Rregullat e gjykimit ndaj njerëzve – 2 التكفير و ضوابطه

March 11, 2012

Ata të cilët bëjnë shpërthime, kanë dalë kundër  gjykimeve të Islamit

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe lavdërimet e Tij qofshin mbi Profetin tonë, mbi familjen dhe shokët e tij. Ekzistenca e qetësisë është kërkesë e domosdoshme, madje njerëzit kanë më shumë nevojë për të sesa për ngrënie-pirjen. Për këtë shkak edhe Ibrahimi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) në lutjen e tij të përmendur në Kuran i dha përparësi asaj ndaj furnizimit. Ai duke u lutur tha: (Zoti im) bëj që zemrat e njerëzve të qetësohen tek ata dhe furnizoji me fruta në mënyrë që të falenderojnë”[1]  Sepse njerëzit nuk gjejnë prehje me ekzistenxën e frikës edhe nëse kanë për të ngrënë e për të pirë dhe kjo, për arsyen se frika është shkak për ndërprerjen e rrugëve të furnizimit dhe mbartjes së ushqimit nga një vend në tjetrin.

Prandaj Allahu i Madhëruar ka gjykuar që dënimi i piratëve të rrugës të jetë nga dënimet më të tmerrshme. Ai ka thënë: “Shpërblimi i atyre që luftojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe përhapin në tokë shkatërrime, është që të vriten, ose të kryqëzohen, ose t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo për ta të jetë përçmim në dunja, e në ahiret ata do të kenë dënim të tmerrshëm”[2] .

Islami mbron pesë gjërat më të domosdoshme të cilat janë: feja, jeta, mendja, nderi dhe pasuria. Për ruajtjen e tyre janë vënë masa të rrepta kundrejt atyre që i shkelin apo i nëpërkëmbin, të kujtdo qofshin ato, si të muslimanëve, ashtu edhe të jomuslimanëve që qëndrojnë në vendet Islame në bazë të marrveshjeve që kanë bërë me muslimanët. Të tillët kanë të drejta të njëjta me muslimanët. Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Ai që vret një jomusliman që është nën besën tonë nuk do ta ndiej erën e xhenetit”[3].

Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse dikush prej idhujtarëve të kërkon të jetë afër teje (strehim), atëherë afroje atë me qëllim që të dëgjojë Fjalët e Allahut (Kuranin) e më pas përcille deri në vendin e tij të sigurtë. (Bëje) këtë ngase ata janë popull që nuk dinë (të vërtetën e Islamit)”[4].

Nëse muslimanët frikësohen nga ata për ndonjë tradhëti dhe thyerje të premtimit, nuk u lejohet t’i luftojnë ata derisa t’u bëjnë të ditur që marrëveshja mes tyre ka mbaruar, prandaj nuk duhet t’i befasojnë ata me luftë pa i lajmëruar. Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ti vrojton tradhëtinë e një populli (ndaj marrëveshjes), atëherë edhe ti vepro me ta në mënyrë të njëjtë, sepse Allahu nuk i do ata që tradhëtojnë”[5].

Ata që hyjnë nën besën e muslimanëve prej jomuslimanëve janë tre grupe njerëzish:

  1. El Muste’min: ai është njeriu që futet në vendet Islame pasi i është dhënë atij siguri për të kryer misionin e posaçëm që ka marrë përsipër dhe pastaj kthehet në vendin e vet pasi ta ketë kryer atë.
  2. Muahid: është personi që hyn pas ndonjë pakti, apo marrëveshjeje mes muslimanëve dhe jomuslimanëve. Ky person është në sigurinë e muslimanëve derisa të mbarojë marrëveshja që është vendosur mes dy palëve. Nuk i lejohet askujt që ta dëmtojë atë ashtu siç atij nuk i lejohet të dëmtojë ndonjë prej muslimanëve.
  3. Ehlu Dhimeh: ata që hyjnë nën gjykimin e muslimanëve kundrejt një takse që paguajnë, e cila quhet xhizje.

Islami, të gjithë këtyre u siguron qetësinë, gjakun, pasurinë dhe nderin.

Nëse dikush i armiqëson dhe i dëmton ata, atëherë ai ka tradhëtuar Islamin dhe meriton të dënohet me ashpërsi, sepse drejtësia është obligim si kundrejt muslimanëve ashtu edhe kundrejt jomuslimanëve, edhe nëse nuk janë në marrëveshje me ne apo nën mbrojtjen tonë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Urrejtja ndaj një populli, që ju pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë kundrejt tyre”[6]. Dhe thotë: “O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangemi drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di hollësisht gjithçka që veproni”[7]

Ata që dëmtojnë qetësinë dhe sjellin çrregullime, ose janë hauarixhë, ose hajdutë e plaçkitës, ose armiq shkatërrimtarë. Sidoqofshin ata dhe çfarëdoqofshin, me ta duhen ndjekur mënyrat e duhura për t’i ndaluar dhe për t’u treguar kufirin, në mënyrë që të frenojnë të keqen e tyre ndaj muslimanëve dhe ndaj tre grupeve që përmendëm më parë prej jomuslimanëve.

