Ndërrimi i vendit për faljen e namazit të suneteve

December 20, 2021

Pyetje: Shpeshherë shohim që namazlitë pas namazit të tyre farz e ndërrojnë vendin për namazin e suneteve. Shumë prej tyre e bëjnë këtë sipas traditës dhe nuk e dinë gjykimin fetar për këtë veprim. Çfarë gjykimi ka ndërrimi i vendfaljes ndërmjet namazit farz dhe sunet? A është bidat, sunet, e pëlqyer, apo detyrë?
Përgjigje: Është pyetur Shejh Ibën Uthejmini: A ka ndonjë argument për ndërrimin e vendit të faljes së sunetit pas namazit farz?
Ka thënë: Po. Është transmetuar në hadithin e Muauijes se ka thënë: “Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, na ka urdhëruar të mos e falim namazin në të njëjtin vend që sapo jemi falur, derisa të flasim ose të largohemi.” Transmeton Muslimi.
Dijetarët kanë nxjerrë nga kjo se duhet bërë një ndarje midis namazit farz dhe atij sunet, me fjalë ose duke ndërruar vendin e faljes.
Sipas Al Azrak bin Kaisit, një burrë u fal me Profetin, sal-lAllahu alejhi ue ssel-lem, dhe pastaj u ngrit për t’u falur. Umeri e kapi për shpatulle dhe e tundi, pastaj i tha: Ulu, sepse ithtarët e Librit u shkatërruan vetëm se nuk bënin ndarjen ndërmjet namazeve të tyre. U ngrit Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe tha: “Zoti të bekoftë o Ibnul Hatab, ke thënë të vërtetën!” Transmeton Ebu Daudi dhe e saktësoi Albani.
Mjafton për ndarjen e tyre thënia ‘estagfirullah’ qoftë dhe tre herë. Mos harroni t’ia mësoni këtë familjes dhe vëllezërve tuaj muslimanë.

Shënim: Ndoshta gjykimin rreth kësaj çështjeje femra e ka më të rëndësishme, sepse vendfalja e saj e namazit është në shtëpi. Ajo fal namazin farz pastaj ngrihet dhe fal namazin sunet, dhe nuk i ndan me fjalë ose dhikër, lëvizje apo ndërrim vendi.
Përfundimi i gjithë kësaj që thamë është: Kushdo që e kryen namazin farz duhet ta ndajë atë nga namazi vullnetar duke thënë ‘estegfirullah’, ose të bëjë tesbih, ose të lëvizë nga ai vend.

Muhamed Estrefi

Dosje:

Loading...