Prezantim i shkurtër mbi Islamin

October 23, 2024

PREZANTIM I SHKURTËR MBI ISLAMIN

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Kjo është një broshurë e shkurtër mbi Islamin sipas mësimeve të Kuranit Famëlartë dhe të tradisës profetike. Ajo përmban një prezantim të përmbledhur mbi Islamin dhe shpjegon parimet, mësimet dhe vlerat e tij më të rëndësishme që përfitohen nga burimet e tij autentike; Kurani Famëlartë dhe tradita profetike. Kjo broshurë i drejtohet të gjithë njerëzve të rritur, muslimanë qofshin ata apo jomuslimanë, në gjuhën e tyre në çdo vend e kohë dhe në çdo rrethanë e situatë.

1-Islami është mesazhi i Allahut për mbarë njerëzimin. Ai është mesazhi i përjetshëm hyjnor.

2-Islami nuk është fe e veçantë për një racë apo për një popull të caktuar, por është feja e Allahut për mbarë njerëzimin.

3-Islami është mesazhi hyjnor i cili erdhi për të plotësuar mesazhet hyjnore që Pejgamberët dhe të Dërguarit e mëparshëm (paqja qoftë mbi ta!) përçuan te popujt e tyre.

4-Feja e të gjithë Pejgamberëve ishte e njëjtë ndërsa legjislacionet e tyre ishin të ndryshëm.

5-Thirrja islame është ajo e të gjithë pejgamberëve të mëparshëm; Nuhut, Ibrahimit, Musait, Sulejmanit, Daudit dhe Isait, paqja qoftë mbi ta, e cila konsiston në besimin se zoti është Allahu, Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Jetëdhënësi, Jetëmarrësi, Sunduesi Absolut, Përcaktuesi i çështjeve dhe i Dhembshuri e i Mëshirshmi.

6-Allahu i Madhëruar është krijuesi dhe vetëm Ai meriton të adhurohet dhe asgjë tjetër nuk bën të adhurohet me Të.

7-Allahu është krijuesi i gjthçkaje që gjendet në këtë gjithësi, që e shohim dhe që nuk e shohim. Çdo gjë tjetër veç Tij është pjesë e krijesave të Tij. Ai i krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë.

8-Allahu i Madhëruar nuk ka ortak as në sundimin e Tij, as në krijimin e Tij, as në përcaktimin e Tij, e as në adhurimin e Tij.

9-Allahu i Madhëruar as ka lindur kënd e as është i lindur prej kujt dhe asgjë nuk është e barabartë apo e njëjtë me Të.

10-Allahu i Madhëruar nuk depërton në diçka e as personifikohet në trupin e dikujt prej krijesave të Tij.

11-Allahu i Madhëruar është i Dhembshur dhe i Mëshirshëm dhe kjo është arsyeja që i dërgoi Pejgamberët dhe i shpalli librat.

12-Allahu është Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe Ai i vetmi do t’i marrë në llogari krijesat në ditën e gjykimit kur t’i ringjallë ato nga varret e tyre dhe do ta shpërblejë secilin prej tyre për të mirat apo për të këqiat që ka bërë. Atij që bën vepra të mira duke qenë besimtarë i takon lumturia e përhershme ndërsa atij që mohon dhe bën vepra të këqia i takon dënimi i madh.

13-Allahu i Madhëruar e krijoi Ademin nga dheu dhe i shumoi pasardhësit e tij pas tij. Njerëzit janë të njëjtë në origjinën e tyre dhe asnjë racë nuk ka epërsi mbi një racë tjetër dhe asnjë popull nuk është më superiorë se një një popull tjetër përveçse me anë të devotshmërisë.

14-Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër.

15-Asnjë njeri nuk lind mëkatar apo trashëgues i mëkatit të dikujt tjetër.

16-Qëllimi në krijimin e njerëzimit është adhurimi i Allahut të Vetëm.

17-Islami e ka nderuar njeriun, mashkull apo femër, dhe ika garantuar të drejta të plota dhe e ka bërë përgjegjës për të gjitha zgjedhjet, punët dhe veprimet e tij. Ai e bën atë përgjegjës të çdo veprimi që e dëmton atë vetë apo që dëmton të tjerët.

