Ndalimi i pyetjeve të shumta

Ndalimi i pyetjeve të shumta

Nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Mjaftohuni me ato që ju kam lënë, sepse ata që ishin para jush i shkatërruan pyetjet e shumta, dhe kundërshtimi rreth profetëve të tyre. Prandaj kur tju ndaloj nga diçka, largohuni prej saj, e kur tju urdhëroj për diçka zbatoni prej saj sa të keni mundësi.” Muttefekun alejhi.[1]

 

Pyetjet nga të cilat ka ndaluar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – janë ato nga të cilat ka ndaluar Allahu në fjalën e Tij: “O ju që keni besuar mos pyesni për gjëra të cilat nëse ju sqarohen juve do tju bëjnë të ndiheni keq” (Maideh: 101)

Dhe ato janë pyetjet për gjërat që lidhen me të fshehtën, apo gjëra për të cilat Allahu nuk merr në llogari, që nuk i ka ndaluar e as i ka bërë detyrë, nëse dikush pyet për to në kohën kur zbret shpallja dhe legjislacioni ndoshta ato mund të bëhen detyrë për shkak të pyetjes, apo ndoshta bëhen të ndaluara për shkak të saj. Kësisoj pyetësi hyn te fjala e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Muslimani që ka gjynahun më të madh është ai që pyet për diçka që nuk është e ndaluar, dhe ajo bëhet e ndaluar për shkak të pyetjes së tij”[2]

Po ashtu njeriu e ka të ndaluar të pyesë për çështje të cilat e vënë në siklet atë që pyetet, ose e ngushtojnë[3]. Po ashtu është e ndaluar të pyetet për çështje të vogla, të parëndësishme, duke lënë pyetjet rreth gjërave të rëndësishme. Këto pyetje dhe të ngjashme me to janë ato që i ka ndaluar sheriati.

Ndërsa sa i takon pyetjes orientuese rreth çështjeve fetare, qofshin ato prej bazave apo prej degëve, adhurime apo marrëdhënie, ato janë prej gjërave për të cilat ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe kanë nxitur për to, sepse ato janë mjet për mësimin e dijeve, dhe kuptimin e realitetit të fesë. Thotë i Lartësuari: “Prandaj pyesni njerëzit e dijes nëse nuk dini” (Enbija: 7)

Dhe thotë i Lartësuari: “Prandaj ti pyeti ata që dërguam para teje prej të dërguarve Tanë: A bëmë Ne zota të tjerë që adhuroheshin përveç Rahmanit (të Gjithëmëshirshmit)?” (Zukhruf: 45) dhe ajete të tjera përveç tyre. Ndërsa Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kujt Allahu ja do të mirën, e bën ta kuptojë fenë”[4] dhe kjo duke e bërë atë të ecë në rrugën e kuptimit të fesë nëpërmjet studimit dhe pyetjes. Dhe ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “A nuk pyetën kur nuk dinin? Me të vërtetë ilaçi i injorancës është pyetja”[5]

Dhe ka urdhëruar Allahu për butësi ndaj atij që pyet, dhe që t’i jepet atij ajo që kërkon, dhe për mos-bezdisje prej tij. Ka thënë në suretu Duha, ajeti 10: “E sa i takon kërkuesit, ti atë mos e qorto (mos i fol ashpër)”. Kjo përfshin kërkuesin e njohurive të dobishme, dhe kërkuesin e gjërave të kësaj dynjaje, pasuri apo diç tjetër.

Dhe në këtë hadith futet edhe pyetja se si janë cilësitë e Krijuesit. Çështja e cilësive të Allahut është e gjitha ashtu siç tha imam Maliku kur e pyeti dikush: “Si është istiuaja, ngritja e Allahut mbi Arshin e Tij? – Ai tha – Ngritja (lartësimi) është e ditur, mënyra se si është e panjohur, besimi në të është detyrë dhe pyetja rreth saj është bidat (risi në fe)”[6]

Prandaj kush pyet se si është dija e Allahut, apo si krijon Ai dhe si i rregullon çështjet? Themi: Ashtu siç është Qenia e Allahut të Lartësuar – që nuk u ngjan krijesave – po ashtu edhe cilësitë e Tij nuk u ngjajnë cilësive të krijesave. Njerëzit e njohin Allahun, dhe njohin ato me të cilat Ai është bërë i njohur tek ta, prej cilësive të Tij dhe veprave të Tij, ndërsa se si janë ato nuk e di shpjegimin e tyre realisht dhe totalisht askush tjetër veç Allahut (të Lartësuar).

