Rregullat e përparësisë në blerje

Rregullat e përparësisë në blerje (esh- shuf’ah)

Nga Xhabir ibn Abdullah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka gjykuar se ortaku ka përparësi nëse ortaku i tij dëshiron ta shesë pjesën e tij në çdo gjë që ndahet, e nëse kufijtë përcaktohen dhe rrugët ndahen, atëherë ska më përparësi.” Transmeton Bukhari[1]

Nga ky hadith përfitojmë të gjitha rregullat e ndarjes së gjërave mes ortakëve, dhe në çfarë gjëje zbatohen këto rregulla, dhe ku nuk zbatohen ato. Kështu përparësia në blerje zbatohet në pasuritë e përbashkëta, dhe ato janë dy lloje: të patundshme (toka, shtëpi. Rrugë) dhe të tundshme (mall tregtie, aksione tregatre etj).

Në këtë hadith përmendet e drejta e përparësisë në blerjen e pasurive të patundshme, dhe hadithi tregon se në gjërat e tjera nuk ka të drejtë përparësie (sh.p.: Por malli i shitet atij që e blen më parë). Kështu: ortakësia në kafshë, orendi shtëpiake, parà (lekë, euro, dollarë etj) dhe në çdo pasuri të luajtshme, nëse ndonjëri prej ortakëve shet pjesën e tij, tjetri nuk ka asnjë përparësi ndaj ndonjë blerësi tjetër për ta blerë pjesën e ortakut (sh.p.: dmth ortaku dhe çdo blerës tjetër janë të barabartë në të drejtën për të blerë, pa pasur askush përparësi ndaj tjetrit).

Ndërsa pasuritë e paluajtshme nëse ato ndahen dhe përcaktohen kufijtë dhe përcaktohen rrugët dhe çdonjëri prej ortakëve zgjedh pjesën e tij, atëherë nuk ka më prioritet askush ndaj tjetrit, siç tregon teksti i hadithit, sepse ai kështu bëhet fqinj dhe fqinji nuk ka prioritet ndaj fqinjit.

Ndërsa nëse nuk janë përcaktuar kufijtë dhe nuk janë ndarë rrugët, pastaj njëri prej tyre shet pjesën e tij, ortaku apo ortakët e tij kanë prioritet për ta blerë pjesën e tij, me çmimin që është bërë aktshitja secili (prej ortakëve) sipas pjesës që ka në pasurinë e përbashkët.

Teksti i hadithit tregon se nuk ka dallim mes pasurisë së paluajtshme e cila mund të ndahet (sh.p.: kaq është fjalia në tekstin arabisht, e ndoshta plotësimi i saj logjik është: “dhe pasurisë së paluajtshme e cila nuk mund të ndahet”), dhe kjo është fjala më e saktë, sepse urtësia e prioritetit në blerje – që është largimi i dëmit prej ortakut – gjendet tek të dyja llojet dhe hadithi është i përgjithshëm (përfshin këtë dhe atë).

Ndërsa argumenti me të cilin janë argumentuar ata që kanë bërë dallim mes dy llojeve është i dobët. Janë kundërshtuar dijetarët rreth përparësisë që ka fqinji ndaj fqinjit të vet, nëse mes tyre ka një të drejtë të përbashkët prej të drejtave të pronësisë, siç është rruga e përbashkët, apo pusi i përbashkët, etj si këto. Disa prej tyre e kanë konsideruar të detyrueshme që fqinji të jetë më përparësor për të drejtën e blerjes së pjesës së fqinjit të tij, se sa dikush që është i huaj. Dhe ka thënë se kjo është e ngjashme me ortakësinë në çdo pronë të përbashkët, dhe dëmi këtu është si dëmi atje, dhe për këtë tregojnë argumentet.

E ka prej tyre që nuk i japin atij përparësi në të drejtën për blerjen e pjesës së fqinjit, siç është e njohur prej medh’hebit të imam Ahmedit.
E ka prej tyre që e pohojnë të drejtën e tij për ta blerë përpara çdo kujt tjetër, nëse dëshiron e mban e nëse dëshiron e lëshon. Dhe kjo është prej të drejtave të përgjithshme, të cilat nuk anullohen veçse me anullimin e tyre me fjalë (nëse i zoti i të drejtës heq dorë) apo me diçka që tregon tërheqjen e tij nga e drejta e tij.

Ndërsa kushti i rendjes në marrjen e të drejtës së tij, pa pasur kohë që të zgjedhë, kjo është një fjalë për të cilën nuk ka argument.

Ndërsa dy hadithet me të cilët janë argumentuar, njëri prej të cilëve thotë: “E drejta e përparësisë për të blerë është si puna e zgjidhjes së litarit”[2] dhe tjetri: “E drejta për blerje i takon atij që vjen më parë”[3] asnjëri prej tyre nuk saktësohet si fjalë e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

E sakta është se kjo e drejtë është si të drejtat e tjera në lirinë për të zgjedhur, apo për ta lënë  nëse malli ka ndonjë të metë, apo të tjera të ngashme. Dhe kjo e drejtë i takon të zotit, vetëm nëse ai heq dorë prej saj, me fjalë apo me ndonjë veprim që tregon për të. Dhe Allahu e di më së miri.

[1] Bukhari (2257)

[2] Hadith shumë i dobët. Përcillet nga Ebu Zur’a – imami, hafidhi i njohjes së sekreteve dhe dobësive të imëta të  haditheve – se ka thënë: “Ky hadith është munker (shumë i dobët, i urryer). Nuk di të ketë gjykuar njeri sipas tij. Ai që mungon ka të drejtë në blerje, edhe fëmija deri sa të rritet”. (Ilel 1/479). Po ashtu e ka quajtur të dobët edhe El Hafidh (Ibn Haxher-i) në “Et-telkhis” (56/3). E kanë dobësuar edhe dijetarë të tjerë, Allahu i mëshiroftë të gjithë!

[3] Hadith shumë i dobët. Përcillet si fjalë e Shurejhut. Shiko “Et-telkhis eh habir” 56-57/3), “Nasbur-rajeh” të Zejleiut etj.