Për çdo gjë të gjallë ka sevape

August 3, 2016

Histori të bukura të treguara nga profeti -alejhi selam-.

Historia e gjashtë.

EbuHurejra -radiallahuanhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur një burrë po ecte në rrugë (udhëtar) dhe e kishte marrë shumë etja, gjeti një pus, zbriti në të dhe piu pastaj doli. Ndërkohë, pa një qen që kishte nxjerrë gjuhën jashtë dhe po hante dhe të njomë nga etja. Burri tha me vete: Këtë qen e paska kapur etja siç më kapi mua. Atëherë ai zbriti në pus dhe mbushi me ujë mbështjellësen (prej lëkure) e këmbës pastaj e kapi për goje dhe i dha ujë për të pirë. Allahu e lavdëroi atë për këtë punë dhe e fali. Njerëzit pyetën: O i dërguari i Allahut, a kemi sevape për kafshët? Ai tha: Për çdo gjë të gjallë ka sevape” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Një hadith tjetër i ngjashëm me të:

EbuHurejra -radiallahuanhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Një grua imorale nga Beni Israilët pa një qen duke nxjerrë gjuhen jashtë në një ditë të nxehtë, duke u rrotulluar rreth një pusi dhe gati sa s’po ngordhte nga etja. Ajo mori mbështjellësen e këmbës,e lidhi me shaminë e saj dhe i nxorri ujë nga pusi pastaj i dha për të pirë dhe Allahu e fali atë për këtë gjë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dobitë e përfituara nga këto histori:

1- Ky hadith nxjerr në pah vlerën e mëshirës ndaj krijesave të Allahut cilësi kjo që e do Allahu dhe e ka cilësuar me të vetën e tij në shumë ajete në kuran madje në një hadith thuhet “Allahu kur krijoi krijesat shkroi një shkrim mbi arsh: mëshira ime ia ka kaluar zemërimit tim” e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Këtë cilësi Allahu i madhëruar ka dashur të shihet edhe te robtë e tij prandaj dhe profeti -alejhi selam- thotë: “Ata që mëshirojnë, i mëshiron Allahu. Mëshironi ata që janë në tokë, tju mëshirojë ai që është në qiell” e transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani. Madje në një hadith tjetër thuhet: “Allahu mëshiron prej robëve të tij vetëm mëshiruesit” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2- Ji i mëshirshëm në këtë botë me të gjitha krijesat e Allahut me shpirt, kafshë qofshin ato apo njerëzsepse nëse kjo kërkohet për kafshët të cilat janë krijuar për ti shërbyer njeriut atëherë për njeriun është më parësore. Madje edhe me mushrikët dhe kjo përfitohet siç thotë IbnBattali: Është argumentuar me këtë hadith lejimi i sadakasë vullnetare (dmth jo zekatit se ai është detyrë për myslimanët) për shkak të përgjithësimit që i ka bërë profeti alejhi selam kur ka thënë [Për çdo gjë të gjallë ka sevape].

3- Mëshira është edhe për ato kafshë që nuk i ke nën pronësi sepse këta njerëz mëshiruan kafshë të rrugës ndërsa për ato që i ke nën pronësi është detyrë e veçantë e jotja siç tregon profeti -alejhi selam- për një grua nga Beni Israilët e cila ka hyrë në zjarr për një mace: “Një grua është futur në zjarr për një mace të cilën e kishte lidhur as nuk i jepte për të ngrënë dhe as nuk e linte të lirë të hante prej kandrrave të tokës” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

4- Mëshirimi i gjësë së gjallë mund të jetë shkak për faljen e gjynaheve të mëdha sepse në rastin e dytë është mjaft e qartë se gruaja kishte një gjynah të madh dhe ishte imorale dhe Allahu ia fali atë asaj. Ndërsa në rastin e parë hadithi thotë se Allahu e fali por pa i përmendur se çfarë gjynahu kishte.

5- Dhënia e ujit të eturve është prej punëve të mira që të afron te Allahu dhe kjo gjë ka qenë shkak që në vendet islame para se të vihen rrjetet e ujit kanë qenë shumë të përhapura çezmat publike të lënë vakëfe.IbnBattali prej komentuesve të haditheve thotë se është transmetuar nga disa prej tabbinëve fjala e tij: “Ai i cili ka shumë gjynahe të, ti japë ujë të tjerëve”.

6- Çdo popull që ka pasur një libër prej Allahut dhe profet prej tij e ka njohur shaminë – mbulesën e kokës për gratë – adet ky i vjetër i njerëzimit dhe i besimeve monoteiste, sepse gruaja në hadithin e dytë ishte nga Beni Israilët dhe në hadith: [Ajo mori mbështjellësen e këmbës dhe e lidhi me shaminë e saj].

Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “O bijtë e Ademit, Ne ju zbritëm rroba që të mbuloni auretin tuaj dhe të zbukuroheni; por, petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ju të merrni këshillë.” suretuEl-Eraf: 26.

Allahu i madhëruar njofton se i ka zbritur robëve të tij dy lloj veshjesh: veshje të jashtme dhe veshje të brendshme. Veshja e jashtme është mbulim për auretin për ta mbrojtur atë nga çdo ngacmim i jashtëm dhe është gjithashtu zbukurim për njeriun sepse njeriu pa rroba është i shëmtuar. Kurse veshja e brendshme e cila është devotshmëria është më e mira veshje sepse ajo ruan zemrën dhe kushdo që kujdeset për veshjen e brendshme është kujdesur edhe për veshjen e jashtme dhe kushdo që nuk kujdeset për veshjen e brendshme nuk kujdeset për veshjen e jashtme. Pastaj tregon se lakuriqësia është prej Shejtanit të mallkuar: “O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani, ashtu siç  nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur aureti!” suretuEl-Eraf: 27.

7- Zinaja në mesin e një populli besimtar nuk ka qenë dukuri e këtyre popujve dhe hadithi nuk është treguar për këtë qëllim por për të treguar se mëshirimi i gjësë së gjallë mund të falë edhe një gjynah të tillë të madh.

Shkroi: Teuta XEKA.

Loading...