18-Në Islam mashkulli dhe femra janë të njëjtë sa i takon përgjegjshmërisë, ndëshkimit dhe shpërblimit.

19-Islami e ka nderuar femrën dhe e ka konsideruar atë të njëjtë me mashkullin dhe mashkullin e ka bërë përgjegjës për të siguruar shpenzimet që i nevojiten femrës sipas mundësisë. Sakaq shpenzimet e vajzës janë detyrë e babait, shpenzimet e nënës janë detyrë e djalit të saj nëse ai është i rritur dhe i aftë për të punuar dhe shpenzimet e bashkëshortes janë detyrë e bashkëshortit të saj.

20-Vdekja nuk është fund i përhershëm por është shpërngulje nga bota e veprimit në botën e shpërblimit. Vdekja prek edhe trupin edhe shpirtin. Vdekja e shpirtit është dalja e tij nga trupi. Shpirti do të rikthehet në trup pas ringjalljes në ditën e gjykimit. Ai nuk kalon e as mishërohet në një trup tjetër pas vdekjes.

21-Islami fton te besimi i bazave kryesore të imanit që janë: besimi në Allah, në engjëjt e Tij, në librat hyjnorë, si: Teurati, Inxhili, Zeburi (para se të shtrembëroheshin) dhe Kurani. Besimi në të gjithë pejgamberët dhe të dërguarit (paqja qoftë mbi ta). Besimi në Pejgamberin e fundit Muhamedin, i cili ishte vula e Pejgamberëve dhe e të Dërguarve. Dhe besimi në ditën e gjykimit; ne e dimë se nëse jeta e dunjasë do të ishte përfundimtare për ekzistencën njerëzore, atëherë jeta dhe ekzistenca do të ishin një absurditet i qartë. Si dhe besimi në vendimet dhe caktimet hyjnore.

22-Pejgamberët (paqja qoftë mbi ta) janë të pagabueshëm në çështjet që përcjellin nga Allahu i Madhëruar. Ata janë të pagabueshëm edhe në çdo gjë që bie ndesh me logjikën apo në çdo gjë që është e papranueshme nga morali i shëndoshë. Pejgamberët janë të ngarkuar për të përcjellë urdhëresat e Allahut te robërit e Tij. Ata nuk posedojnë asnjë veçori të hyjnitetit dhe janë si të gjithë njerëzit e tjerë vetëm se Allahu i Madhëruar u shpalli atyre mesazhin e Tij.

23-Islami predikon adhurimin e Allahut një të Vetëm përmes adhurimeve themelore që janë: Namazi i cili përbëhet nga qëndrimi në këmbë, rukuja, sexhdeja, përkujtimi i Allahut dhe lavdërimi i Tij. Namazi falet pesë herë në ditë. Në kryerjen e namazit nuk ka asnjë ndasi, andaj i pasuri, i varfri, eprori dhe vartësi rreshtohen të gjithë bashkë në të njëjtin rresht.

Zekati i cili përbëhet nga një sasi e vogël e pasurisë që përcaktohet nga dispozitat e vendosura nga Allahu i Madhëruar dhe që nxirret nga pasuria e të pasurve dhe i jepet të varfërve dhe disa kategorive të tjera specifike, një herë në vit.

Agjërimi i cili konsiston në heqjen dorë nga gjërat që e prishin atë gjatë ditës në muajin e Ramazanit. Agjërimi kalit vullnetin dhe durimin e njeriut.

Haxhi i cili konsiston në vizitën që i bëhet Shtëpisë së Allahut në Meken e Bekuar një herë në jetë për atë që e ka mundësinë. Në haxh të gjithë i drejtohen Krijuesit në mënyrë të barabartë dhe ndasitë e përkatësitë janë inekzistente.

24-Veçoria më e madhe e adhurimeve në fenë islame është se forma, oraret dhe kushtet e adhurimeve janë caktuar nga Allahu i Madhëruar dhe janë kumtuar nga Pejgamberi i Allahut (paqja qoftë mbi të!) dhe askush nga njerëzit nuk ka ndërhyrë në to për të shtuar apo për të hequr diçka deri më sot. Dhe të gjithë Pejgamberët (paqja qoftë mbi ta!) kanë predikuar për kryerjen e këtyre adhurimeve kryesore.

25-Pejgamberi i fundit i Islamit është Muhamedi i biri i Abdullahut. Ai rridhte nga pasardhësit e Ismailit birit të Ibrahimit (paqja qoftë mbi ta!). Ai lindi në Mekë në vitin 571 sipas kalendarit gregorian. Atij i erdhi shpallja në Mekë dhe më pas u shpërngul në Medine. Ai nuk ia bashkua asnjëherë popullit të tij në ritualet pagane, ndonëse i bashkohej atyre në çështje të tjera të mëdha shoqërore. Ai kishte një moral të lartë edhe para se të shpallej pejgamber. Populli i tij e quanin “Besniku”. Ai u shpall pejgamber në moshën dyzet vjeçare. Allahu e mbështeti atë me mrekulli të ndryshme. Mrekullia më e madhe që iu dha ishte Kurani Famëlartë. Kurani është mrekullia më e madhe e të gjithë pejgamberëve. Është e vetmja mrekulli që i ka mbijetuar kohërave deri më sot. Kur Allahu e plotësoi për të fenë, të cilën ai e kumtoi me përkushtim të plotë, Pejgamberi Muhamed ndërroi jetë në moshën gjashtëdhjetë vjeç dhe u varros në Medine. Ai është vula e Pejgamberëve dhe e të Dërguarve. Allahu e dërgoi atë me udhëzim të qartë dhe me fenë e vërtetë që t’i nxirrte njerëzit nga terri i paganizmit dhe i mosbesimit e i injorancës për te drita e monoteizmit dhe e besimit. Allahu dëshmoi se e dërgoi si predikues të autorizuar nga ana e Tij.

26-Legjislacioni Islam të cilin e solli Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është vula e shpalljeve dhe e legjislacioneve hyjnore. Ai është një legjislacion i përsosur. Në të gjendet mbarëvajtja e fesë dhe e jetës së njerëzve. Ai i jep prioritet mbrojtjes së fesë, jetës, pronës, arsyes dhe pasardhësve. Ky legjislacion është shfuqizues ndaj të gjithë legjislacionëve të mëparshmëm njësoj siç shfuqizonin legjislacionët e mëhershëm njëri tjetrin.

27-Allahu i Madhëruar nuk pranon fe tjetër veç Islamit të cilin e solli Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të!). Kushdo që përqafon fe tjetër veç Islamit, atij nuk do t’i pranohet.

28-Kurani Famëlartë është libri që Allahu ia shpalli Pejgamberit Muhamed (paqja qoftë mbi të!). Ai është fjala e Zotit të botëve. Allahu i Madhëruar i ka sfiduar njerëzit dhe xhindët që të sjellin një libër të njëjtë si ai ose një sure të njëjtë si suret e tij. Kjo sfidë është e pranishme edhe sot. Kurani Famëlartë i jep përgjigje pyetjeve të shumta të rëndësishme gjë e cila i ka mahnitur miliona njerëz. Ai është i ruajtur deri më sot në gjuhën arabe në të cilën u shpall dhe asnjë germë nuk i mungon. Ai është i botuar dhe i shpërndarë midis njerëzve. Ai është libër madhështor dhe i mrekullueshëm meriton të lexohet ose të lexohet përkthimi i tij. Sikurse dhe tradita e Pejgamberit Muhamed (paqja qoftë mbi të!), mësimet dhe biografia e tij janë të ruajtura dhe të transmetuar nga njerëz të besueshëm. Tradita dhe biografia e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) janë të botuara në gjuhën arabe me të cilën fliste Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) dhe janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Kurani Famëlartë dhe tradita profetike janë burimi i vetëm i dispozitave të fesë islame dhe i legjislacionit islam. Islami nuk merret nga veprimet e individëve që i përkasin atij por merret nga shpallja hyjnore që është Kurani Famëlartë dhe tradita profetike.

29-Islami urdhëron që njeriu të sillet mirë me prindërit e tij edhe nëse nuk janë muslimanë. Ai urdhëron gjithashtu që të lihet testamenti për fëmijët.

30-Islami urdhëron që njeriu të jetë i drejtë në fjalë dhe në vepër madje dhe me armiqtë.

