6- Therja pa bismilah edhe nëse është nga myslimanët kur lihet me vetëdije.
Thamë pak më lart se Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Mos hani prej mishit të asaj kafshe mbi të cilën nuk është përmendur emri i Allahut se ajo vepër është prishje” suretu El-Enam: 121.
Ky ajet nga anë e tij e jashtme duket i përgjithshëm dhe përfshin çdo kafshë mbi të cilën nuk është përmendur emri i Allahut gjatë therjes pavarësisht se është përmendur emri i dikujt tjetër apo nuk është përmendur asnjë emër dhe pavarësisht se kush e ka therur myslimani apo mushriku dhe pavarësisht se therja pa bismilah është bërë me vetëdije apo nga harresa sepse që të gjitha këto raste therjeje i përfshinë shprehja [Therje pa Bismilah].
Përsa i përket therjes kur përmendet emri i tjetërkujt veç Allahut thamë se këto nuk lejohen po ashtu edhe therjet e mushrikëve nuk lejohen pavarësisht se e përmenden emrin e Allahut apo nuk e përmenden dhe pavarësisht see lënë atë me vetëdije apo nga harresa dhe nuk ka ngelur tani veçse rasti i myslimanit kur ther pa bismilah.
Therja e myslimanit pa bismilah është një çështje që i ka preokupuar shumë dijetarët e islamit dhe i ka bërë të bien në kundërshtim rreth saj. Shkaku i këtij kundërshtimi ka qenë: a i mjafton atij besimi se çdo therje duhet të jetë për Allahun që të mos jetë kusht fjala bismilah?
Mendimet e dijetarëve në lidhje me këtë çështje.
Ibn Kethiri komentuesi i njohur i kuranit thotë se dijetarët e islamit në lidhje me këtë çështje janë ndarë në tre mendime:
Mendimi i parë.
Nuk lejohet ngrënia e mishit të atyre kafshëve që nuk është përmendur emri i Allahut gjatë therjes pavarësisht se e ka bërë atë gjë me vetëdije apo nga harresa dhe ky mendim njihet si mendimi i disa tabiinëve si: Amir Esh-Shabij, Muhamed bin Sirin dhe Nafi meula Ibn Umer. Ky është gjithashtu edhe mendimi i dhahirive dhe mendimi i zgjedhur nga sheikhu islam ibn Tejmije –Allahu i mëshiroftë- dhe bazohen për gjykimin e dhënë në argumentet e mëposhtme:
1- Ajeti i lartpërmendur i kuranit i cili sipas tekstit të tij përfshin çdo kafshë të therur pa bismilah.
2- Hadithi i Adij bin Hatimit -radiallahu anhu- i cili tregon: I thashë profetit -alejhi selam-: Unë i nis qentë e mësuar të gjuetisë për të gjuajtur dhe ato kapin për mua dhe unë përmend emrin e Allahut? Ai më tha: “Kur ta nisësh qenin tënd të mësuar dhe e ke përmendur emrin e Allahut, atëherë haje (mishin e kafshës së kapur prej tij)” e transmeton Muslimi.
3- Hadithi i Ebu Thalebe El-Khushenij -radiallahu anhu- i cili tregon se e ka pyetur profetin -alejhi selam-: “Unë jam nga një vend gjahu dhe gjuaj me hark, me qen gjahu dhe me qen jo gjahu. Më më trego se çfarë kam hallall prej tyre? Profeti -alejhi selam- i thotë: “Atë që e ke qëlluar me harkun tënd dhe ke përmendur emrin e Allahut mbi të, atë që ka kapur qeni jot i gjahut dhe ke përmendur emrin e Allahut mbi të dhe atë që ka kapur qeni jot jo i gjahut nëse e arrin të gjallë dhe e ther” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
4- Hadith Rafi bin Khudejxh -radiallahu anhu- i cili tregon për gjyshin e tij i cili ishte nisur për në luftë me profetin -alejhi selam- dhe e pyet atë: Nesër, ndoshta do të ndeshemi me armikun dhe ne nuk kemi me vete thika për therje. A të therim me kallam? Profeti -alejhi selam- i thotë: “Çdo gjë që e nxjerr gjakun dhe përmendet mbi të emri i Allahut, hani prej mishit të asaj kafshe përveç kockës dhe thundrave (mos i përdorni në therje në vend të thikës)” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
5- Hadithi i Ibn Mesudit -radiallahu anhu- i cili tregon për takimin e profeti -alejhi selam- me xhinët kur u ka lexuar kuranin dhe se ata i kishin kërkuar ushqim dhe profeti -alejhi selam- u ka thënë: “Për ju është çdo kockë mbi të cilën është përmendur emri i Allahut e cila do të bjerë në duar tuaja e mbushur me mish dhe çdo bajgë është ushqim për kafshët tuaja” e transmeton Muslimi.
Sheikhu islam ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë- në lidhje më këtë hadith thotë: profeti -alejhi selam- nuk u ka lejuar xhinëve veçse atë që është përmendur emri i Allahut, atëherë si mos të jetë kusht për njerëzit?!
6- Hadithi i Xhundub bin Abdilah El-Bexhelij-radiallahu anhu- i cili tregon: Kemi prezantuar një herë në festën e kurbanit me profetin -alejhi selam- dhe kur mbaruam namazin pa mishin e disa kurbaneve të therura para namazit dhe tha: “Kush e ka therur kurbanin para namazit, të therë në vend të saj një tjetër dhe kush nuk ka therur, të therë me emrin e Allahut” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
7- Hadithi i Aishes -radiallahu anha- e cila tregon: “Disa njerëz e pyetën profetin -alejhi selam- dhe i thanë: Disa bedevin të rinj në islam, na sjellin mish dhe nuk e dimë nëse e kanë përmendur emrin e Allahut apo jo? Ai u tha: “Përmendeni ju Allahun dhe hajeni” e transmeton Buhariu.
Ibn Kethiri –Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë hadith thotë: Tregueshmëria e këtij hadithi për këtë çështje është se sahabët kishin kuptuar nga profeti -alejhi selam- se fjala bismilah duhet patjetër dhe pyetën kur dyshuan se ata mund të mos e kenë thënë për shkak se ishin të rinj në islam. Atëherë profeti -alejhi selam- i porosit ata që ta thonë vetë që të jetë në vend të asaj që nuk i është përmendur emri i Allahut nëse do ishte prej tyre.
Si përfundim sheikhu islam Ibn Tejmije thotë: Kam medituar në argumentet e kuranit dhe të synetit dhe i kam gjetur të qarta se përmendja e Allahut në therje është detyrë dhe kusht në lejimin e mishit që do të thotë ndalimin e tij kur nuk përmendet.
Mendimi i dytë.
Lejohet ngrënia e mishit të atyre kafshëve që nuk është përmendur emri i Allahut gjatë therjes sepse përmendja e emrit të Allahut nuk është kusht por është e pëlqyeshme dhe ky mendim njihet si mendimi i imam Shafiut –Allahu e mëshiroftë- dhe pasuesve të tij.
Imam Shafiu dhe pasuesit e tij kanë arritur në këtë gjykim bazuar në argumentet e mëposhtme:
1- Ajeti ku Allahu i madhëruar ndalon nga ngrënia e mishit të kafshëve të cilat nuk janë therur në emrin e tij, ka për qëllim: ose kafshën e therur për dikë tjetër veç Allahut, ose kafshën e ngordhur.
Përsa i përket mundësisë për të qenë kafsha e therur për dikë tjetër veç Allahut, kjo kuptohet duke e krahasuar atë me ajetin tjetër ku përmenden gjithashtu kafshët e ndaluara.
Ajeti thotë: “Mos hani prej mishit të asaj kafshe mbi të cilën nuk është përmendur emri i Allahut se ajo vepër tregon prishje” suretu El-Enam: 121.
