdhëroi njerëzit për agjërim.” E transmeton Ebu Daudi, Darimiu dhe Ibn Hibani, dhe e saktëson sheih Albani.
Ndërsa përsa i përket hyrjes së Shevalit nuk kemi hadith tjetër, por kemi një ngjarje përforcuese që ka ndodhur në kohën e Profetit – alejhi selam, siç thotë një prej sahabëve: “Njerëzit ranë në kundërshtim në lidhje me ditën e fundit të Ramazanit, pastaj erdhën dy bedevi (banorë të shkretëtirës) dhe dëshmuan te Profeti – alejhi selam – duke u betuar në Allah se e kishin parë hënën e re dje në mbrëmje. Atëherë Profeti – alejhi selam – urdhëroi njerëzit t’a çelin agjërimin dhe të nesërmen të dalin për namazin e Bajramit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani.
Dita e parë e Shevalit është festa e madhe e Bajramit të Fitrit
Fitër në gjuhën arabe do të thotë çelje, dhe është për qëllim çelja e madhe e agjërimit pas mbarimit të muajit të Ramazanit.
Kjo ditë është përmendur në Kuran ku Allahu i Madhëruar thotë: “Plotësojeni kohën e agjërimit, pastaj madhërojeni Allahun për suksesin e dhënë në mënyrë që t’a falënderoni Atë.” Suretu El Bekara: 185.
Zejd bin Eslem (dijetar i kohës së tabiinëve i njohur në fushën e komentimit të Kuranit. Ka vdekur në vitin 136 H) në lidhje me këtë ajet thoshte: “Madhërojeni Allahun për suksesin e dhënë” d.m.th.: Madhërojeni Allahun ditën e Fitrit (Çeljes). E transmeton Taberiu.
Kurse i biri i Zejdit që quhet Abdurrahman bin Zejd bin Eslem (edhe ky dijetar i njohur në fushën e tefsirit i vdekur në vitin 182 H) thoshte: “Ibn Abasi – radiallahu anhu – thoshte: Është detyrë për çdo musliman që kur sheh hënën e re të Shevalit t’a madhërojë Allahun derisa të mbarojë festa e tyre, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Plotësojeni kohën e agjërimit, pastaj madhërojeni Allahun për suksesin e dhënë në mënyrë që t’a falënderoni Atë.” E transmeton Taberiu.
Këto thënie të përmendura tregojnë për adetin e njerëzve të asaj kohe, sepse banorët e Mekës bënin tekbire që natën e Bajramit kurse banorët e Medinës bënin tekbir vetëm ditën e Bajramit.
Gjithashtu ka edhe një realitet tjetër të asaj kohe që i’a vlen të përmendet në këtë vend në lidhje me tekbiret e festës. Ebu Abdurrahman Es-Sulemij (dijetar prej tabiinëve të mëdhenj të Kufes i vdekur në vitin 70 H) thoshte: “Tekbiri në festën e fitrit ka qenë më i fortë se në festën e kurbanit.” E transmeton Hakimi dhe Darakutni, dhe e saktëson sheih Albani.
Një praktikë tjetër e veçantë e ditës së çeljes
Një praktikë tjetër e veçantë e kësaj dite është ngrënia para namazit për të dalluar fitrin (çeljen) nga agjërimi, siç ka ardhur një transmetim nga Enesi – radiallahu anhu: “Profeti – alejhi selam – nuk dilte ditën e Fitrit pa ngrënë disa hurma, dhe ai i hante ato tek.” E transmeton Buhariu. Në lidhje me urtësinë e kësaj praktike janë dhënë dy mendime:
I pari: Është e pëlqyeshme çelja para namazit që të mos mendojë njeri se duhet të vazhdojë agjërimi deri në faljen e Bajramit.
I dyti: Është e pëlqyeshme çelja para namazit për të përshpejtuar zbatimin e urdhërit të Allahut për çelje, duke qenë se çelja e asaj dite është shumë e afërt me agjërimin.
