Një burrë arab që tregoi sinqeritet me Allahun dhe Ai ia plotësoi dëshirën e tij.

Shedad bin el Had (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjell: “Një burrë nga banorët e shkretëtirës (beduin) erdhi tek Profeti (alejhis selam), besoi ne fenë e tij dhe vendosi ta ndiqte atë (Profetin). Ai tha: Dua të emigroj bashkë me ty. – Profeti (alejhis selam) ua la porosi disa shokëve të tij që të kujdeseshin për të.

Kur ndodhi një betejë dhe Profeti arriti të merrte plaçkë lufte, i ndau këtij njeriu një pjesë të saj dhe ua dha shokëve t’ia jepnin. Ai ruante frontin e pasmë, e kur erdhën për t’ia dhënë pjesën që i takonte  ai u tha: Çfarë është kjo? – Ata i thanë: Pjesa jote të cilën e ndau Profeti (alejhis selam) enkas për ty.

Ai e mori (plaçken) dhe u nis për tek Profeti (alejhis selam) dhe i tha: Çfarë ishte kjo? – Profeti i tha: E ndava për ty. Arabi i tha: Nuk të kam ndjekur për këtë, por që të më hyjë shigjeta mu këtu (dhe beri me shenjë tek fyti) dhe te vdes, e te hyj në Xhenet. – Profeti alejhis selam i tha: Nëse je i sinqertë me Allahun Ai do të ta plotësojë dëshirën.

Qëndruan pak, pastaj u ngritën për të luftuar armikun. Atë ia sollën Profetit (alejhis selam) të mbartur në krahë, e kishte goditur shigjeta aty ku kishte bërë me shenjë. Profeti tha: Ai është, ai është? – I thanë: Po. – Atëherë Profeti (alejhis selam) tha: U tregua i sinqertë me Allahun dhe Allahu ia plotësoi dëshirën e tij.
Pas kësaj, Profeti e qefinosi me xhyben e tij, e vendosi përpara dhe i fali xhenazen. Prej lutjeve që dëgjoheshin nga Profeti ishin: O Zoti ynë! Ky është robi Yt që doli si emigrues në rrugën Tënde dhe u vra si shehid dhe unë dëshmoj për këtë.”

E përcjell Nesaiu, Taberaniu etj dhe gjendet në “Sahihun Nesai” me nr 1845.
Përshtati: Fatjon Isufi.