Një vështrim rreth hadithit që flet për fitnet (sprovat)

January 9, 2014

Një vështrim rreth hadithit  që flet për fitnet

Lëvdatat dhe falënderimet i përkasin Allahut,salavatet dhe selamet janë për Profetin tonë,për familjen e tij, për shokëte  tij dhe për të gjithë  besimtarët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Transmeton Ebu Hurejra radijallahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem  ka thënë: “Paraprijini me vepra të mira disa fitneve (sprovave,trazirave) të cilat janë  si shtresat e një nate të errët.Fitne në të cilat njeriu gdhihet besimtar dhe ngryset mohues, e ngryset besimtar dhe gdhihet mohues, e shet fenë e tij për një plackë të kësaj dunjaje”.
Ky hadith është përcjellë nga Muslimi nr 118, Ahmedi nr 10772,Tirmidhiu nr 2195,Ibn Maxheh nr 6704,etj. Është saktësuar nga Muslimi,Tirmidhiu, Ibn Hibani,Ibn Auaneh,Begauiu, Albani,etj.

Ky hadith trajton temën e fitneve duke sqaruar rrezikshmërinë e tyre dhe dëmet që shkaktojnë tek njerëzit.
Fillimisht duhet të dimë se fitnet ndahen dy llojesh: Fitnet e dyshimeve në fe dhe fitnet e epsheve dhe tekave.
Fitnet e dyshimeve në fe,padyshim janë më të rënda dhe më të rrezikshme se sa sprovat e epsheve dhe tekave, sepse dyshimet në fe mund ta nxjerrin njeriun nga pastërtia e teuhidit në pisllëkun e shirkut,kufrit,ateizmit apo e nxjerrin nga drita e Sunetit në errësirën e bidateve dhe të humbjes. Pikërisht këtë fakt e kanë kuptuar më së miri armiqtë e Islamit të cilët më së shumti i kanë përqendruar “ushtritë” e tyre në këtë drejtim, me forma dhe mjete nga më të ndryshmet.

Këto dyshime nuk rreshtin së shfaquri nga një kohë në tjetrën,duke u fuqizuar në disa periudha dhe dobësuar në disa të tjera në varësi të besimit të njerëzve dhe gjallërisë së thirrjes së saktë në atë vend apo kohë. “Thirrësit” (misionarët) e mbjelljes së këtyre dyshimeve  po shtohen cdo ditë e më shumë,për fat të keq edhe në kështjellat më të forta të Islamit sot. I sheh se si e  ngrenë kokën në ndonjë gazetë apo revistë apo libër apo audio apo emsion televiziv apo në internet,apo mënyra të tjera, të organizuara  dhe  individuale.Padyshim që në këtë fushë një peshë të madhe mbajnë dhe bidatcinjtë të cilët i devijojnë njerëzit në fenë e tyre.Njerëzit nga populli i thjeshtë mund të jenë me besim të pastër, të ciltër, në natyrshmëri, me një dashuri të madhe për teuhidin dhe Sunetin, që do ta marrë fenë sipas kuptimit të të parëve(selefëve),mirëpo për shkak të aktivitetit të këtyre njerëzve të devijuar që “sundojnë” shfaqjen publike në mediume të ndryshme,ndodh dhe ndikimi me bindje të gabuara.Bindje jo të sakta,devijime të rënda në shumë fusha të rëndësishme të besimit, si psh më e rënda në lidhje me vetë Allahun, emrat,cilësitë dhe veprimet e Tij, apo në lidhje me profetët dhe të dërguarit,apo në lidhje me Kuranin dhe sahabët,apo në lidhje me Ditën e Gjykimit dhe kaderin,apo në lidhje me Sunetin dhe bidatin,etj.
Lloji i dytë i fitneve është ai i epsheve dhe tekave. Ato dëshira pasionante, teka dhe dëshira të cilat e shtyjnë njeriun që t`i përmbushë ato nëpërmjet kryerjes së gjynaheve.Edhe kjo kategori sot përbën një rrezik jashtëzakonisht të madh, të ekzagjeruar në përmasat e tij në mënyrë të frikshme,duke qenë “rrëmbyese” e shpirtrave të dobët që joshen lehtësisht.Fillimisht shumë nga këto nisin si “eksperiencë” mashtruese, e më pas njeriu e gjen veten të ngërthyer keqazi në vargonjtë e mëkateve,i  janë “përlyer” këmbët në batakun e gjynaheve dhe vazhdon të zhytet në gropën thithëse të tyre,të cilat  e “zhveshin” dalëngadalë nga besimi i tij.Më të përhapurat e këtyre fitneve janë joshja pas pasurisë,epsheve fizike,humbjes së kohës në lojëra dhe dëfrime,grykësia,tendenca për mburrje me veshje dhe paraqitje,imitimi i jobesimtarëve dhe njerëzve të shthurur. Secila nga këto ka nën-degët e saj të mëkateve dhe rrjedhimet negative të tyre.Psh: Joshja pas pasurisë dhe lakmimi i saj,e bën njeriun që të shkelë kufinjtë që Allahu ka vendosur,përdor hiletë dhe mashtrimin,betimin rrejshëm dhe falsifikimin,shet gjëra të ndaluara, vjedh,grabit, shkaktohen konflikte dhe luftëra.
Marrosja pas epshit seksual,duke u kthyer në “skllavin” e tij, e cila fillon me shikimin e skenave erotike në televizor apo internet e më pas fillon praktikimi në jetën e përditshme duke kaluar në ngacmime,joshje,propozime,ndjekje,mashtrime,masturbime,kurvëri,homoseksualitet,përdhunim, etj.Duke mos harruar që i gjithë ky proces, e gjithë kjo veprimtari shoqërohet domosdoshmërisht me mangësi të theksuara në kryerjen e detyrimeve fetare,për të mos thënë braktisje të tyre, në mënyrë të vecantë vihet re në raport me namazin,si shtylla më e rëndësishme e Islamit.
Nga hadithi i mësipërm kuptojmë disa parime dhe indikacione të rëndësishme.

