Një vëlla thotë: Domosdoshmëria e kërkon që t’i kundërpërgjigjemi të ashtuquajturit Adnan Ibrahim i cili ka çorientuar shumë prej të mençurve të këtij ummeti, dhe i ka devijuar ata nga metoda profetike, dhe ka hedhur dyshime mbi sunetin. Ka mohuar Dexhallin dhe zbritjen e Isait – paqja qoftë mbi të – dhe ka ofenduar disa nga sahabët si: Aishja, Ebu Hurejrah dhe Muauijeh – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre . Dhe thërret gjithashtu në pasimin e logjikës dhe dhënien përparësi asaj, dhe lënien mënjanë të Sunetit, dhe mjaftimin me Kuranin, dhe të tjera devijime si këto. Prandaj shpresojmë prej jush t’i kundërpërgjigjeni atij gjerësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
Shejkhu: Më ka ardhur lajmi se dikush prej vëllezërve tanë ka shkruar një libër të posaçëm si kundërpërgjigje ndaj tij, dhe ka qenë i suksesshëm në këtë. Dhe për këtë Allahut i takon falenderimi dhe prej Tij është mirësia!
Dije – më mësoftë Allahu mua dhe ty! – se nuk ka të mirë apo të keqe që të mos ketë baza dhe rrënjë tek të parët. Kështu njerëzit e khajrit në këtë kohë dhe në çdo kohë, kanë baza që lidhen me Profetin – sal lall llahu alejhi ue sel lem – me sahabët dhe tabi’inët. Po kështu edhe njerëzit e sherrit. Askush nuk vjen me një të keqe të re. Mjetet janë të reja, dmth mjetet si: mikrofoni, kanalet satelitore, mjetet e regjistrimit (të zërit dhe pamjes)…, këto janë mjete të reja, ndërsa lënda e parë e së keqes është e njëjta. Nuk ka të keqe që nuk ka një të kaluar, dhe po ashtu nuk ka të mirë që të mos ketë të kaluar.
Për këtë burrë unë s’kam dëgjuar. Thuhet se është nga Gaza dhe banon në Australi. Dhe këto i kam dëgjuar nga disa prej vëllezërve tanë.
Unë rehatoj veten time, zemrën time, mendjen time, kohën time dhe nervat e mia nga e keqja e mjeteve të reja të komunikimit. Vëllezërit e mi – Allahu i shpërbleftë me të mira – regjistrojnë (mësimet) dhe i shpërndajnë, dhe kjo është pjesëmarrja ime në atë që quhet ‘internet’.
Unë u kam thënë vëllezërve të mi: Kur ishim nxënës në vegjëli, në shkollën fillore shikonim sharjet me shprehje të shëmtuara dhe ofendimet që shkruheshin në dyert e banjave – Allahu ju nderoftë – , i shikonim këto gjëra, dhe të gjithë ne jetojmë pak a shumë në të njëjtin ambient. Banja e sotme ku shkruhen ato që shkruheshin dikur në dyert e banjave, është ajo që quhet ‘internet’. Interneti i ngjason banjave të para.
Dhe ËSHTË E NDALUAR ME FE QË TË MARRËSH DIJE NGA INTERNETI, VEÇSE PREJ NDONJË NJERIU BESNIK. Kush e saktësoi këtë hadith? E saktësoi interneti!!! Dhe e dobësoi interneti! Mirë se vjen internet! (ironike). Hadithin e saktëson dhe e dobëson interneti! Kush është interneti?! Nuk e dimë kush është! KJO ËSHTË E NDALUAR ME FE! MARRJA E FETVASË NGA INTERNETI ËSHTË E NDALUARA ME FE. Sepse në të gjendet i miri dhe i keqi, i ulëti dhe fisniku. Të gjithë marrin pjesë në të. Dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na ka njoftuar se në “kohën e fundit do të pëlqejë çdokush mendjen e vet.” Dhe pëlqimi i çdokujt mendjen e vet shfaqet tani në internet. Prandaj – fetarisht – nuk të lejohet të dëgjosh (të ndjekësh) këta të humbur.
Një njeri si ky, me këtë përshkrim, a ka ardhur me ndonjë të keqe të re? A ka ardhur me ndonjë gjë të re? Nuk ka ardhur me ndonjë gjë të re. Këto baza që i përmendi vëllai: hedhja e dyshimeve për sahabët, dyshimet mbi hadithet, përdorimi i logjikës dhe hedhja poshtë e teksteve të shenjta (haditheve), bazat e kujt janë këto? Bazat e kujt janë këto o vëllezërit e mi? Këto janë bazat e mu’tezilive, khauarixhëve tekfirësa. Feja e mu’tezilive mbi çfarë bazohet? Mbi dhënien përparësi të logjikës ndaj teksteve të shenjta. E gjithë feja e tyre është e bazuar mbi dhënien përparësi logjikës para teksteve. Këto janë bazat e mu’tezilive. Kështu që me lehtësinë më të madhe, dikush që thërret për në i’tizal, çfarë i themi atij? I themi: I humbur, humbës, bidatçi. Dhe u rehatuam. U rehatuam dhe mbaroi çështja.
