Përkatësia në islam është përkatësia më e mirë

May 4, 2017

Ubej bin Keabi përcjell: Në kohën e Profetit alejhi saltu ues selam dy njerëz filluan të përmendnin fiset e tyre. Njëri prej tyre filloi (të krenohej) dhe tha: Unë jam filani i biri i filanit. Po ti kush je mos të pastë nëna? Kur i Dërguari i Allahut alejhi selam i dëgjoi, tha: “Dy njerëz në kohën e Musait filluan të kujtonin paraardhësit e tyre, kështu që njëri prej tyre tha: Unë jam filani i biri i filanit, – derisa numëroi nëntë breza. Pastaj iu drejtua tjetrit duke i thënë: Po ti kush je mos të pastë nëna? Ai ia ktheu: Unë jam filani i biri i filanit, i biri i islamit.

Allahu i shpalli Musait duke i thënë: Thuaju atyre dy njerëzve se ti që u mburre me nëntë breza, ata janë në zjarr dhe dije se ti je i dhjeti pas tyre. Ndërsa ti që u mburre me dy breza (pastaj përmende islamin), ata janë në Xhenet dhe dije se ti do të jesh i treti pas tyre.”

E percjell Abdullah bin Ahmed në “Zeuaid el Musned” dhe Bejhakiu në “Shuabul Ijman”. Zinxhiri i këtij hadithi është i saktë.

 

Përktheu: Fatjon Isufi   

Loading...