Nëna më braktisi që kur isha në djep dhe unë tani kujdesem për të, por…

 

Një vëlla thotë: “Prindërit e mi u ndanë që kur unë isha në djep. Dhe u rrita në mesin e dajallarëve të mi, në mungesë të nënës sime, e cila punonte në një qytet tjetër, dhe nuk e shikoja veçse ditët e festave. Ndërsa babai im… i vdekuri nuk qortohet… Unë tashmë jam 35 vjeç dhe nëna jeton me mua, dhe falënderoj Allahun që sillem mirë me të, veçse nuk kam ato ndjenja të forta dashurie për të siç duhet t’i ketë fëmija për nënën e tij. Dhe kjo më lëndon në shpirt, dhe më torturon shumë. Duke ditur që unë jam nxënës dije dhe e di vlerën e respektit ndaj prindërve, dhe përfundimin e keq të mosrespektimit të tyre. Por unë nuk e kam në dorë ta bëj zemrën time ta dojë atë.”

Shejkhu: “Sillu mirë me të dhe përpiqu me veten tënde sa të mundesh që ta respektosh atë. Dhe dije se Allahu i Lartësuar thotë (nga fjalët i Isait alejhis-selam) : “Dhe më ka bërë mua të sjellshëm ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë tiran dhe të trishtuar” (Merjem: 32) Ai që nuk është i sjellshëm me nënën e vet, patjetër do të jetë tiran në këtë botë, dhe do të privohet nga shijimi i jetës, dhe patjetër do të jetë i trishtuar. Sa të pasur ka që janë të trishtuar! E sa të varfër ka që janë të lumtur! Shkaku? Mirësjellja ndaj nënës, në veçanti, dhe mirësjellja ndaj prindërve në përgjithësi.

Në Kuran ka ardhur (përshkrimi i profetit Jahja alejhis-selam) : “Dhe ai ishte i sjellshëm me prindërit e vet, dhe nuk ishte tiran e gjynahqar” (Merjem: 14)  Për dy prindërit tha: “tiran e gjynahqar”, ndërsa për nënën tha: “të sjellshëm ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë tiran dhe të trishtuar”, dhe nuk tha: “gjynahqar” por “të trishtuar”.

Prandaj shkaku i lumturisë në jetë është: mirësjellja ndaj nënës. Xhenneti në dynja dhe Akhiret është, – siç ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – siç transmetohet te Nesai: “Qëndro me të, sepse Xhenneti është te këmbët e saja”. Ndërsa hadithi: “Xhenneti është nën këmbët e nënave” nuk ka bazë fare (me këtë shprehje është i pabazë, i pasaktë). Hadithi i saktë dhe shprehja e duhur është ai që ka ardhur te Nesai: “Qëndro me të, sepse Xhenneti është te këmbët e saja”. Dhe mos thuaj: “Nën këmbët e saja”. Hadithi është kështu: “Qëndro me të, sepse Xhenneti është te këmbët e saja”.  

“Dhe më ka bërë mua të sjellshëm ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë tiran dhe të trishtuar” Prandaj përpiqu të sillesh mirë me të. Ajo është treguar e mangët në mirësjelljen ndaj teje, ti mos trego mangësi në mirësjelljen ndaj saj. Për ndjenjat ti nuk do të merresh në llogari. Po. Mirësjellja ndaj saj do të jetë e vështirë për ty.

Vëllezërit e mi! Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im! Nuk e kam kuptuar fjalën e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – drejtuar atij djaloshit që i erdhi dhe i kërkoi leje të merrte pjesë në luftë, Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e pyeti për prindërit e tij: “A janë gjallë ata të dy?” tha: “Po”, i tha atij Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Qëndro me ata të dy dhe luftoje veten në mirësjelljen ndaj tyre”. Apo siç ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Uallahi nuk e kam kuptuar fjalën e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – “Tek ata të dy luftoje veten tënde” veçse kur më nderoi Zoti im, dhe prindërit e mi erdhën tek unë. Kur prindërit e mi erdhën tek unë për të jetuar, e kuptova mirë këtë hadith. Mënyra e të logjikuarit të atij që është i madh në moshë, mendimet dhe botëkuptimi i tij nuk janë njësoj me ato të të voglit. Prandaj ai që i ka prindërit në kujdestari duhet të luftojë me veten e tij.

Dhe unë e përkujtoj këtë vëlla me këtë hadith. Dhe shprehjen që ka ardhur aty: “Përpiqu me ta”.  Shpenzo gjithë mundin tënd për tu sjellë mirë me të, derisa ta kënaqësh atë. Derisa ajo të gëzohet me ty. Dhe kërkoji Zotit tënd që mos të të privojë nga bereqeti i mirësjelljes ndaj saj.

Njëri prej të devotshmëve, kur i vdiq nëna e tij qau. I thanë: “Po qan?!” Nëna jote ishte e madhe në moshë (dhe asaj i erdhi afati i caktuar prej Allahut). Tha: “Mu mbyll sot një prej portave të Xhennetit!” Unë qaj për mbylljen e kësaj porte.

Dhe nxënësi i dijes kupton. Dhe ti je nxënës dije. Nëna jote është një portë prej portave të Xhennetit. Dhe që të të lehtësohet mirësjellja ndaj saj, kërko për të justifikime. Arsyetoje. (mendo mirë për të). E nëse nuk gjen asnjë arsyetim për të, thuaji vetes: Ndoshta ajo ka ndonjë justifikim (që unë nuk e di). Dhe lus Allahun e Lartësuar, Zotin e Arshit fisnik, që të ta bëjë të mundur mirësjelljen ndaj saj. Dhe Allahu e di më së miri!          

Përktheu: Emin Bilali

https://www.facebook.com/video.php?v=1539976682885426&set=vb.100006193270607&type=2&theater