Nga Sufjan ibn Abdullah eth Thekafij transmetohet se ka thënë: “I thashë: O i Dërguari i Allahut, më thuaj për Islamin një fjalë për të cilën nuk do kem nevojë të pyes dikë tjetër pas teje. Më tha: Thuaj: Besova Allahun, pataj qëndro i palëkundur në këtë!” E transmeton Muslimi.[1]
Ky burrë kërkoi prej Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem disa fjalë të dobishme përmbledhëse të mirësive, që e çojnë vepruesin e tyre drejt shpëtimit.
[Sh.p.: Dhe siç vihet re qartë nga fjalët e tij ai donte disa fjalë të thjeshta, të lehta për tu kuptuar, jo të komplikuara, që mos të kishte nevojë të kërkonte sqarime të mëtejshme për to.]
Kështu Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi të besonte në Allahun, i cili përfshin ato që janë detyrë të besohen prej bazave të besimit dhe shtyllat e tij dhe çka vijnë pas tyre prej punëve të zemrës, dorëzimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut, haptas dhe fshehtas. Më pas vazhdimi në këtë dhe përqëndrimi deri në vdekje. Ky hadith është si fjala e të Lartësuarit: “Atyre që thanë: Zoti ynë është Allahu, – pastaj qëndruan në të pa u lëkundur, u zbresin engjëjt duke u thënë: Mos u frikësoni e as mos u trishtoni, dhe përgëzohuni me Xhenetin që u premtohej.” | Fussilet: 30. Pra si shpërblim për besimin dhe qëndrimin e palëkundur në të, shpëtuan nga gjithë të këqijat dhe arritën Xhenetin dhe gjithçka që dëshironin.
Kanë treguar tekste të shumta nga Kurani dhe Suneti se besimi (imani) përfshin çka në zemra prej besimeve të sakta dhe punëve të zemrës, si dëshirimi i të mirës dhe urrejtjes së të keqes, dhe punët e gjymtyrëve. Kjo nuk mund të plotësohet veçse duke qëndruar në të pa u lëkundur.
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.
Autor: Abdurrahman ibn Nasir es Sa’dij
Përktheu: Emin Bilali
————————————————————-
[1] Muslimi, kapitulli i imanit, tema: “Përmbledhja e cilësive të Islamit”. Hadithi nr. 38.
Dosje: Porositë e Etërve