Unë i pyes vëllezërit e mi që ndjekin këtë burrë dhe dëgjojnë prej tij: Përse merreni me të?! A nuk i njihni imamllarët e ehli sunetit? Përse nuk dëgjoni imamllarët e ehli sunetit? Përse i humbisni kohët tuaja, dhe u shkaktoni dhimbje kokave tuaja dhe zemrave tuaja, dhe i mbushni kohët tuaja me gjëra të këqija?!
Pasha Allahun vëllezër! Disa dyshime që hidhen, për t’i hedhur poshtë ato, DIJETARI ka nevojë për orë të tëra studimi dhe kërkimi. E si mund të jetë gjendja e njeriut kur në zemrën e tij vijnë dyshime pas dyshimesh?! Këto dyshime lënë ndikim tek njeriu. Dhe patjetër që pasojat e tyre do të shfaqen qoftë edhe në çastet e vdekjes.
Thotë Imam Ibnul Kajjim: “Më këshilloi shejkhu im Ibn Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – duke më thënë: O bir! Bëje zemrën tënde si pasqyra, dhe mos e bëj si sfungjeri. Sepse kur sprovat bien te pasqyra ajo i reflekton ato (i kthen mbrapsht), ndërsa kur ato bien te sfungjeri ai i përthith. Dhe patjetër që pasojat e tyre do të shfaqen, qoftë edhe në shtratin e vdekjes!”
Ta takosh Allahun duke i urryer shokët e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!!! Allahu na ruajtë! Sa i keq është ky rob! Të takosh Allahun duke i urryer të dashurit e Allahut të Lartmadhëruar! Të urresh ata që ndihmuan Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?!
O njerëz! Profeti bëri krushqi me Muauijen. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – morri për grua motrën e Muauijes. Sikur Muauija të ishte njëri i keq dhe i prishur, (a do ta kishte futur në shtëpi – Profeti lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?!) Dmth Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – nuk gjeti të lidhej veçse me njerëz të këqij?!!! Këta njerëz a kanë logjika?!
Dikush nga imamllarët e Ehli Sunetit thoshte: “Muauija është daja i besimtarëve” O ti që shan Muauijen! Ti po shan dajën tënd. (Sh.p.: E nëse thotë se nuk e kam dajë, kjo është më e keqja, sepse e ka nxjerrë veten nga radhët e besimtarëve, pa e kuptuar). Përse Muauija është daja ynë? Sepse motra e tij është nëna jonë. (Sh.p.: Sepse Allahu thotë “Dhe gratë e tij (Profetit) janë nënat tuaja” Ahzab: 6)
Prandaj njëri prej imamllarëve, si (Abdullah) Ibnul Mubarak thoshte: “Pluhuri që ka hyrë në hundën e kafshës së Muauijes, është më i mirë se e gjithë toka e mbushur me njerëz si Umer ibn Abdulaziz (tabiin)”
Sepse pasuesit e bidateve (janë dinakë) dhe kur duan të shajnë Muauijen thonë për Umer ibn Abdulazizin se është udhëheqësi i pestë i drejtë. Ai që thotë për Umer ibn Abdulazizin se është khalifja i drejtë i pestë, çfarë ka për qëllim? Ka për qëllim të shajë Muauijen. Disa njerëz (sh.p.: janë shumë të rafinuar), kur duan të shajnë dikë, lavdërojnë atë që është përballë tij (në pozitë). Synimi i tij me këtë lavdërim është të ofendojë tjetrin. Umer ibn Abdulaziz është prej të devotshmëve, prej të drejtëve, dhe është prej njerëzve që e duam, dhe lusim Allahun e Lartmadhëruar që të na bashkojë me të dhe me Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në Xhenet. Por ku krahasohet tabiini me sahabin?!
Dijetarët thonë: Sahabiu, i cili ka parë fytyrën e Muhamedit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, edhe sikur të ketë qenë foshnje që nuk kupton gjë, parja e fytyrës së Profetit lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, ka një veçanti, dhe ndikon në brendësinë e njeriut, dhe me të njeriu ngrihet në një gradë që nuk e arrin atë askush ndonjëherë. Dmth sahabiu i vogël i cili e ka parë Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe nuk ka dëgjuar gjë prej tij dhe as kuptoi gjë prej tij, ky ka një pozitë të veçantë. Për këtë dijetarët tanë thonë: “Sahabij sepse ka parë Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe tabiin sepse nuk ka transmetuar direkt prej tij (por prej një sahabi, apo tabiini).” Parja e Profetit ka ndikim tek ai, lë gjurmë në devotshmërinë e njeriut, dhe në brendësinë e tij. E si është puna me atë që ka qenë krushk i Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe ka hyrë e ka dalë te shtëpia e tij, dhe Profeti lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka hyrë tek ai?
Prandaj ata që hedhin dyshime mbi këta njerëz, nuk i frikësohen Allahut. Ata hedhin dyshime në themelet e palëkundshme të këtij umeti. Në vend që të ruajmë gjërat e palëkundshme të fesë sonë dhe të ecim përpara, që t’i shërbejmë fesë sonë dhe ta përhapim atë, po ndalojmë dhe po kthehemi pas. Dhe duhet tu kundërpërgjigjemi atyre që hedhin dyshime në themelet e fesë, për fat të keq!
Përktheu: Emin Bilali