Pastaj Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – përmendi në këtë hadith dy baza madhështore:

E para: Fjala e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kur tju ndaloj nga diçka largohuni prej saj”. Çdo gjë nga e cila ka ndaluar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, prej fjalëve dhe veprimeve, të dukshme apo të fshehta, është detyrë lënia e tyre, dhe heqja dorë prej tyre, si formë e zbatimit të urdhrave dhe bindjes ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe të Dërguarit të Tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Dhe ndalimi nga diçka bëhet duke e larguar veten prej saj, dhe kjo është diçka e mundshme për të gjithë njerëzit, sepse çdo njeri ka mundësi të lërë të gjitha ato që i ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe robërit nuk i kanë të domosdoshme (sa që s’bëjnë dot pa) të ndaluarat, sepse e lejuara është e gjerë, u mjafton të gjithë krijesave, në adhurimet e tyre apo në marrëdhëniet e tyre, apo në sjelljet e tyre.

Ndërsa lejimi i të ngordhurës, gjakut, dhe mishit të derrit (etj si këto), ato janë situata të rralla (përjashtime) ku bëhet i pashmangshëm përdorimi i tyre, dhe kësisoj (në këto raste) nuk janë më haram por janë hallall, sepse domosdoshmëritë i bëjnë të ndaluarat të lejuara. Kështu domosdoshmëria i bën ata të lejuara, sepse Ai – i Lartësuari – i ka ndaluar ato për t’i ruajtur robërit e Tij, dhe si masë mbrojtëse për ta nga të këqijat dhe dëmet, dhe për dobinë e tyre, prandaj kur përballë këtyre vjen një dobi më e madhe – që është: vazhdimësia e jetës (mbijetesa) – atëherë i jepet përparësi kësaj (mbijetesës) kundrejt asaj (konsimimit të të ndaluarave), si mëshirë prej Allahut dhe mirësi prej Tij.

Ndërsa ilaçet nuk janë prej këtij lloji, ato nuk hyjnë te domosdoshmëritë, sepse Allahu – i Lartësuar – i shëron të sprovuarit (të sëmurët) me shkaqe të ndryshme, që nuk e bëjnë ilaçin të pazëvendësueshëm. E në rast se mbizotëron mendimi se ilaçi mund të jetë shërues, përsëri themi: Nuk lejohet kurimi me të ndaluarat, si: alkooli, qumshti i gomarëve, apo lloje të tjera të të ndaluarave, në kundërshtim me atë që është i detyruar të hajë të ngordhurën, sepse ai në atë rast është i bindur se nëse nuk ha prej saj do të vdesë.

Dhe baza e dytë: është fjala e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – “E nëse ju urdhëroj për diçka, bëni prej saj sa të keni mundësi”. Dhe kjo është një bazë e madhe, për të tregon gjithashtu edhe fjala e të Lartësuarit: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të keni mundësi” (Teghabun: 16)

Kështu, të gjithë urdhërat e sheriatit janë të lidhura me mundësinë e robit për to, prandaj nëse ai nuk ka asnjë mundësi ta kryejë ndonjë prej detyrimeve, ai (detyrim) bie prej tij krejtësisht. E nëse ka mundësi të kryejë një pjesë të tij – dhe ajo pjesë është adhurim – atëherë mbetet detyrë për të kryerja e asaj pjese që ka mundësi, dhe bie prej tij ajo që s’ka mundësi ta kryejë.

Dhe këtu hyjnë aq shumë çështje të jurisprudencës (fikhut) dhe rituale fetare, sa nuk numërohen e as mund të llogariten. Shembuj:

I sëmuri falet në këmbë, nëse nuk ka mundësi, atëherë falet ulur, e nëse s’ka mundësi atëherë falet shtrirë, e nëse s’ka mundësi as të bëjë shenjë me kokë, atëherë bën shenjë me sytë e tij.

Njeriu agjëron nëse ka mundësi për të, nëse sëmuret nga një sëmundje që nuk shpresohet të shërohet prej saj, atëherë ushqen për çdo ditë (të Ramazanit) një të varfër[7]. Nëse është sëmundje që shpresohet të shërohet prej saj, atëherë ai nuk agjëron (gjatë Ramazanit) dhe e shlyen agjërimin e atyre ditëve në një kohë tjetër.

