Përgëzimi për besimtarin

January 3, 2016

Përgëzimi për besimtarin

Nga Ebu Dherri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: I thanë: O i Dërguari i Allahut, çfarë mendon për një njeri që bën vepra të mira dhe njerëzit e lavdërojnë, apo e duan atë? – Tha – Ajo është përgëzim i shpejtuar për besimtarin” Transmeton Muslimi.[1]

Në këtë hadith Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka njoftuar se gjurmët e veprave të lavdërueshme të përshpejtuara që në këtë botë janë prej përgëzimit. Sepse Allahu u ka premtuar të dashurve të Tij (eulijave) – që janë besimtarët dhe të devotshmit – përgëzim në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Dhe përgëzimi është: lajmi apo diçka e gëzueshme nëpërmjet të cilës robi mëson se do të ketë  përfundim të mirë dhe se puna e tij është pranuar.

Ndërsa në Akhiret ajo është përgëzimi me kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij dhe shpëtimin nga zemërimi i Tij, në çastet e vdekjes, në varrin e tij, kur të ringjallet e të dalë nga varri, Allahu i dërgon robit të Tij besimtar në këto raste (sh.p.: vendimtare dhe shumë të vështira për njeriun) përgëzime nëpërmjet melaikeve, ashtu siç kanë ardhur për këtë argumente të shumta nga Kurani dhe Suneti, dhe ato janë të njohura.

Ndërsa përgëzimi që i jep Allahu besimtarëve në dynja është një shembull dhe përshpejtim që tregon pozitat e tyre, të cilat Ai ua tregon në mënyrë që t’i bëjë edhe më aktivë në vepra të mira. Më i madhi prej këtyre përgëzimeve është suksesi që Ai u jep atyre për vepra të mira, dhe ruajtja nga veprat e këqija. Siç thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Për sa u përket të lumturve atyre do tu lehtësohen veprat e të lumturve”.[2]

Prandaj nëse robi i ka të lehta veprat e mira, i kryen ato me lehtësi, dhe e shikon se është i ruajtuar me ruajtje prej Allahut nga veprat që e dëmtojnë atë, kjo është prej përgëzimeve nëpërmjet të cilave besimtari argumentohet për përfundimin e mirë të tij, sepse Allahu është më fisniku i fisnikëve, më Bujari i bujarëve, dhe kur Ai ia nis robit të tij një mirësi ia plotëson atë.

Mirësia më e madhe të cilën ia jep atij është: mirësia në fe, prandaj besimtari gëzohet me të, e sa gëzim i madh është ai! Gëzim me veprat e mira për të cilat Allahu i jep sukses dhe ia lehtëson. Sepse prej shenjave më të mëdha të besimit është dashuria për të mirën dhe përpjekja për të dhe gëzimi me të, dhe një gëzim tjetër që është: ambicia e tij që Allahu t’ia plotësojë mirësinë atij dhe dëshira që mirësia e Allahut ndaj tij të jetë e vazhdueshme.

Dhe prej këtyre përgëzimeve është edhe ai që përmendi Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në këtë hadith: kur robi  vepron diçka prej veprave të mira – sidomos veprat e bamirësisë dhe projektet me dobi të përgjithshme për njerëzit – dhe si pasojë e këtyre vjen dashuria e njerëzve për të, lavdërimi i tyre dhe lutja e tyre për të, kjo është prej përgëzimit dhe tregon se kjo është prej veprave të pranuara, tek të cilat Allahu ka vendosur mirësi dhe bereqet.

Dhe prej përgëzimeve të kësaj bote është: dashuria e besimtarëve për njeriun,  për shkak të fjalës së të Lartësuarit: “Me të vërtetë ata që besuan dhe vepruan vepra të mira i Mëshirshmi do t’i bëjë të dashur” (Merjem: 96) dmth Allahu do t’i dojë ata dhe do t’i bëjë të dashur për zemrat e njerëzve.

Dhe prej tyre është edhe: lavdërimi i njerëzve, sepse lavdërimi i shumtë i besimtarëve për njeriun është dëshmi për ta, dhe besimtarët janë dëshmitarët e Allahut në tokën e Tij.

Dhe prej tyre është edhe ëndrra e mirë që e shikon besimtari, apo e shikojnë të tjerët për të, sepse ëndrra e mirë është prej përgëzimeve.

Dhe prej përgëzimeve është edhe që Allahu t’i caktojë robit një caktim që ai e do apo e urren, dhe këtë caktim e bën sebep për rregullimin e fesë së tij dhe shpëtimin e tij prej të këqijave. Dhe llojet e butësisë së Krijuesit të Lartmadhëruar nuk numërohen, as mund të llogariten dhe nuk mund të përfytyrohen dot plotësisht.

Dhe Allahu është më i dijshmi.

 

Behxhetu Kulubil Ebrar

Autor Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu Emin Bilali

 

[1] Muslimi/ Kapitulli i devotshmërisë dhe mbajtjes së lidhjeve farefisnore/ Tema: Nëse lavdërohet njeriu i devotshëm ajo është përgëzim për të dhe nuk e dëmton. (2642).

[2] Pjesë nga një hadith që e përcjell Ali ibn ebi Talibi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij. E transmeton Bukhari/ Kapitulli i xhenazeve/ Tema: Këshilla tek varri dhe ulja e shokëve të tij përreth tij. (1362). Dhe Muslimi/ Kapitulli i kaderit/ Tema: Mënyra e krijimit të njerëzve… (2647).

Loading...