1) Së pari: Kujdesi që duhet të tregojmë në raport me fitnet në tërësi.
Ky kujdes duhet shfaqur në tre aspekte:
a) Drejtimi nga Allahu me lutje dhe përulje,që ta ruajë dhe shpëtojë nga fitnet,duke shfryëzuar në mënyrë të vecantë ato kohë,gjendje apo vende të specifikuara në të cilat lutja është më pranë pranimit. Allahu i do ata që i luten me përulje dhe kembëngulje : “Kush mund t`i përgjigjet njeriut që lutet me këmbëgulje dhe përulje, e tia largojë të keqen dhe t`u bëjë sundues në tokë, përvec Allahut?!” (Neml 62)

b) Nxënia e dijes fetare dhe serioziteti në të.Kjo sepse dija që buron nga Allahu i mundëson njeriut që të kuptojë dhe zbulojë fitnet,të dijë dispozitat në lidhje me to dhe mënyrat e ruajtjes prej tyre.

c)Distancimi dhe qëndrimi larg shkaqeve që i shkaktojnë përfshirjen në fitne.Psh: Mos marrja pjesë në ato kuvende ku tallen me ajetet e Allahut,të mos shihen ato emisione apo debate televizive që kanë si mision të mbjellin dyshime dhe lëkundje ndër njerëz,të mos merret pjesë në ligjëratat e njerëzve të devijuar, të mos dëgjohen thirrjet për “revolucione’,prishje të rendit,të mos qëndrohet në ambiente ku njeriu mund të tundohet për kryerjen e gjynaheve.
Nga rregullat e përgjithshme që dijetarët kanë formuluar është dhe ky: Është detyrë largimi nga burimet e fitneve.

2) Sw dyti:Nxitja për të shpejtuar në kryerjen e veprave të mira,shtimin e tyre para se të vijnë fitnet dhe vazhdimësia në to para dhe gjatë fitneve.
Kjo për disa arsye:
a)Veprat e mira janë mburojë nga fitnet,duke i forcuar besimin,duke i shtuar vendosmërinë dhe kthjelltësinë në metodologjinë që ai ndjek. Profeti salallahu alejhi ue selem  i tha Ibn Abasit radijallahu anhu : “Njihe Allahun në kohë bollëku dhe rehatie ashtu që Ai të jetë pranë teje në vështirësi” (Transmeton Ahmedi)

Gjithashtu Profeti salallahu alejhi ue selem  ka thënë:
‘Me të vërtetë All-llahu i Madhëruar ka thënë: ‘Kushdo që do të tregojë armiqësi ndaj mikut (veliut) Tim, Unë do t’i shpall luftë. Me asgjë robi Im nuk mund të Më afrohet  më shumë se sa me atë me që Unë ia kam obliguar dhe vazhdon robi Im të më afrohet me vepra fakultative (nafile) deri sa ta dua atë. E kur ta dua, dashuria e tij ndaj Meje mbizotëron dhe të dëgjuarit e tij me të cilin dëgjon është vetëm për Mua; të shikuarit e tij me të cilin sheh është vetëm për Mua; dora e tij me të cilën kap, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ecën, ecën vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diçka, do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë”( Transmeton  Buhariu )
Ibn Rexheb el Hanbelij rahimehullah në librin e tij Xhamiul ulumi uel hikem fq 424 ka thënë:
Parimi i përgjitshëm është:Kush sillet me devotshmëri dhe bindje ndaj Allahut në kohën e rehatisë dhe bollëkut,atë Allahu do ta trajtojë me butësinë dhe ndihmën e Tij në kohën e vështirësisë (që ai njeri mund të hasë).

Shejhu Muhamed bin Salih el Uthejmin rahimehullah në shpjegimin e tij të librit Rijadus-salihin 1/105 ka thënë:
Nëse fitnet e fuqishme  vijnë tek  një njeri me besim të dobët,që e kanë dobësuar dhe rrënuar mëkatet dhe tekat,nuk do hasin rezistencë dhe kundërvënie,ndaj dhe e shqyejnë atë ashtu sic shqyen shigjeta objektivin e saj.
Gjithashtu në hadithe të tjera Profeti salallahu alejhi ue selem  ka nxitur për shtimin e adhurimeve edhe gjatë ndodhisë së fitneve,duke treguar dhe shpërblimin e madh që ka, duke thënë: “Adhurimi në  situatë Herxhi (kohë fitnesh dhe vrasjesh) është njësoj si emigrimi për tek unë në Medine” (Transmeton Muslimi)
Imam Neueuiu në shpjegimin e Sahihu Muslimit tek ky hadith ka thënë:
el Herxhu ka për qëllim Fitnet dhe ngatërresat e cështjeve të njerëzve.Arsyeja që iu dha kaq shumë rëndësi dhe shpërblim adhurimit në një kohë të tillë është sepse njerëzit lehtësisht hutohen dhe shmangen prej adhurimit duke u marrë me cështje të tjera,ndaj janë të pakët ata që i kushtohen adhurimit.

b) Vetë fitnet e kanë në natyrë që të krijojnë një lloj perdeje penguese ndërmjet njeriut dhe veprave të mira, duke e shkëputur tërësisht apo dobësuar dhe mangësuar.
Transmeton Ebu Derda radijallahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem  ka thënë: “Besimtari vazhdon të jetë korrekt dhe i devotshëm për sa kohë që nuk derdh gjak të pafajshëm, e nëse e bën këtë ndërpritet (nga veprat e mira dhe devotshmëria)” (Sahihu Ebi Daud 4270,Sahihul Xhami). Kjo për shkak se fitnet shkaktojnë vrasje,cënim të rendit dhe sigurisë,duke e bërë të vështirë pjesëmarrjen në namazet me xhemat,vecanërisht namazet e natës apo qarkullimin lirshëm për davet,kufizimin e sadakasë, angazhimin me ruajtjen personale dhe familjare, mungesën e qarkullimit të ushqimeve dhe artikujve jetikë,pengohet procesi i mësimit nëpër shkolla dhe institucionet fetare,etj.Nëse më pas njeriu dashje padashje përfshihet në ndonjë formë të fitneve e ka mendjen tek vetja se mos burgoset,torturohet, vritet, është gjithë kohën i preokupuar,bën llogari,merr masa,kontakton me njerëz,duke i lënë mënjanë adhurimet që i bënte dikur.Në këtë mënyrë c`orientohet mendja, nuk është prezente zemra sic duhet në namaz,nuk ka të njëjtin nivel ndjeshmërie në dhurim, duke bërë që të pakësohet dhe mangësohet shpërblimi dhe besimi i tij.