Po ashtu, ai që nuk ka mundësi të marrë një pengesë (sutra) që është e detyrueshme për namaz, apo s’ka mundësi të drejtohet nga kibla, apo s’ka mundësi të ruhet (të pastrohet) prej papastërtisë, atëherë bien prej tij këto gjëra, dhe po kështu themi edhe për kushtet e tjera të namazit, apo shtyllat e tij, apo kushtet e pastërtisë.

Dhe kush nuk ka mundësi të pastrohet me ujë, për shkak të mungesës së tij, apo për shkak të dëmit që mund t’i vijë prej përdorimit të ujit, saqë nuk mund të pastrohet i tëri (gusl, të lahet në dush), apo pjesërisht (abdes), atëherë zhvendoset nga pastrimi me ujë tek ai me dhé (tejemum).

Po ashtu ai që nuk ka mundësi ta kryejë haxhin për shkak të pamundësisë fizike, ia paguan haxhin dikujt tjetër që e kryen në vend të tij, nëse ka pasuri të mjaftueshme për ta bërë këtë.

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është detyrë për atë që ka mundësi për të fillimisht ta bëjë me dorë, e nëse s’mundet me dorë atëherë me fjalë, e nëse s’mundet as me fjalë, atëherë me zemër.

Po ashtu nuk kanë qortim e as gjynah ata që janë të çalë, të verbër, apo të sëmurë me sëmundje të tjera nëse i lënë adhurimet që nuk i kryejnë dot, apo që i rëndojnë ata jashtë mase, në një formë që nuk e përballojnë dot.

Po ashtu ai që ka detyrime financiare kundrejt disa njerëzve (duhet t’i mbajë me bukë dhe t’i veshë etj) dhe nuk ka mundësi për të gjithë, atëherë e fillon me gruan e tij, pastaj me robin e tij, pastaj me fëmijën e tij, pastaj me prindërit e tij, pastaj atë që është më i afërt me të.

Kështu është puna me të gjitha obligimet që është ngarkuar robi, qofshin ato të formës së prerë (uaxhib) apo të pëlyqeshme (mustehabb), nëse ka mundësi të kryejë një pjesë prej tyre dhe s’ka mundësi për pjesën tjetër, bëhet detyrë për të ajo që ka mundësi dhe bie prej tij pjesa tjetër që s’ka mundësi ta kryejë, dhe të gjitha këto futen te ky hadith.

Po ashtu çështjet që lidhen me hedhjen e shortit[8] hyjnë te ky hadith, sepse kur përzihen punët dhe nuk dallohet se kujt i takon diçka dhe kush ka më shumë të drejtë për të, atëherë kthehemi te gjërat që i presin dhe i ndajnë çështjet. E nëse nuk ka mundësi që të ndahen dhe të përcaktohen në asnjë formë, atëherë ky detyrim bie për shkak të pamundësisë për kryerjen e tij dhe kthehemi te shorti i cili është maksimumi që mund të veprohet. Dhe ato janë çështje të shumta, të njohura në librat e fikhut.

Po ashtu marrja e posteve, në çështje të vogla apo të mëdha, të gjitha këto hyjnë te kjo bazë. Sepse çdo post, apo përgjegjësi, ka nevojë që kandidati për to të përshkruhet me disa cilësi të caktuara, që e bëjnë të aftë atë për ta mbajtur atë përgjegjësi në mënyrën më të mirë. Nëse mungon dikush që i ka të gjitha ato cilësi, atëherë vendoset ai që është më i plotë, dhe që i afrohet më shumë aftësisë për ta mbajtur atë post.

Siç argumentohet për këtë bazë me atë ajet dhe atë hadith, po ashtu argumentohet për të edhe me ajetet dhe hadithet ku Allahu (i Lartësuar) thotë se nuk ka gjynah për umetin. Siç është fjala e të Lartësuarit:
“Nuk e ngarkon Allahu askënd përtej mundësive që ka” (Bekarah: 286).
“Le të shpenzojë (japë) ai që ka nga pasuria e tij, e ai që ka pak pasuri le të shpenzojë nga ajo që i ka dhënë Allahu. Allahu nuk ngarkon askënd veçse për aq sa i ka dhënë.” (Talak: 7).
“Dhe Ai nuk ju ka bërë ndonjë vështirësi në fe” (Haxh: 78).
“Nuk dëshiron Allahu tju bëjë juve ndonjë vështirësi (në fe)(Maideh: 6).
“Allahu dëshiron për ju të lehtën dhe nuk dëshiron për ju të vështirën” (Bekarah: 185)
“Allahu dëshiron tua tjua bëj juve më të lehta çështjet” (Nisa: 28)

