Prej lutjeve më madhështore

January 5, 2026

Prej lutjeve më madhështore që muslimani ia drejton Allahut çdo ditë është kërkimi i udhëzimit në rrugën e drejtë, lutje kjo që ai e përsërit në çdo rekat të namazit që fal.
ٱهْدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلْمُسْتَقِيمَ
صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ ٱلْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ
“Udhëzona në rrugën e drejtë!
Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi, e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”
(Surja Fatiha)

Me këtë lutje, ai kërkon udhëzimin në rrugën e drejtë: rrugën e atyre që Allahu i ka begatuar, e jo rrugën e atyre që kanë devijuar prej saj për shkak të të kuptuarit të pasaktë, as rrugën e atyre që kanë devijuar për shkak të qëllimeve të tyre jo të pastra.
Të kuptuarit e saktë dhe qëllimi i pastër janë dy mirësi jashtëzakonisht të mëdha, të cilat jo të gjithë i posedojnë. Nëse njeriu çalon në njërën prej tyre, ai largohet nga udhëzimi po aq sa ka çaluar në to.

Shumë njerëz vuajnë sepse zemrat e tyre janë të nxira; mendjemadhësia, zilia dhe vetëpëlqimi i shtyjnë që ta refuzojnë të vërtetën edhe pasi ajo u bëhet e qartë.
Të tjerë vuajnë sepse nuk kuptojnë drejt; ata bien viktimë e çdo manipulimi dhe keqinterpretimi që dëgjojnë, sidomos kur moskuptimit i bashkohet pasimi i verbër i dikujt, dhe akoma më keq nëse mendojnë se dinë, megjithëse nuk dinë asgjë!
Të dyja palët janë të humbur; si ai që e refuzon të vërtetën me vetëdije, ashtu edhe ai që nuk e njeh të vërtetën dhe as nuk tregon interes për ta njohur atë.
Ajetet kuranore tregojnë qartë rëndësinë e këtyre dy mirësive dhe se neglizhenca ndaj tyre e largon njeriun nga udhëzimi i Allahut.

Imam Ibn Kajjim el Xheuzije (v. 751 h.) thotë:
“Të kuptuarit saktë dhe qëllimi i pastër janë ndër mirësitë më të mëdha me të cilat Allahu e ka begatuar njeriun. Madje, pas udhëzimit në Islam, askujt nuk i është dhënë dhunti më madhështore se këto të dyja.
Ato janë shtyllat mbi të cilat qëndron Islami, dhe qëndrueshmëria e tij tek njeriu varet prej tyre.
Me to, njeriu dallohet nga rruga e atyre mbi të cilët ka rënë zemërimi i Allahut, të cilëve u mungon qëllimi i pastër, si dhe nga rruga e të humburve, të cilëve u mungon të kuptuarit saktë.
Ai bëhet prej të begatuarve, të cilët posedojnë të kuptuar të saktë dhe qëllim të pastër; ata janë njerëzit e rrugës së drejtë, rrugën e të cilëve jemi urdhëruar t’ia kërkojmë Allahut në çdo namaz që të na udhëzojë drejt saj.

Të kuptuarit e saktë është dritë që Allahu e hedh në zemrën e njeriut, me të cilën ai dallon mes së saktës dhe së gabuarës, së vërtetës dhe së pavërtetës, udhëzimit dhe humbjes, devijimit dhe të drejtës.
Të kuptuarit saktë forcohet nga qëllimi i pastër, kërkimi i së vërtetës dhe devotshmëria ndaj Allahut, në fshehtësi dhe haptazi.
Të kuptuarit saktë dobësohet dhe shkatërrohet nga ndjekja e pasioneve, parapëlqimi i kësaj bote, kërkimi i lavdërimit nga njerëzit dhe braktisja e devotshmërisë.”
(A’lamul Muekki’in, 1/188)

Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...