3)Rezultati më i tmerrshëm i këtyre fitneve është që njeriu të ngryset besimtar dhe të gdhihet mohues apo të gdhihet besimtar dhe të ngryset mohues. Ky kufr i përmendur në hadith mund të jetë kufr i madh që  e nxjerr njeriun nga feja por mund të jetë dhe kufr i vogël që nuk e nxjerr nga umeti,në varësi të gjendjes së njeriut në raport me shitjen  e fesë së tij.Këtë sqarim e ka shprehur shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin rahimehullah në shënimet e tij ndaj Sahihu Muslimit fq 380.

Shejhu Abdulaziz bin Baz në librin e tij Mexhmu`ul  fetaua 25/108 në shpjegim të këtij hadithi ka thënë :
“E shet fenë e tij për një plackë të kësaj dunjaje” duke bërë kufr me gojë apo vepra për të arritur përfitime dunjaje.I thotë dikush do flasësh keq për Allahun apo Profetin dhe do të të japim këtë  e atë, apo do heqësh dorë nga namazi,apo e konsideron të lejuar zinanë dhe alkolin kundrejt një pozite të caktuar,apo i thuhet mbaj anën e qafirave kundra besimtarëve në situata dhe qëndrime të caktuara kundrejt përfitimeve të ndryshme apo merr pjesë në partinë e jobesimtarëve dhe përkrahësve të tyre për të përfituar pasuri të madhe, duke u bërë palë dhe mik me jobesimtarët dhe duke qenë armik i muslimanëve.Mënyrat e daljes nga Islami janë të shumta dhe përgjithësisht ndodhin për shkak të dhënies përparësi interesave të dunjasë ndaj Ahiretit.

4)Forma e rrezikshme me të cilën shfaqen fitnet,duke bërë që sa më shumë që ato shtohen aq më e vështirë bëhet njohja e të vërtetës në situata të caktuara,aq më e vështirë bëhet praktikimi i të drejtës,coroditen gjendjet,dobësohet feja tek njerëzit,humbet harmonia e jetës dhe mbizotëron mangësimi si në aspektin fetar por dhe atë të dunjasë. Këtë e shohim në dy momente që hadithi përmend:

a) Mënyra se si njeriu ndryshon dhe transformohet brenda ditës apo natës,gdhihet ndryshe nga c`është ngrysur dhe ngryset ndryshe nga c`është gdhirë.
b) Profeti salallahu alejhi ue selem  i përngjasoi këto fitne me netët e errëta ku mungon hëna,madje me pjesën më të errët të saj,sepse në errësirë të plotë humbet rruga,bëhet thuajse e pamundur njohja e orientimit  dhe lehtësohet rënia pre e cdo lloj forme të dëmtimit apo ngërthimi në ndonjë kurth të ngritur.

5) Hadithi shpreh qartë se përkushtimi ndaj dunjasë dhe joshjeve të saj,me qëllimin për të konsumuar sa më shumë prej tyre,është nga shkaqet kryesore që e bën njeriun të përfshihet në fitne dhe të devijojë nga ajo që Allahu i ka ligjëruar:“E shet fenë e tij për një plaçkë të kësaj dunjaje”.

 Shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin rahimehullah në shpjegimin e tij të librit Rijadus salihin 1/150 ka thënë:
Mos mendo se fjala ‘plaçkë’ në këtë hadith ka për qëllim vetëm pasurinë,përkundrazi përfshin cdo lloj përfitimi që përbën interes dhe angazhim për njeriun,qoftë pasuri, post,pozitë,femra,etj.
6) Shpejtimi në vepra të mira është nga shkaqet që e përforcojnë besimin,e mbajnë atë të freskët dhe të rinovuar gjithmonë, ndërsa braktisja e tyre lë hapësira për t`u importuar tek ai dyshimet dhe ndikimet e fitneve.

E lusim Allahun të na ruajë nga fitnet, të kuptueshmet prej dhe të fshehtat, të na orientojë drejt rrugëve të paqes dhe shpëtimit,me tw vërtetë Ai është Dëgjues i lutjes dhe pranues i tyre.

Përgatiti: Shuajb Rexha

 

Loading...