Kurse ajeti tjetër thotë: “Thuaj nuk gjej në atë që më është shpallur të jetë haram për atë që do të hajë veçse nëse është kafshë e ngordhur, apo gjak i derdhur, apo mish derri sepse ato janë të pista, apo ajo vepër që tregon prishje për shkak se është therur në emrin e dikujt tjetër veç Allahut” suretu El-En’am: 145.
Fjala prishje e përdorur në ajetin e parë është si fjala prishje e përdorur në ajetin e dytë [apo ajo vepër që tregon prishje për shkak se është therur në emrin e dikujt tjetër veç Allahut] dhe në ajetin e dytë ajo është qartësuar se është për qëllim kafsha e therur në emër të dikujt tjetër veç Allahut dhe si rrjedhojë përjashtohet nga ndalimi therja e myslimanit sepse ai ther vetëm për hir të Allahut.
Ndërsa për sa i përket mundësisë për të qenë kafsha e ngordhur këtë e tregon shkaku i zbritje së ajetit për të cilin ka folur Ibn Abasi -radiallahu anhu- dhe thotë: “Mushrikët erdhën dhe profeti -alejhi selam- dhe i thanë: Ne hamë atë që e vrasim vetë dhe të mos hamë atë që e ka vrarë Allahu?! Atëherë Allahu zbriti ajetin [Mos hani prej mishit të asaj kafshe mbi të cilën nuk është përmendur emri i Allahut]” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Kjo sepse mushrikët e quanin kafshën e ngordhur si kafshë që e ka vrarë Allahu dhe ajo sipas tyre e meriton më shumë për tu lejuar sesa ajo që vrasin vetë dhe kështu Allahu zbriti ajetin për t’ju treguar gjykimin.
2- Hadithi i Aishes -radiallahu anha- e cila tregon: “Disa njerëz e pyetën profetin -alejhi selam- dhe i thanë: Disa bedevin të rinj në islam, na sjellin mish dhe nuk e dimë nëse e kanë përmendur emrin e Allahut apo jo? Ai u tha: “Përmendeni ju Allahun dhe hajeni” e transmeton Buhariu.
Këtë hadith me të cilin argumentohen edhe dijetarët e mendimit të parë, dijetarët e të dytë thonë se sikur të ishte kusht fjala bismilah nuk do të ishte lejuar ngrënia veçse pasi të dihet me siguri se ajo fjalë është thënë.
3- Ata gjithashtu argumentohen me fetvanë e lartpërmendur të Ibn Abasit -radiallahu anhu-: “Myslimani e ka në zemër emrin e Allahut dhe nëse ther dhe harron emrin e Allahut, ta hajë (atë mish). Ndërsa kur mexhusi (adhuruesi i zjarrit) ther dhe përmend emrin e Allahut, mos e ha” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.
Ata thonë: Përderisa nuk është kusht kur e harron nuk ka si të jetë kusht kur e le me vetëdije.
Mendimi i tretë.
Lejohet ngrënia e mishit të atyre kafshëve që nuk është përmendur emri i Allahut gjatë therjes nëse harrohet dhe nuk lejohet nëse bëhet me vetëdije. Ky mendim është mendimi i Ebu Hanifes dhe fetvaja më e njohur e Malikut dhe Ahmedit -Allahu i mëshiroftë-!
Ata thonë se përmendja e Allahut në therje është kusht sipas urdhrit të Allahut në kuran dhe fjalëve të profetit alejhi selam që e kushtëzojnë therjen me të, mirëpo ky kusht bie kur njeriu harron sepse harresa është e shpeshtë te njerëzit dhe nëse do të ndalohej ai mish atëherë njerëzit do të binin në vështirësi. Harresa në fenë e Allahut është liruar nga përgjegjësia dhe profeti-alejhi selam- thotë: “Allahu e ka hequr përgjegjësinë e ymetit tim në rast gabimi, harrese apo detyrimi (kur dikush detyron dikë të bëjë diçka jashtë dëshirës së tij)” e transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
Es-Serakhsij një prej dijetarëve të medhhebit hanefi thotë: Këtë lehtësim e meriton vetëm ai që e ka lënë nga harresa sepse ai është me arsye dhe besimi se duhet therur me emrin e Allahut zë vendin e fjalëssë tij ndërsa ai që e le me vetëdije nuk e meriton sepse ai nuk ka arsye.