Ata të cilët bëjnë shpërthime në çdo vend, duke çuar dëm jetët e njerëzve të pafajshëm dhe pasuritë e tyre, duke lënë gratë e tyre të veja dhe fëmijët jetimë, ata janë që Allahu thotë për ta: “Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (sepse në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat) dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet Allahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. E posa të kthehet, ai në tokë vrapon të bëjë shkatërrime në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat, e Allahu nuk e do çrregullimin. Dhe kur i thuhet atij : ‘Ki frikë Allahun!’ atë e kap euforia për punë mëkati. Atij i mjafton xhehenemi, e sa vendqëndrim i keq është ai”[8].

Është e habitshme sesi këta njerëz armiqësor që kanë dalë kundër gjykimeve të Islamit e quajnë këtë vepër të tyre xhihad[9] në rrugë të Allahut!!! Kjo është prej shpifjeve më të mëdha ndaj Allahut, sepse Ai e ka quajtur këtë fesad[10] dhe jo xhihad! Por, nuk habitemi me veprimin e tyre kur kujtojmë se si paraardhësit e tyre prej hauarixhëve gjykuan ndaj Sahabëve se ishin qafira, vranë Uthmanin dhe Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre), edhe pse ata të dy ishin prej prijësave të drejtë dhe prej të përgëzuarve me xhenet. I vranë ata dhe këtë veprim të tyre e quajtën xhihad në rrugë të Allahut! Por në të vërtetë ai ishte xhihad në rrugën e shejtanit. Thotë Allahu i Madhëruar: “Ata që besojnë, luftojnë në rrugë të Allahut, kurse ata që nuk besojnë, luftojnë në rrugë të shejtanit”[11]. Edhe pse ata nuk janë qafira, kemi frikë për ta se mos bëhen të tillë sepse luftojnë në rrugë të tagutit.

Islamit nuk i ngarkohen veprimet e tyre, siç thonë armiqtë e kësaj feje prej qafirave dhe hipokritëve: “Feja Islame është fe e terrorizmit”(!), duke u argumentuar me veprimet e këtyre kriminelëve,  por në të vërtetë veprimet e tyre nuk i përkasin kësaj feje dhe nuk janë aspak Islame. Ato nuk i pranon as Islami e as ndonjë fe tjetër. Këto veprime rrjedhin nga mendimet e hauarixhëve që për vrasjen e tyre ka nxitur Profeti (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të), duke thënë: “Kudo që t’i gjeni, vritini ata”[12], madje ka premtuar shpërblim të madh për atë që i vret, por nuk lejohet t’i vrasë ata veçse prijësi i muslimanëve, ashtu siç vepruan Sahabët nën udhëheqjen e prijësit të tyre Ali ibni ebi Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të).

Disa hipokritë apo injorantë mendojnë se këto mendime të shtrembëra serviren në shkollat Islame nga ku edhe diplomohen njerëzit e tillë, sepse gjoja programet e këtyre shkollave përfshijnë edhe këto mendime, prandaj ata kërkojnë me ngulm ndryshimin e këtyre programeve shkollore! Por ne themi se poseduesit e këtyre mendimeve nuk janë diplomuar nga shkollat e muslimanëve e as kanë marrë dije nga dijetarët Islam. Kjo për shkak se ata nuk e lejojnë studimin në shkollat, institutet dhe universitetet Islame, madje nënçmojnë dijetarët tanë duke i cilësuar ata si injorantë dhe i akuzojnë për servilizëm ndaj qeveritarëve! Ata e marrin dijen prej njerëzve me mendime të shtrembëra, nga të rinjtë e papjekur dhe të papërvojë, e për këtë shkak akuzojnë dijetarët ashtu siç bënë edhe paraardhësit e tyre me dijetarët e Sahabëve, që madje i quajtën ata qafira!

Shpresojmë që pas këtij çasti, prindërit të tregohen të vëmendshëm për fëmijët e tyre dhe të mos i lejojnë ata të shoqërohen me njerëz që posedojnë këto mendime të shtrembëra, sepse ata i drejtojnë në përqafimin e mendimeve të dëmshme dhe në ndjekjen e metodave të pasakta. Pra, të mos i lejojnë të shoqërohen me njerëz të dyshimtë e as të nisen për udhëtime të paditura për prindërit, sepse ato bëhen shkak që këta të rinj të peshkohen nga egërsirat e shpërfytyruara!

Dijetarët e kanë obligim të udhëzojnë njerëzit ashtu siç duhet, t’u mësojnë atyre akiden e pastër me çdo mjet dhe mënyrë, në shkolla, në xhami, apo nëpërmjet radio-televizionit, në mënyrë që të mos u lënë shkas njerëzve të humbur të cilët lëvizin në errësirë, atëherë kur ne jemi të pavëmendshëm!

Allahu u dhëntë të gjithëve sukses për marrjen e dijes së dobishme dhe veprimin e punëve të mira.

Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin dhe mbi familjen e shokët e tij.

Vijon …

Përktheu Mirandi Usama Shehaj


[1] Sure Ibrahim ; ajeti 37

[2] Sure Maide ; ajeti 33

[3] Transmeton Buhari ; nr 3177

[4] Sure Teube ; ajet 6

[5] Sure Enfalë ; ajeti 58

[6] Sure Maide ; ajeti 2

[7] Sure Maide ; ajeti 8

[8] Sure Bekare ; ajetet 204-206

[9] Përpjekje, luftë. (sh.p)

[10] Shkatërrim, rremujë. (sh.p)

[11] Sure Nisa ; ajeti 76

[12] Transmeton Buhari ; nr 5057

Dosje:

Loading...