Kështu lehtësimet fetare – me të gjitha llojet e tyre – në adhurime apo të tjera veç tyre, hyjnë te kjo bazë. Duke i shtuar kësaj edhe argumentimin me Emrat dhe Cilësitë e Allahut kuptimi i të cilave lidhet me këtë bazë. Siç është për shembull: Lavdërimi, Urtësia, Mëshira e gjerë, Butësia, Bujaria dhe Dhurimi. Ashtu siç janë derdhur gjurmët e këtyre emrave të bukur të Allahut mbi krijesat dhe, kanë përfshirë rregullimin e gjithçkaje në univers, i kanë mbuluar ata nga çdo anë, ato kanë depërtuar edhe tek ligjet fetare, madje më shumë shfaqen tek këto të fundit, sepse ato janë qëllimi i krijimit, dhe ato janë mjeti më i madh për të arritur lumturinë e përjetshme.

Allahu i Lartësuar i krijoi njerëzit dhe xhinët që të zbatojnë adhurimin e Tij, dhe e bëri adhurimin e Tij dhe zbatimin e sheriatit të Tij, rrugë dhe mjet për të arritur kënaqësinë dhe bujarinë e Tij. Siç thotë i Lartësuari – pasi ligjëroi pastërtinë me llojet e saj: “Nuk dëshiron Allahu tju bëjë ndonjë vështirësi, por dëshiron tju pastrojë dhe ta plotësojë dhuntinë e Tij ndaj jush, në mënyrë që ju të falenderoni” (Maideh: 6). Kështu u shfaqën gjurmët e Mëshirës dhe Mirësisë së Tij në legjislacionin fetar dhe në gjërat e lejuara, ashtu siç u shfaqën edhe te sendet, prandaj Atij – të Lartësuarit – i takon lavdërimi më i plotë dhe më i lartë, dhe falenderimi më i plotë dhe më i madh, dhe kulmi i dashurisë dhe madhërimit. Dhe prej Allahut vjen suksesi.

Behxhetu Kulubil Ebrar, Shejh Es Si’dij (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu Emin Bilali

[1] Bukhari (7288), Muslimi (1337).

[2] Bukhari (7289), Muslimi (2358).

[3] Shënim i korrektorit: Bëhet fjalë për ato çështje që janë të holla dhe të paqarta, nëpërmjet të cilave pyetësi ka qëllim ta vërë në vështirësi dijetarin, në mënyrë që ai të përgjigjet gabim dhe për shkak të kësaj pastaj të shkaktojë trazira (fitneh). Ato janë të ndaluara në fe sepse nuk sjellin dobi dhe, nuk sillen veçse rreth gjërave që gati nuk ndodhin kurrë. (pyetje supozuese, imagjinare).

[4] Hadith i saktë, ka paraprirë.

[5] Hadith i mirë “Iruaul ghalil” (105), “Sahih Ibn Maxheh” (93/1).

[6] Ether i saktë. Thotë Dhehebiu: Kjo saktësohet prej imam Malikut, dhe më parë u përmend fjala e ngjashme e shejkhut të tij, Rabias, dhe kjo është fjala e mbarë dijetarëve të ehli sunetit” “Es Sijer” (3/398)

[7] Sh.p.: Një vakt që e ngop njeriun zakonisht.

[8] Sh.p.: Është për qëllim hedhja e shortit mes atyre që kanë të drejta të barabarta për diçka, e meritojnë të gjithë. Siç ka ardhur në hadith: “Sikur ta ninin njerëzit se çfarë (shpërblimi) ka ezani dhe safi i parë (në namaz) pastaj të mos gjenin mënyrë tjetër për t’i ndarë ato mes tyre veç shortit, ata do të hidhnin short” Muttefekun alejhi.  Shembull për këtë gjithashtu është vepra e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i cili kur dëshironte të udhëtonte me ndonjërën nga gratë e tij hidhte short mes tyre. Dhe Allahu e di më së miri.