Ky mendim njihet si fetvaja e drejtpërdrejt e Ibn Abasit -radiallahu anhu- të cilën e përmendëm më lart se ka thënë: “Myslimani e ka në zemër emrin e Allahut dhe nëse ther dhe harron emrin e Allahut, ta hajë (atë mish). Ndërsa kur mexhusi (adhuruesi i zjarrit) ther dhe përmend emrin e Allahut, mos e ha” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.
Ky mendim gjithashtu është edhe fetvaja e dy tabiinëve të njohur:Abdurrahman bin Ebij Lejla dhe Tausi –Allahu i mëshiroftë- të cilët gjithashtu i përmendëm më lart:
Abdurrahman bin Ebij Lejla kur është pyetur nga nxënësi i tij El-Hakem bin Utejbe për kafshën e therur nga myslimani kur ka harruar të përmend emrin e Allahut dhe ai i ka thënë: “Ajo hahet sepse therja është sipas fesë. A nuk e sheh se nëse mexhusi përmend emrin e Allahut në therjen e tij, ajo nuk hahet” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.
Tausi thotë: “Muslimani e përmend gjithmonë Allahun. Ai nëse ther dhe harron ta përmendë atë, le ta përmend para se të hajë! Kurse mexhusi nëse e përmend emrin e Allahut në therjen e tij, ajo nuk hahet” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.
Pëfundimi.
Tani, pas kësaj paraqitjeje të mendimeve të dijetarëve dhe argumenteve të tyre mund të themi se çështja është e ndërlikuar dhe fakti se kudo që përmendet therja vjen edhe porosia për përmendjen e Allahut ka domethënien e saj dhe të çon te ajo që thamë më lart se therja është adhurim dhe si e tillë ka kushtet e saj por edhe nga ana tjetër mosmarrja parasysh e harresës çon dëm shumë prej therjeve të myslimanëve gjë e cila bie ndesh me shumë rregulla të përgjithshme të islamit si lirimi i harresës nga përgjegjësia dhe largimin e vështirësive.
Mendimi i tretë i cili e bën kusht përmendjen e Allahut në therje dhe e lejon mishin kur ajo lihet nga harresa duket se ka bashkuar mes këtyre dy fakteve dhe duket mendimi që bashkon mes të gjithë argumenteve, gjë kjo që e bën atë të jetë më afër të vërtetës.
Ky mendim është edhe fetvaja e dy dijetarëve të mëdhenj të kohës tonë Abdul-Aziz bin Baz dhe Muhamed Nasirudin El-Albani -Allahu i mëshiroftë-.
Fetvaja e sheikh Abdul-Aziz bin Baz: “Detyrë është që të përmendet emri i Allahut sepse Allahu ka urdhëruar të përmendet emri i tij. Detyrë është të thotë para therjes: Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim ose vetëm Bismilahi dhe nëse e lë atë me vetëdije duke e ditur gjykimin fetar, kafsha e therur nuk është hallall por nëse e lë atë nga harresa apo nga padija atëherë kafsha e therur është hallall”. Shih serinë e kasetave të sheikh bin Bazit “Nuralad-Derb”.
Fetvaja e sheikh Muhamed Nasirudin El-Albani: “Allahu i madhëruar thotë: [O Zoti ynë mos na merr në përgjegjësi kur harrojmë dhe gabojmë] sutatu El-Bekara: 286. Ka disa hadithe të qarta që e lejojnë këtë gjë por nuk janë të sakta nga ana e zinxhirit të transmetimit dhe sikur të ishin të sakta do ti kishim marrë për argument, por na mjafton rregulli bazë [O Zoti ynë mos na merr në përgjegjësi kur harrojmë dhe gabojmë]” shih serinë e kasetave të sheikh Albanit.
Shkroi Dr Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve