Transmetohet nga Katade nga një burrë prej Khathamit (fis arab) se ka thënë: Shkova te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndërkohë që ai ishte me një grup sahabësh, dhe i thashë: “Ti je ai që pretendon se je i Dërguari i Allahut? – Po. – Thashë: O i Dërguar i Allahut! Cila nga punët është më e dashur tek Allahu? – Besimi në Allahun. – I thashë: O i Dërguar i Allahut! Pastaj cila? – Pastaj mbajtja e lidhjeve farefisnore. – Thashë: O i Dërguar i Allahut! Cila nga punët është më e urryer te Allahu? – Shirku. – Thashë: O i Dërguar i Allahut! Pastaj cila? – Pastaj ndërprerja e lidhjeve farefisnore. Hadith autentik. E ka nxjerrë Ebu Jala me nr. 6839. Hadithin e ka konsideruar të saktë (sahih) shejh Albani në “Sahihu et-tergib uet-terhib” 2522.
Sahabët në të shumtën e rasteve e pyesnin Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për punët më të mira, më me vlerë te Allahu i Lartësuar dhe më të dashura tek Ai. Kjo tregon për kujdesin e tyre dhe dijen e madhe për të shtuar njohjen e rrugëve që shpien drejt veprave të mira. Konteksti (formulimi) i pyetjes është tregues madhor që nxjerr në pah mprehtësinë e sahabëve. Ata pyesnin se cilat janë punët më të mira dhe më të dashura tek Allahu i Lartësuar, duke e ditur se koha është e shkurtër dhe patjetër duhet të shfrytëzohet duke e mbushur atë me vepra të mira.
Besimi në Allahun kërkon katër gjëra:
- Besimin në ekzistencën e Tij.
- Besimi në rububijen e Tij
- Besimi në uluhijen e Tij.
- Besimi në emrat dhe cilësitë e Tij (esmau ue sifat).
Mbajtja e lidhjeve farafisnore:
Kurtubiu ka thënë: “Umeti ka rënë dakort se mbajtja e lidhjeve farafisnore është vaxhib, ndërsa ndërprerja (shkëputja) e tyre e ndaluar (haram).”[1]
Prej mirësive të ruajtjes së lidhjeve farefisnore:
Të shton jetën dhe bëhet shkak që personi të ketë begati në furnizimin e tij. Argument për këtë është fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush dëshiron t’i shtohet (rritet) pasuria dhe t’i shtohet jeta le të mbajë lidhjet farafisnore.”[2]
Pasi sahabët e pyetën Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se cilat janë veprat më të dashura tek Allahu i Lartësuar, ata e pyetën dhe për veprat më të urryera tek Ai. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u sqaroi se veprat më të urryera te Allahu i Lartësuar janë shirku dhe ndërprerja (shkëputja) e lidhjeve farafisnore.
Përsa i përket shirkut, Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij.” | En-Nisa: 48.
Ndërsa për ndërprejrjen e lidhjeve farefisnore Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore.” | Muhamed: 22.
Dobitë e hadithit:
- Sqarimi se prej punëve më të dashura tek Allahu është besimi në Të, dhe se shirku është prej veprave më të urryera.
- Nxitja për mbajtjen e lidhjeve farafisnore.
- Ndërprerja e lidhjeve farefisnore është prej punëve të këqija dhe të urryera tek Allahu i Lartësuar.
- Dalja në pah e kujdesit të madh të sahabëve në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për të pyetur për punët më të dashura tek Allahu dhe veprat më të urryera tek Ai.
Përktheu: Unejs Sheme
————————————-
[1] ”El-Xhamiu el-ahkam el-Kuran” vëll. 5.
[2] Buhariu 2067 dhe Muslimi 21/2557, prej hadithit të Enes bin Malik radijAllahu anhu.
Dosje: Pjesë Libri