Përmendja e Allahut ﷻ është një nga adhurimet më të lehta për muslimanin, pasi ai mund ta përmendë Allahun në çdo kohë dhe në çdo gjendje: në këmbë, ulur, i shtrirë, duke ndenjur, duke ecur, duke punuar, apo gjatë adhurimeve të ndryshme.
Njëkohësisht, dhikri është ndër veprat më të dashura tek Allahu i Lartësuar.
Dhikri bëhet me gjuhë duke e përmendur Allahun dhe duke ju lutur Atij, si dhe me zemër duke medituar në madhështinë e Allahut ﷻ dhe në krijesat e Tij.
Në shumë ajete kuranore dhe në hadithe të Profetit ﷺ, besimtarëve u kërkohet vazhdimisht që ta përmendin Allahun. Pra jo vetëm ta përmendin, por ta përmendin Atë shumë dhe shpesh.
Kërkesa që ky adhurim të kryhet kaq shpesh nuk haset në asnjë adhurim tjetër.
Allahu i Lartësuar thotë:
{وَاذْكُرُوا اللَّهَ كَثِيراً لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ}
“…dhe përmendeni Allahun shumë që të shpëtoni.” | El Enfal: 45.
{إِنَّ الْمُسْلِمِينَ وَالْمُسْلِمَاتِ … وَالذَّاكِرِينَ اللَّهَ كَثِيراً وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّهُ لَهُمْ مَغْفِرَةً وَأَجْراً عَظِيماً}
“Nuk ka dyshim se për muslimanët dhe muslimanet… dhe për ata që e përmendin Allahun shumë, Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” | El Ahzab: 35.
{يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْراً كَثِيراً * وَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلاً}
“O ju që keni besuar! Përmendeni Allahun shumë dhe madhërojeni Atë në mëngjes e në mbrëmje.” | El Ahzab: 41–42.
Dijetari i madh Ibën Kajimi (v. 751 H), në librin e tij “El Uabil es Sajib” ka përmendur mbi 70 dobi të dhikrit, dhe ndër të tjera thotë:
“Allahu ka urdhëruar për dhikër të shumtë për shkak të nevojës së madhe që njeriu ka për të, pasi ai nuk mund të bëjë pa të as sa hap e mbyll sytë.
Çdo moment që njeriu kalon pa përmendur Allahun e Lartësuar, është kundër tij dhe jo në dobi të tij.”
(“El uabil es sajjib” fq. 89)
Tabiini i njohur Hasan el Basriu (v. 110 H), ka thënë:
“Kërkojeni ëmbëlsinë në tri gjëra: në namaz, në dhikër dhe në leximin e Kuranit. Nëse e gjeni, mirë; nëse jo, atëherë dijeni se dera është e mbyllur.”
(“Hiljetul eulija” 6/171)
Si të jemi prej atyre që e përmendin Allahun shumë? A kërkohet nga ne të bëjmë dhikër gjatë gjithë kohës?
Tabiini Muxhahid ibn Xhebr (v. 103 H), njëri prej dijetarëve të spikatur të tefsirit ka thënë:
“Njeriu nuk mund të jetë prej atyre që e përmendin Allahun shumë, derisa ta përmendë Allahun në çdo gjendje: në këmbë, ulur dhe i shtrirë.”
Imam Ibën Salah (v. 643 H) është pyetur se kur mund të konsiderohet dikush prej atyre që e përmendin Allahun shumë, dhe ai u përgjigj:
“Nëse ai u përmbahet rregullisht dhikreve të transmetuara dhe të sakta, në mëngjes dhe në mbrëmje, në kohë dhe rrethana të ndryshme, ditën dhe natën, ai do jetë prej atyre që e përmendin Allahun shumë.”
(“El edhkar” fq. 10)
Abdullah bin Busr, radijAllahu anhuma, tregon se një burrë i tha Profetit ﷺ:
“O i Dërguari i Allahut, rregullat e Islamit janë bërë të shumta për mua, ndaj më trego diçka pas së cilës të mbahem fort.
Profeti ﷺ i tha:
Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë me përmendjen e Allahut.”
(Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh, dhe e ka saktësuar Shejh Albani.)
Gjuha e njomë nga dhikri është ajo gjuhë që e përmend Allahun vazhdimisht: në gëzim e në hidhërim, gjatë punës e gjatë pushimit, ditën e natën… është ajo gjuhë që nuk pushon kurrë së kujtuari Allahun në çdo gjendje.
Lusim Allahun të na bëjë prej atyre që e përmendin shpesh Atë!
Dosje: Dhikri
Të Ngjashme
- Biografia e një dijetari – Imam Ebu Hanife (pjesa e parë) Udha e Besimtarëve
- Një lutje që rikthen qetësinë e zemrës pas trishtimit Udha e Besimtarëve
- Njohja e vlerës dhe pozitës së dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Krenaria që të shkatërron pa e kuptuar Dr. Fatmir Strumi
- Shkaqet e dobishme për një jetë të lumtur Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi