Përmendja e Shpeshtë e Allahut ﷻ

April 14, 2026

Përmendja e Allahut ﷻ është një nga adhurimet më të lehta për muslimanin, pasi ai mund ta përmendë Allahun në çdo kohë dhe në çdo gjendje: në këmbë, ulur apo i shtrirë, duke ndenjur, duke ecur, duke punuar apo gjatë adhurimeve të ndryshme.

Njëkohësisht, dhikri është ndër veprat më të dashura tek Allahu i Lartësuar.

Dhikri bëhet me gjuhë duke e përmendur Allahun dhe duke ju lutur Atij, si edhe me zemër, duke medituar në madhështinë e Allahut ﷻ, dhe në krijesat e Tij.

Në shumë ajete kuranore dhe në hadithe të Profetit ﷺ, besimtarëve u kërkohet vazhdimisht që ta përmendin Allahun, jo vetëm ta përmendin, por ta përmendin Atë shumë, ta përmendin Atë në mënyrë të shpeshtë.

Kërkesa që ky adhurim të kryhet në mënyrë të shumtë e të shpeshtë nuk është kërkuar në asnjë adhurim tjetër në këtë formë.

Allahu i Lartësuar thotë:

{وَاذْكُرُوا ‌اللَّهَ ‌كَثِيراً لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ}

“…dhe përmendeni Allahun shumë, që të shpëtoni.” (Enfal: 45)

{إِنَّ الْمُسْلِمِينَ وَالْمُسْلِمَاتِ … وَالذَّاكِرِينَ ‌اللَّهَ ‌كَثِيراً وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّهُ لَهُمْ مَغْفِرَةً وَأَجْراً عَظِيماً}

“Nuk ka dyshim se për myslimanët dhe myslimanet… dhe për ata që e përmendin Allahun shumë, Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab: 35)

{يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا ‌اللَّهَ ‌ذِكْراً ‌كَثِيراً * وَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلاً}

“O ju që keni besuar! Përmendeni Allahun shumë dhe madhërojeni Atë në mëngjes e në mbrëmje.” (Ahzab: 41–42)

Dijetari i madh, Ibn Kajjimi (v. 751H), në librin e tij “El Uabil es Sajjib”, ka përmendur mbi 70 dobi të dhikrit dhe, ndër të tjera, thotë:
“Allahu ka urdhëruar për dhikr të shumtë për shkak të nevojës së madhe që njeriu ka për të, pasi ai nuk mund të bëjë pa të as sa hap e mbyll sytë.
Çdo moment që njeriu kalon pa e përmendur Allahun e Lartësuar është kundër tij dhe jo në dobi të tij.”

(El Uabil es Sajjib, fq. 89)

Tabi’ini i njohur, Hasan Basriu (v. 110H), ka thënë:
Kërkojeni ëmbëlsinë në tri gjëra: në namaz, në dhikr dhe në leximin e Kuranit. Nëse e gjeni, mirë; nëse jo, atëherë dijeni se dera është e mbyllur.”
(Hiljetul Eulija, 6/171)

Si të jemi prej atyre që e përmendin Allahun shumë? A kërkohet nga ne të bëjmë dhikër gjatë gjithë kohës?

Tabi’ini Muxhahid ibn Xhebr (v. 103H), prej dijetarëve të spikatur të tefsirit ka thënë:
“Njeriu nuk mund të jetë prej atyre që e përmendin Allahun shumë, derisa ta përmendë Allahun në çdo gjendje: në këmbë, ulur dhe i shtrirë.”

Imam Ibn Salah (v. 643H) është pyetur se kur mund të konsiderohet dikush prej atyre që e përmendin Allahun shumë, dhe ai u përgjigj:
“Nëse ai u përmbahet rregullisht dhikreve të transmetuara dhe të sakta, në mëngjes dhe në mbrëmje, në kohë dhe rrethana të ndryshme, ditën dhe natën, ai do të jetë prej atyre që e përmendin Allahun shumë.”
(El Edhkar, fq. 10)

Abdullah bin Busr (radijAllahu anhuma) tregon se një burrë i tha Profetit ﷺ:
“O i Dërguari i Allahut, rregullat e Islamit janë bërë të shumta për mua, ndaj më trego diçka pas së cilës të mbahem fort.”
Profeti ﷺ i tha:
“Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë me përmendjen e Allahut.”
(Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, dhe e ka saktësuar Shejh Albani)

Gjuha e njomë nga dhikri është ajo gjuhë që e përmend Allahun vazhdimisht: në gëzim e në hidhërim, gjatë punës e gjatë pushimit, ditën e natën… është ajo gjuhë që nuk pushon kurrë së kujtuari Allahun në çdo gjendje.

Lusim Allahun të na bëjë prej atyre që e përmendin Atë shpesh!

Dosje:

Loading...