31-Islami urdhëron që njeriu të sillet mirë me të gjitha krijesat. Ai predikon virtytet e larta dhe veprat e mira.

32-Islami na urdhëron për moral të mirë si: të themi të vërtetën, ta ruajmë amanetin, të jemi të ndershëm, të jemi të turpshëm, të jemi të guximshëm, të jemi bujarë dhe fisnikë, të ndihmojmë nevojtarin dhe të pikëlluarin, të ushqejmë të uriturin, të sillemi mirë me komshiun, të ruajmë lidhjen faresfisnore dhe të sillemi mirë me kafshët.

33-Islami i ka lejuar gjërat e mira nga ushqimet dhe pijet. Ai urdhëron që të pastrohet zemra, trupi dhe banesa. Ai e ka lejuar martesën sepse ajo bën pjesë te gjërat e mira. Dhe Pejgamberët, të cilët urdhërojnë vetëm për gjëra të mira, i urdhëruan njerëzit të martohen.

34-Islami i ka cilësuar të paligjshme ndalesat kryesore si: politeizmi, mosbesimi, idhujtaria, të folurit pa dije rreth Allahut, mbytja e fëmijëve, marrja e jetës së respektuar me ligj, trazirat në tokë, magjia, veprat e pamoralshme të dukshme dhe të padukshme, shkelja e kurorës, homoseksualizmi, kamata, ngrënia e mishit të ngordhur, ngrënia e mishit të therur në emër të idhujve, mishi i derrit, të gjitha papastërtitë dhe ndyrësirat, ngrënia e pasurisë së jetimit, mashtrimi në matje dhe në peshore dhe këputja e lidhjeve farefisnore. Të gjithë pejgamberët kanë qenë të pajtuar mbi ndalimin e këtyre gjërave.

35-Islami e ndalon moralin e keq si: gënjeshtra, hilet në tregti, pabesia, tradhëtia, mashtrimi, intriga, vjedhja, dhunimi, padrejtësia dhe të gjitha cilësitë e liga.

36-Islami i ndalon me ligj kontratat monetare që pëmbajnë përqindje kamate, dëm, mashtrim, padrejtësi dhe hile. Si dhe ato kontrata që i shkaktojnë katastrofa dhe dëmtim të përgjithshëm shoqërive, popujve dhe individëve.

37-Islami solli ligje që garantojnë mbrojtjen e arsyes dhe i ndaloi të gjitha gjërat që e dëmtojnë atë si, konsumimi i alkoolit…etj. Islami i ka dhënë një pozitë të lartë arsyes duke e bërë atë kusht të përgjegjshmërisë dhe duke e çliruar atë nga vargonjtë e besëtytnive dhe të idhujtarisë. Në Islam nuk ka sekrete apo ligje që janë specifike për një kategori të njerëzve duke i përjashtuar të tjerët. Të gjithë ligjet dhe dispozitat e tij pajtohen me arsyen e shëndoshë dhe janë në përputhje me drejtësinë dhe urtësinë.

38-Te fetë e pavërteta, nëse pasuesit e tyre nuk e përceptojnë dot kontradiktën që gjendet në to apo në çështjet që nuk i pranon arsyeja atëherë prijësit fetarë i japin njerëzve të kuptojnë se feja është përmbi arsyen dhe se arsyeja nuk ka vend në përceptimin e fesë. Ndërsa Islami e ka konsideruar fenë si drita që i ndriçon rrugën arsyes. Prijësit e feve të pavërteta duan që njeriu të heqë dorë nga arsyeja e tij dhe të bëhet pasues i tyre ndërkohë që Islami don që njeriu të zgjojë arsyen e tij që t’i njohë gjërat ashtu siç janë në të vërtetë.

39-Islami e glorifikon shkencën e saktë dhe nxit që të kryhen studime shkencore të zhveshura nga ego. Ai fton të bëhen hulumtime dhe reflektime në organizmin e njeriut dhe në gjithësi. Konkluzionet e sakta shkencore nuk bien ndesh me Islamin.

40-Në ditën e gjykimit, Allahu do të pranojë dhe do të shpëblejë vetëm punën e atyre që kanë besuar Allahun, i janë bindur Atij dhe i kanë besuar pejgamberët e Tij. Allahu pranon vetëm adhurimet që i ka ligjëruar. Si mund të shpresojë shpërblim nga Allahu një njeri që e ka mohuar Atë!? Allahu nuk e pranon besimin e njeriut vetëm nëse ai i beson të gjithë pejgamberët e Tij dhe beson në pejgamberinë e Muhamedit (paqja qoftë mbi të!).

41-Qëllimi i gjithë shpalljeve hyjnore është që njeriu të lartësohet përmes fesë së vërtetë dhe të bëhet rob i sinqertë i Zotit të botëve dhe të çlirohet nga robëria e njeriut, e materies dhe e besëtytnive. Siç mund të vihet re Islami nuk i shenjtëron individët e as i lartëson ata mbi pozitën që u takon e as i bën ata zota apo hyjni.

42-Allahu e ka bërë pendimin të ligjshëm në fenë islame. Pendimi nënkupton që njeriu të afrohet me Zotin e Tij dhe të heqë dorë nga mëkati. Islami i asgjëson mëkatet që janë bërë para përqafimit të tij. Pendimi gjithashtu i i fshinë mëkatet e mëhershme.Kështu që nuk është e nevojshme që njeriu t’i rrëfehet një njeriu tjetër për mëkatet e tij.

43-Në fenë islame lidhja midis njriut dhe Zotit është e drejtpërdrejtë. Nuk është e nevojshme që njeriu të ketë ndërmjetës midis tij dhe Zotit. Islami e ndalon që t’i bëjmë njerëzit zota apo pjesëmarrës me Allahun në hyjninë dhe adhurimin e Tij.

44-Në përfundim të kësaj broshure na duhet të kujtojmë se njerëzit në kohëra të ndryshme dhe popuj e vende të ndryshme, pra shoqëria njerëzore në përgjithësi ka mospajtime në mendimet dhe objektivat e saj. Poashtu dhe klima e zanatet e njerëzve ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Andaj shoqëria njerëzore e ka të domosdoshme të ketë një udhërrëfyes që ta orientojë dhe për një sistem që ta bashkojë dhe për një udhëheqës që ta mbrojë. Dikur Pejgamberët e Allahut e bënin këtë me anë të shpalljes që u vinte nga Allahu i Madhëruar. Ata i udhëzonin njerëzit në rrugën e mirësisë dhe meçurisë, i bashkonin në zbatimin e legjislacionit hyjnorë dhe gjykonin midis tyre me drejtësi. Kësisoj çështjet e tyre kishin mbarëvajtje në varësi të bindjes së tyre ndaj pejgamberëve dhe në varësi të distancës së afërt kohore ndaj shpalljeve hyjnore. Allahu i përmbylli shpalljet hyjnore me shpalljen e Pejgamberit Muhamed (paqja qofët mbi të!), e bëri atë që t’i mbijetojë kohës dhe të jetë udhëzim, mëshirë, dritë dhe orientim për njerëzit drejt rrugës që i çon ata te Zoti i tyre.

45-Andaj të ftoj ty o njeri që t’i përgjigjesh Allahut me sinqeritet të plotë duke u çliruar nga imitimi i traditës dhe i zakonit. Dije se pas vdekjes do të kthehesh te Zoti yt andaj medito mbi veten tënde dhe mbi gjithësinë që të rrethon. Pranoje Islamin dhe do të jeshë i lumtur në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Nëse dëshiron të futesh në fenë islame, mjafton të dëshmosh se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është pejgamberi i Tij, të distancohesh nga çdo gjë që adhurohet veç Tij, të besosh se Alalhu do t’i ringjallë të vdekurit nga varret e tyre dhe se llogaria dhe shpërblimi janë të vërteta. Nëse ti e deklaron këtë, atëherë ti je bërë musliman dhe pas kësaj ti duhet ta adhurosh Allahun me adhurimet që Ai i ka ligjësuar si: namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi nëse të jepet mundësia për ta bërë.

Autor Prof. dr. Muhamed ibn Abdullah es Suhajmi

Ish-profesor i Akides në Sektorin e Studimeve Islame

Fakulteti i Edukimit – Universiteti “Mbreti Suud”

Përktheu dhe përshtati Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...