Agjërimi në Sheval
Në Sheval ka një agjërim të pëlqyeshëm dhe të veçantë për këtë muaj, që është pasimi i Ramazanit me gjashtë ditë të këtij muaji.
Ebu Ejub El Ensari – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin dhe pastaj e pason atë me gjashtë ditë të Shevalit, është për të si agjërimi i gjithë kohës (vitit).” E transmeton Muslimi.
Pasimi i Ramazanit me gjashtë ditë të Shevalit barazohet me agjërimin e vitit në shpërblim, sepse Allahu i Madhëruar ka premtuar në Kuran se çdo të mirë e shumëfishon në dhjetë të mira: “Kush vjen me një të mirë ka për të dhjetë të tilla, dhe kush vjen me një të keqe ka për të vetëm atë që ka vepruar dhe atyre nuk u bëhet padrejtësi.” Suretu El En’am: 160.
Mbi bazën e këtij ajeti e ka shpjeguar Profeti – alejhi selam – barazimin e këtij agjërimi me vitin, siç tregon Theubani shërbëtori i Profetit – alejhi selam – se ka thënë: “Kush agjëron gjashtë ditë pas fitrit plotëson me to vitin, sepse kush vjen me një të mirë ka për të dhjetë të tilla.” E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.
Në një transmetim tjetër Theubani – radiallahu anhu – thotë se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Agjërimi i Ramazanit është sa dhjetë muaj dhe agjërimi i gjashtë ditëve është sa agjërimi i dy muajve, dhe kështu plotësohet viti.” E transmeton Ibn Huzejme dhe e saktëson sheih Albani.
Mbi këtë bazë llogaritjeje gjithashtu është marrë edhe agjërimi i tre ditëve në muaj si agjërimi i vitit, sepse çdo ditë është e barabartë me dhjetë ditë dhe tre ditë në muaj janë të barabarta me tridhjetë ditë, dhe përsëritja e kësaj vepre në çdo muaj sjell agjërimin e vitit. Profeti – alejhi selam – e ka porositur Abdullah bin Amr bin El-Asin – radiallahu anhu – duke i thënë: “Agjëro në çdo muaj tre ditë ,sepse çdo e mirë është e barabartë me dhjetë të tilla dhe kështu barazohet me agjërimin e gjithë kohës (vitit).” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ibn El-Kajim në librin El-Menar El-Munif ka një thënie shumë të dobishme në lidhje me faktin se pse Profeti – alejhi selam – ka zgjedhur që këto gjashtë ditë të jenë në Sheval dhe jo në ndonjë muaj tjetër, dhe thotë: “Fakti se këto ditë janë nga Shevali ka një urtësi të madhe dhe ajo është se; ato janë rregulluese për Ramazanin për mangësitë që mund të kenë ndodhur gjatë agjërimit, si p.sh. synetet për namazin apo si dy sexhdet e harresës pas tij. Prandaj Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Pastaj e pason atë…”, pra e ndjek atë me agjërim (vullnetar siç ndjek namazin farz me namaz sunet).”
Dy çështje në lidhje me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit
Çështja e parë: Kur dhe si duhet të jetë agjërimi i këtyre ditëve?
Imam Tirmidhiu – Allahu e mëshiroftë – i cili është prej transmetuesve të këtij hadithi, thotë: Ibn El-Mubarek (dijetar i madh i kohës së tabiinëve që ka jetuar mes viteve 118-181 H) ka zgjedhur që këto ditë të jenë në fillim të muajit.
Gjithashtu është transmetuar se ka thënë: Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit ndarazi është i lejueshëm.
Pra, lejohet edhe agjërimi i tyre bashkë edhe ndarazi, por agjërimi i tyre bashkë dhe në fillim të Shevalit është më mirë sepse tregon përkushtim siç thonë disa prej dijetarëve (shafi dhe hanbeli).
Çështja e dytë: Ai që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani, a bën të agjërojë këto ditë para se të plotësojë Ramazanin?
Hadithi nga ana e jashtme e përmend këtë mirësi për atë që ka agjëruar Ramazanin dhe pastaj e pason atë me gjashtë ditët e Shevalit, dhe nuk duket se i bën vend atij që ka ditë të paagjëruara nga Ramazani.
Ebu Hurejra – radiallahu anhu – është pyetur për një çështje të ngjashme siç tregon Uthman bin Meuhib se një burrë e pyeti Ebu Hurejren: “Unë kam ditë nga Ramazani, a të agjëroj dhjetëditëshin (e Dhul-Hixhes) vullnetarisht? Ai i tha: Jo. Ai i tha: Pse? Ai i tha: Fillo me detyrën e Allahut pastaj bëj punë vullnetare sa të duash.” E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.
Kjo fetva është fetvaja e disa tabiinëve si: Said bin El-Musejjib (tabiin i madh i vdekur pas 90 H), Said bin Xhubeir (tabiin i vdekur në vitin 95 H), Ibrahim En-Nekhaij (tabiin i vogël dhe dijetar i Kufes i vdekur në vitin 196 H). Shih: Sahih El-Bukhari, Musannef Ibn Ebij Shejbe dhe Mussanef Abdurrazak.
Është transmetuar nga Ebu Bekri – radiallahu anhu – një thënie që vlen të përmendet këtu, thënie kjo me të cilën porosiste Omerin – radiallahu anhu – para se të vdiste: “Kije frikë Allahun o Omer, dhe dije se për Allahun janë disa punë të ditës që nuk pranohen natën dhe disa punë të natës që nuk pranohen ditën, dhe se Allahu nuk pranon nafile pa kryer farzin.” E transmetojnë Ibn Ebi Shejbe dhe Ebu Nuajm. Kjo thënie e Ebu Bekrit është transmetuar mursele (me shkëputje në zinxhir), por më që është transmetuar në dy rrugë të ndryshme transmetimi dhe transmetuesit janë besnikë atëherë kjo e forcon atë.
Fjala e tij: “nuk pranon nafile pa kryer farzin” tregon që njeriu duhet të merret fillimisht me detyrat që ka ndaj Allahut.
Në lidhje me këtë çështje se duhet agjërimi i Ramazanit para gjashtë ditëve të Shevalit, është edhe fetvaja e disa dijetarëve të kohës sonë si: Muhamed Nasirudin El-Albani dhe dy dijetarëve të tjerë Ibn Baz dhe Ibn Uthejmin -Allahu i mëshiroftë.
Shevali është prej muajve të Haxhit
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Haxhi është në muaj që dihen. Atëherë kush e bën detyrë në to haxhin të mos bëjë as gjëra të kota, as prishje dhe as debate në haxh.” Suretu El-Bekara: 197.
Komentuesit e Kuranit prej sahabëve si: Abdullah bin Umer, Abdullah bin Abas, Abdullah bin Mesud – radiallahu anhum – thonë se muajt e Haxhit të përmendur në Kuran janë: Shevali, Dhul-Kade dhe Dhul-Hixhe.
Kjo që thuhet në ajet nuk do të thotë se Haxhi mund të kryhet në secilin prej muajve të përmendur, por do të thotë se kush mbërrin për Umre në shtëpinë e Allahut në Qabe në njërin prej këtyre muajve, dhe heq ihramin duke pritur haxhin, atëherë ai duhet të bëjë kurban. Abdullah bin Umeri – radiallahu anhu – në lidhje me këtë çështje thotë: “Kush bën Umre në muajt e Haxhit; në Sheval, në Dhul-Kade apo në Dhul-Hixhe para kohës së Haxhit, pastaj qëndron në Meke për Haxh derisa të vijë haxhi, e ka ndarë Haxhin nga Umra dhe duhet të bëjë kurban. Nëse nuk gjen, atëherë të agjërojë tre ditë në Haxh dhe shtatë ditë kur të kthehet.” E transmeton imam Maliku me zinxhir të saktë.
Dr. Abdullah Nabolli
Dosje: Bajramet, Muaji Sheual